
Nga Blerta Ahmeti
“Nga Bashkimi Evropian e panë çfarë ndodhi në korrik dhe thanë ‘o zot, kanë ndodhur luftëra për shkak të tokave, parave etj, dhe ja ku e kemi këtë situatë ku mund të nis luftë për tabela veturash’, prandaj u shqetësuan aq shumë dhe deshën që ta shtyjnë këtë çështje. Meqë ne amerikanët përkrahim evropianët, thamë edhe ne ta shtyjmë, sepse do na pengonte në drejtimin që duam të marrim”.
Kështu e ka shpjeguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, çështjen e targave kur u pyet në forumin e Sigurisë në Beograd, ku ishte në panel bashkë me Besnik Bislimin, në temën “Kosova dhe Serbia – T’i ikim rrugës pa krye”.
Por, kaq e thjeshtë nuk ishte për Qeverinë e Kosovës, meqë zotimi qeveritar ishte dhënë që pas dy shtyrjeve paraprake, nga 1 nëntori do fillojë konfiskimi i veturave me tabela ilegale që mbajnë inicialet e qyteteve të Kosovës.
Nga BE, SHBA e QUINT-i kishin kërkuar në vazhdimësi të shtyhet vendimi, por meqë ishte zotim qeveritar kryeministri Albin Kurti, vendosi që s’ka më shtyrje.
“Tashmë e kemi bërë shtyrjen”, pati thënë në një prononcim të shkurtër.
Si përfundim, tri ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, Kurti u bind.
Ai njoftoi në mbledhje të qeverisë se po e ndryshon vendimin duke e shkallëzuar atë.
Por, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gradacioni tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj të tjerë tabela provuese, ishte tepër pak dhe tepër vonë.
Prandaj, menjëherë kur veprimi i Kurtit u kuptua si mishërim i kërkesës ndërkombëtare dhe politikë pragmatike e tij, Departamenti i Shtetit Amerikan lëshoi komunikatë për media me tone të ashpra kritike për qeverinë.
“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar thirrjet për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhej.
Në sinkron, doli edhe një intervistë e shkurtër e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili replikonte kritikën dhe zhgënjimin e njëjtë.
Amerikanët kërkonin 10 muaj shtyrje dhe e kërkuan shumë më herët.
Kështu Kurti përfundoi edhe me shtyrje vendimi edhe me qortimin amerikan, sepse, siç thotë publicisti Halil Matoshi për Albanian Post, përkundër se qeveria ka bërë lojë semantike, “në realitet ky është emër tjetër për shtyrje të afatit për targat”.
Dhe pasi veç ndodhi, për Matoshin do të ishte më e udhës që të ndodhte ashtu siç sugjeruan amerikanët.
“Edhe pse Qeveria është në të drejtën e saj në këtë çështje të pastër ligjore, shumë më fer do të ishte që Qeveria të pajtohej me afatin e kërkuar nga aleatët tanë”.
E për më tepër, vëren Matoshi, “kjo zgjidhje e ndërmjetme mund të ketë sukses vetëm nëse ndërkohë Kosova e Serbia nënshkruajnë një Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”.
A i shuan tensionet shtyrja/modifikimi e/i vendimit?
“Vetëm përkohësisht”, thotë për Albanian Post, Rashit Qalaj, ish-drejtor i policisë, tani deputet i opozitës dhe një nga njerëzit që e njeh në detaje gjendjen e sigurisë në Veri.
“Do t’i ulë tensionet pra vetëm deri me datë 21 nëntor kur edhe parashihet gjobitja e qytetareve serbë në rast se në veturat e tyre hasen targat ilegale”, pohon ai, duke ditur se serbët në atë anë do kundërshtojnë çfarëdo gjobe.
Qalaj ka të drejtë. Nga Lista Serbe tashmë e kanë lëshuar një komunikatë për media ku bëjnë të qarta synimet e tyre për mosbindje ndaj këtij vendimi.
“Masa e parë e gjobës do jetë shkak për përgjigje të ashpër të popullit serb”, shkruajtën si njoftim në Facebook.
