Milojko Spajiç zgjidhet kryeministër i Malit të Zi, tre shqiptarë pjesë e kabinetit

31 Tetor 2023, 09:30Rajoni TEMA
Milojko Spajiç zgjidhet kryeministër i Malit të Zi, tre

Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, mëngjesin e të martës është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Në kabinetin e tij, do të jenë edhe tre shqiptarë, derisa njëri prej tyre, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj do jetë zëvendëskryeministër.

Spajiç në pozitën e kryeministrit do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in e Lëvizjes Qytetare “URA”, i cili së bashku me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe boshnjakët do jetë në opozitë.

Tanimë është bërë edhe ceremonia e pranimit-dorëzimit të detyrës..

“Siç diktojnë sjelljet demokratike, dorëzimi i detyrave u bë sot në mëngjes! I urova fat të mirë kryeministrit të ri dhe qeverisë së 44-të. Mali i Zi gjithmonë të llogarisë vetëm në suksese dhe të qëndrojë në rrugën e duhur”, ka shkruar Abazoviç në Facebook.

Lëvizja Evropa Tani si bartëse e koalicionit qeverisës do t’i ketë 9 ministri.

Ministrat nga PES janë Filip Ivanoviç (Punëve të Jashtme), Maida Gorçeviç (Punë Evropiane), Angjela Jakshiç Stojanoviç (Arsim, Shkencë dhe Inovacion), Novica Vukoviç (Financave), Filip Raduloviç (Transportit), Andrej Miloviç (Planifikimit Hapësinor, Urbanizmi dhe Pronave Shtetërore), Vojislav Simun (Shëndetësisë), Naida Nisiç (Punës dhe Kujdesit Social) dhe Sasha Mujoviç (Energjia dhe Miniera).

Nga ana tjetër, lideri i demokratëve Aleksa Beçiç, është Zëvendëskryeministër për Sigurinë, Politikën e Brendshme, Çështjet Evropiane dhe të Jashtme, ndërsa Momo Koprivica zëvendëskryeministër për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Kundër Korrupsionit.

Dragan Krapoviç është Ministër i Mbrojtjes, Vladimir Martinoviç është Ministër i Turizmit, Ekologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa Tamara Vujoviç është Ministre e Kulturës dhe Mediave.

Ministër i Punëve të Brendshme është Danilo Sraranoviç.

Boris Bogdanoviç ishte propozuar për pozitën e Ministrit të Brendshëm, por ai mbrëmë njoftoi se po tërhiqej “për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore të dy anëtarëve të familjes së ngushtë”.

Demokratët propozuan një tjetër kandidat për ministër të Punëve të Brendshme, Sharanoviç, nënkryetar aktual i Podgoricës.

Zëvendëskryeministri për Punë, Arsim, Shëndetësi dhe Çështje Sociale është Srdan Paviçeviç nga CIVIS.

Sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Xheka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Presidenti i Partisë Popullore Socialiste (SNP) Vladimir Jokoviç është Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, dhe Zëvendës Presidenti i PKSH Dragoslav Sçekiç është Zëvendëskryeministër për Demografinë dhe Ministër i Sportit dhe Rinisë.

1 Komente

  1. T
    Tropoja

    Ministri koti shaiptaret

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje