Marrëveshja për dokumentet dhe reciprocitetin, Vuiçiç: Kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës

28 Gusht 2022, 10:10Rajoni TEMA

Marrëveshja për dokumentet dhe reciprocitetin, Vuiçiç:

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, e cilëson marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet e udhëtimit si një zgjidhje evropiane. Vuҫiq tha se me njohjen e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell pasditen e djeshme.

“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi Josep Borrell, duke e cilësuar këtë një zgjidhje evropiane.

Shefi i diplomacisë evropiane përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Zgjidhje evropiane

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi edhe të dërguarin e SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi Lajҫak në Twitter.

Dy emisarët e dialogut Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajҫak, gjatë kësaj jave, qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me udhëheqësit shtetërorë dhe ata partiakë për çështjen e dokumenteve dhe të targave dhe thanë se palët u zotuan se do të shmangin dhunën më 1 shtator, kur parashihej që të hynte në fuqi reciprociteti i Kosovës për dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi se “Reciprociteti është parimi që na bën të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes”.

Vuҫiq: Njohja e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, tha se pranimi i dokumenteve të udhëtimit të Kosovës nuk nënkupton që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, që është arritur në dialog më 2011, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq në një konferencë shtypi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  kishte deklaruar më parë, se  ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.

Sa u përket targave të makinave presidenti Vuҫiq tha se “ende nuk është arritur një marrëveshje me Kosovën, por se ende ka një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”./DW

 

 

 

3 Komente

  1. p
    pjeter

    Sic ka ndodhur shpesh,per syte e botes ,Vuçiç del ai qe shmangu tensionin,por per ate qe do te ndodhi nga data 1shtator e tutje,do vazhdojne tju nxjerrin probleme qytetareve te Kosoves qe do te kalojne neper Serbi me dokumente te Kosoves,kjo sepse Vuçic e do shume pushtetin,e per te ndenjur ne ate lloj pushteti, ka nevoje per rrethin e tij ultra nacionalist e qe nuk pranon faktin se,Kosova nuk egziston me brenda nje shteti serb, ky akord eshte sipas mendimit tim, sepse Kurti e vuri ne veshtiresi ne ate opinionin e brendeshem serb qe kane rreth Kosoves,e ne te njejten kohe, eshte nen presionin nderkombetar, e nen kontestin gjeopolitik aktual jo shume te favorshem per politiken aktuale serbe.Uroj te gabohem por, as kesaj radhe nuk do i respektojne dakordesite e arritura,do nxjerrin lloj e lloj arsyesh per ti penguar.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Martin

      Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës dhe Beogradit bëhet pikerisht ne zbatim te Rezolutes 1244 te Kombeve të Bashkuara dhe eshte ne favor te paqes ne Ballkanin Perendimor.

      Përgjigjjuni
      1. B
        Beno

        U dasht vendosmëria e Kryeministrit Kurti qe te detyroje Serbinë te pranoje reciprocitetin në mes dy shteteve. Ne gjuhën diplomatike Serbia u detyrua te njohur Kosovën si shtet te pavarur. Me habit fakti çfar kanë bërë Kryeministrat para Albin Kurtit ?! Rrespekt për Kryeministër Albin Kurti !

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje