Avioni me municione që u rrëzua në Greqi, ministri serb zbulon llojin e armëve që po transportonte

17 Korrik 2022, 09:35Rajoni TEMA

Avioni me municione që u rrëzua në Greqi, ministri serb zbulon

Ministri serb ka reaguar në lidhje me avionin ukrainas të nisur nga Serbia, që u rrëzua mbrëmjen e djeshme në Kavalla të Greqisë, ku mbetën të vdekur 8 personat e ekuipazhit që ndodheshin në bord.

Nebojsha Stefanoviç tha se në avionin e mallrave ndodheshin 11.5 ton armë serbe.

Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviç konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën. Stefanoviç tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera. Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.

Stefanoviç i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”.

Avioni Antonov, që operohej nga një linjë ajrore e Ukrainës, u rrëzua të shtunën vonë pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore.


Sipas televizionit shtetëror grek, ERT, ekspertë ushtarakë dhe të eksplozivëve, si dhe ekspertë të Komisionit grek të Energjisë Atomike pritet të përdorin dronin, përpara se të afrohen në vendin e rrëzimit, për shkak të toksicitetit të mundshëm të ngarkesës.

Policia u kërkoi gazetarëve në vendngjarje të mbanin maska, thuhet në raportin e televizionit shtetëror.

“Ne po e trajtojmë ngarkesën si një material të rrezikshëm”, tha një zyrtar nga brigada e zjarrfikësve, raporton Reuters.
Sipas disa raporteve, piloti arriti t’i informonte autoritetet për një problem në njërin nga motorët e avionit. Atij, më pas, iu kërkua të aterojë në aeroportin e Selanikut ose Kavallës, raportojnë mediat.

Pasi mori drejtimin për në Kavallë, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit të këtij qyteti, tha Autoriteti i Aviacionit Civil grek.

Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 – një sistem që gjurmon avionët në kohë reale. “Një aeroplan mallrash Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës në Greqi, në rrugën nga

Nishi për në Aman”, tha Flightradar.24.

2 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Rusia do heqë ambasadën e sajë nga Beogradi nëse i ka bërë një proqkë të tillë, ku me këta armë do rritej numri ushtarëve rusë viktima të kësaj lufte me ndërhyrje të shumta nga vëndet e vetshpallura BE.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Alieni

      Nuk ndodh ditë që në Serbi besa edhe në Kosovë nuk ka një apo edhe shumë skandale dhe ato me pasoja për vendin dhe me reflektim ndërkombëtar. Për çudi Evropa bënë sehire. Më 1993 u rrëzuan të dy aeroplanëve të udhëtarëve në Maqedoni me qytetar shqiptar që po ktheheshin në vendlindje nga vendet perëndimore. Në këto dy fatkeqësi vdiqën 200 shqiptarë. që të dyja ishin të qëllimta dhe me pasoja tragjike për shqiptaret. Ata edhe kryeministrin Jugosllavë nga radhët boshnjakëve Xh.Bijediq e zhdukën në fatkeqësi ajrore. Kriminelet shesin dhe blejnë armë për të vrarë për të mbajtur jetën e qytetarëve të kombeve dhe besimeve tjera prandaj dyshohet se aeroplani Ukrainës ishte i radhës. Qoftë i fundit që merr jetë.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje