“Heronjtë kthehen të fundit në shtëpi,” Nurellari për Hagën: 180 vite burg për Thaçin, Veslin, Krasniqin dhe Selimin si dënim i historisë së luftës për liri (VIDEO)

10 Shkurt 2026, 17:00Rajoni TEMA
“Heronjtë kthehen të fundit në shtëpi,”

Asnjë shenjë frike nuk u lexua në portretin e Hashim Thaçit, kur prokurorja lexoi pretencën në Hagë. E njëjta vetëpërmbajtje u reflektua edhe te Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Me qetësi të admirueshme, dëgjonin prokuroren kur ajo artikuloi 180 vite burg, për secilin nga 45, praktikisht një dënim me burgim të përjetshëm i maskuar në shifra.

Në seancën e 9 shkurtit, akuza argumentoi pretencën referuar supozimeve për krime lufte, por pa fakte konkrete për secilin prej tyre. Ata akuzohen për krime kolektive, të cilat ende konsiderohen të supozuara. Këshilltari i Hashim Thaçit dhe drejtues në strukturat e PDK-së në Kosovë, Adri Nurellari, ka ndjekur nga afër këtë proces qysh në origjinën e tij, kohën kur u ngrit Gjykata Speciale. Në një intervistë për Tema, ai risjell në vëmendje kontekstin në të cilin u ngrit kjo gjykatë dhe dyshimet e forta për lobimin ruso-serb me qëllim zhbërjen e historisë së Kosovës, të luftës për liri të UÇK-së.

Nurellari flet për procesin dhe mënyrën se si u qas politika e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë. Roli i munguar i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, në kohën e duhur, ndoshta është i qëllimshëm, sipas Nurellarit. Ai flet gjithashtu edhe për rolin e munguar të diplomacisë shqiptare dhe institucioneve të Shqipërisë në këtë proces.

Nuk mjafton një mesazh në rrjetet sociale i kryeministrit Rama për të quajtur të përfunduar misionin e Shqipërisë, por duhet shumë më shumë se sa kaq. Duhej angazhim diplomatik në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së, që sipas Nurellarit po akuzohen për krime të pakryera kurrë.

Në një proces ku po shkelen hapur të drejtat e njeriut, parimet e së drejtës që janë themeli i demokracive perëndimore, Nurellari flet për takimet me komandantët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, për mesazhe emocionale, detaje njerëzore të një historie të gjatë persekutimi në paraburgimin e Hagës.

Ai beson se komandantët e UÇK-së do të kthehen në shtëpi të pafajshëm, ashtu siç janë, sepse e drejta është me ta, sepse luftuan për lirinë e vendit të tyre nga një agresion i ashpër, siç ishte gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nurellari beson se kjo është beteja e fundit e UÇK-së, e një luftë ku ata nuk e kanë llogaritur kurrë jetën e tyre sepse dhjetëra herë e patën vdekjen aq afër. Ai beson se komandantët e UÇK-së do të kthehen të pafajshëm në Kosovë sepse nuk ka se si ky proces të përfundojë ndryshe, sepse nuk mund të barazohet viktima me agresorin.