Ambasadorja gjermane në Serbi: Shpresoj që diskutimet në Bruksel të çojnë në një zgjidhje

27 Shkurt 2024, 14:59Rajoni TEMA
Ambasadorja gjermane në Serbi: Shpresoj që diskutimet në Bruksel

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se pret që në takimet në Bruksel që janë duke u zhvilluar këtë të marte mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb për pagesa, të merren “vendime të mira”, veçanërisht për çështjen e dinarit.

Këto komente, Konrad i ka bërë në një intervistë për median serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”, ku ka përmendur edhe nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo vlen për Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe për marrëveshjet që janë arritur më pas, dhe sigurisht për vendimet e marra në Bruksel gati një vit më parë, si dhe për ato në Ohër”, tha Konrad.

Në vlerësimin e saj, kjo është e rëndësishme për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe serbi, dhe në veçanti, sipas diplomates gjermane, për ata që jetojnë në Veri të Kosovës, pasi që konsideron se “normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do t’ua lehtësojë jetën shumë njerëzve në rajon, por gjithashtu do të kontribuojë në çdo zhvillim të ardhshëm”.

“Ne shohim se tensionet e vazhdueshme nuk janë të mira për asnjë palë, veçanërisht jo për njerëzit që jetojnë atje, duhet të ketë pasoja për moszbatimin e marrëveshjes dhe mendoj se duhet të jenë në qendër të vëmendjes, ata që marrin vendime politike në progres në zbatimin e marrëveshjes”, shton.

Ambasadorja gjermane shpreson që këtë të marte do të merren vendime të mira, jo vetëm në këtë takim, që ka të bëjë në veçanti për dinarin, por edhe në aspekte të tjera të rëndësishme si krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili, sipas saj, “do të rikthejë jetën normale” në Veri dhe të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për sa i përket çështjes së dinarit, sot kemi bisedime në Bruksel dhe shpresoj se do të çojnë në një zgjidhje që do t’u mundësojë njerëzve qasje në para, në mënyrë që ata të jetojnë jetën e tyre dhe të mos dëshpërohen. Shpresojmë që këto bisedime të jenë të frytshme, që së paku të tregojnë rrugën se si zgjidhet kjo çështje, sepse për ne është e një rëndësie thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve në veri të Kosovës”, theksoi ajo.

Ndryshe, para pak çastesh ka përfunduar takimi trilateral në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, që është ndërmjetësuar nga Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ku është diskutuar mbi vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Deri më tani nuk është raportuar se është arritur ndonjë marrëveshje.

Nga pala shqiptare e Kosovës kanë refuzuar që përfaqësimi në këtë takim të jetë në nivel politik, duke dërguar kështu në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së.

Për dallim nga Kosova, Serbia ka dërguar në Bruksel delegacion edhe politik, i cili kryesohet nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

 

1 Komente

  1. N
    Nje mendim per diskutim

    Kot shpreson o Ambasadore. Thuaj ndonje tjeter gje, p.sh. Gjermania ti bashkohet mot z.Trump (Makroni duket dakord, Italia po e po) per te detyruar bashkimin e Kosoves me Shqiperine per ta zgjidhur njehere e mire punen proruse te Kurtit dhe VV. Shqiptaret te bashkuar do ta hedhin ne plehra Kurtin dhe pasuesit e tij. Pa Shqiperine nuk ndricohen nga mendja antaresia e VV.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje