
Partia Demokratike e Kosovës, vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat, e ka cilësuar si një qasje jo-serioze, sidomos në raport me kërkesën amerikane për shtyrjen e vendimit lidhur me këtë çështje për të paktën 10 muaj.
Qeveria e Kosovës me vendimin për gradacionin e implementimit për targat në tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj tabela provuese, sipas anëtarit të kryesisë së PDK-së, Bernar Nikaj, po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.
“Kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë vendimin për gati gjashtë muaj, duke u tërhequr nga vendimi i tij, por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në rraporet me ShBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar”, ka thënë Nikaj, në një konferencë për media.
Sipas tij Qeveria e Kosovës, mu në krye me Albin Kurti, po e shndërron Kosovën në palë destruktive dhe po e vë në pikëpyetje mbështetjen ndërkombëtare për vendin.
“Tani as nuk do të ketë targa RKS në veri ndërsa zyrtarisht ShBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë. Një situatë të tillë në raport me ShBA-në Kosova nuk e ka pasur asnjëherë në të kaluarën. Në kontekstin aktual gjeopolitik është e domosdoshme pjekuria shtetërore për të koordinuar veprimet me aleatët tanë ndërkombëtar”, është shprehur Nikaj.
Nikaj, më tej gjatë fjalimit të tij, ka kërkuar që ekzekutivi kosovar ta bëjë publike propozimin franko-gjerman për dialogun, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator.
“Qeveria duhet ta shpjegojë dhe të jetë transparente rreth asaj se çka përmban ky propozim. Duhet të marrë vendim dhe pozicion se cili është pozicioni i Qeverisë në raport me të. Ne përkrahim procesin e dialogut dhe çfarëdo rruge i cili sjell te një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen në qendër”, ka thënë Nikaj në një konferencë për media të shtunën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.
“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.
Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.
Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi.
“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Se me vendimin e Qeverisë së Kosovës ShBA-të kanë mbetur të zhgënjyer e ka përsëritur edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, këtë të premte, përkundër se Qeveria pranoi që ta zbus vendimin për targat dhe të mos shkojë me konfiskime të veturave, por me qortime e gjoba.
Blinken duke folur për mediumin The Pavlovic Today, në intervistë me gazetaren Ksenija Pavlovic McAteer, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, për ta shtyrë vendimin për 10 muaj.
Sigurisht BE dhe Amerika nuk perkrah njerez idjot si Osmani e Kurti qe jane dhe qeros dhe fodull.
Nuk e kanë thënë kot: "As gjarpërin mos e vraç me dorën e tjetrit"!
Nuk behet politika me kalamaj dhe naive...