Zë u dha edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Janë gënjeshtra dhe demagogji të Kurtit e Bislimit”, tha ai.
Këto lloj qëndrime i di Qalaj, prandaj ai e ka të qartë edhe skenarin se si do të mund të vinte deri te rebelimi i serbëve në Veri.
“Në momentin kur një kundërvajtës gjobitet për posedim të targave ilegale, atij përpos gjobës duhet edhe t’i konfiskohen targat e qe kjo d.m.th veturat e tyre mbeten pa targa dhe si të tilla ato vetura pra duhet të largohen nga qarkullimi. Dhe këtu do të fillojnë problemet”.
Pse?
Sepse, shpjegon Qalaj, “shteti serb, Presidenti i Serbisë Vuçiç dhe strukturat politike e ato kriminale në Veri, do të bëjnë të pamundurën që serbët lokalë të rebelohen dhe të mos pranojnë këto veprime të Qeverisë së Kosovës, pra prapë do të kthehemi në pikën zero”.
Humbja e dyanshme
Për gjithë kohën sa ishte në opozitë, Kurti kishte kritikuar ashpër politikanët që pranonin kompromise. Ai thoshte se është i bindur që ndërkombëtarët në vetvete nuk kanë kërkesa për Kosovën, por janë kërkesat e Serbisë që përcillen përmes tyre dhe meqë Kosova s’ka të vetat për kundërvlerë, kërkesat serbe bëhen edhe kërkesa ndërkombëtare.
Ai besonte se e dinte mirë edhe pse politikanët detyrohen t’u binden këtyre kërkesave.
“Sepse janë të korruptuar”, deklaronte, pastaj bëhen edhe “të shantazhuar”.
Ai vetë i korruptuar s’ishte dhe prandaj as nuk do të shantazhohej, e për më tepër, do të kishte edhe ai shumë kërkesa për Serbinë kështu do të nivelizonte pozicionin edhe karshi ndërkombëtarëve.
Opozitari Kurti ishte i bindur se ndërkombëtarët nuk e dinë situatën, prandaj në momentin që do t’ua shpjegonte ai se si qëndron puna ata do e kuptonin anën e drejtë.
Tani në pushtet, Kurti nuk po mund ta implementojë një vendim për ta zbatuar ligjin në veri të Kosovës dhe gjithashtu, siç e tha edhe vetë, shkallëzimi i vendimit vinte si përgjigje e tij për shqetësimet e ndërkombëtarëve.
Për shkak të këtij qëndrimi të më hershëm dhe tash ndryshimit të pësuar, Kurti është kritikuar në rrjete sociale nga një pjesë e atyre që i kishte bindur se s’ka presion nga jashtë për politikanë të pastër. Një pjesë tjetër, e kanë kritikuar Kurtin se përse nuk reagoi më herët dhe po rrezikon partneritetin me aleatin më të besueshëm, Amerikën.
Në videon më poshtë është një sekuencë e Kurtit që kërkonte të dinte se “si duket ai presion ndërkombëtar”.
Saga – që po vazhdon – me targat
Ishin orët e para të mëngjesit së 20 shtatorit kur një kolonë autoblindash e njësiteve speciale të Kosovës u nis për në pikat kufitare në Veri – Jarinje dhe Bërnjak.
Detyra ishte që të asistohet Policia Kufitare e Kosovës, meqë kishin marrë një urdhër të ri nga Qeveria për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në lidhje me tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.
Kështu bënte Serbia prej kohësh dhe të njëjtën kishte vendosur ta bëjë edhe Kosova.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serbë të revoltuar nga këto masa, bllokuan të gjitha rrugët të cilat çojnë në këto dy pika kufitare.
Përveç prezencës së tyre fizike, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.
Kur u pa se vendimi i qeverisë nuk po kthehej prapa, u rrit edhe intensiteti i protestës.
Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngritën edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare që i kishin bllokuar.
Situata vazhdoi kështu për 10 ditë, derisa ndërkombëtarët ftuan të dy palët në bisedime në Bruksel, për t’i dhënë një zgjidhje problemit përmes dialogut.
Policia e Kosovës bashkë me njësitë speciale kontrollonin pikat kufitare të cilat kishin mbetur si ishuj, rrethuar me protestues serbë e rrugë të bllokuar me kamionë.
Derisa ndërronin turnet, policët ballafaqoheshin me ofendime e sharje nga protestuesit që ishin akomoduar nëpër tenda. Policia s’kishte të drejtë të reagonte dhe aq më pak të arrestonte dikë nga protestuesit.
Me 30 shtator, në orën 12:25 minuta, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, doli me një njoftim në Tëitter se “kemi marrëveshje”.
Besnik Bislimi, shef i grupit negociator për Kosovën në Bruksel dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviç, kishin arritur pajtim në tri pika.
Pika e parë thoshte se me 2 tetor barrikadat do të hiqen, derisa Policia e Kosovës do të zëvendësohet me forcat e KFOR-it. E dyta saktësonte se me 4 tetor do të fillojë regjimi i ngjitësve të bardhë që do të mbulonte simbolet e dy shteteve në targa dhe pika e tretë pohonte se brenda gjashtë muajve, në bisedime në Bruksel, do të gjendet një marrëveshje e përhershme për këtë problem.
Marrëveshja e arritur kishte lënë një zbrazëtirë.
Çfarë do të ndodhte me targat KM? Targa që në Kosovë janë ilegale, sepse prodhohen në Serbi me iniciale të qyteteve të Kosovës, nën qëndrimin e shtetit serb se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Meqë në Bruksel nuk u arrit asnjë marrëveshje më për të zgjidhur çështjen përhershëm, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të fillojë procesi i kalimit të targave nga KM në RKS dhe kjo do të bëhej brenda një afati.
Serbët që do t’i ndryshonin targat do të kishin disa lehtësira për regjistrimin e veturave të tyre dhe nuk do të paguanin për procedurën.
Vendimi i marrë nga Qeveria në mbledhjen e 85-të të saj, me 29 qershor 2022, jepte një muaj afat për procesin e zëvendësimit.
Vendimin qeveria e kishte marrë bazuar në parimin e reciprocitetit, prandaj përveç targave, do fillonte të aplikonte edhe lëshimin e një flete të bardhë për shtetasit serbë që futen në Kosovë, njëjtë siç kosovarët i pajisë Serbia kur futen në territorin serb.
Më 31 korrik në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh, serbët e Kosovës bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë-kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Qarkullimi sërish u bllokua dhe sërish u desh të kërkohet një zgjidhje në Bruksel.
U angazhua shumë edhe ambasada amerikane në Kosovë dhe në një konferencë të vonë për shtyp, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha se po kërkojnë nga Kosova edhe një muaj shtesë të afatit, pasi serbët në veri nuk ishin njoftuar si duhet për procesin e zëvendësimit të targave dhe kishte shumë dezinformata për këtë çështje.
Kosova pranoi. Me 30 shtator do fillonte implementimi. Por, kur u afrua kjo datë, ndërkombëtarët prapë kërkuan shtyrje.
Përsëri bisedime të gjata dhe përpjekje diplomatike dhe Kosova u bind ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave dhe mos-lëshimin e fletës së bardhë për shtetasit serbë, vetëm pasi Serbia u zotua se më nuk do të lëshojë të njëjtën as për qytetarët e Kosovës.
Aktualisht, ky dokument nuk lëshohet nga asnjëra palë, derisa targat KM vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, por me ngjitës.
Me 1 nëntor skadon afati dy mujor. Kosova, sipas zotimit të saj, dhe vendimit në mbledhjen e qeverisë, do të duhej të fillojë konfiskimin e veturave me targa KM.
Por, vendimi i ri i Qeverisë shtynë gjithçka për 21 prill të vitit të ardhshëm, nëse nuk ndodhë ndonjë zhvillim tjetër deri atëherë. (Albanianpost.com)
Lini një Përgjigje