
Më shumë se 50 minatorë nga 600 sosh sa janë të punësuar në minierat e Belobërdës dhe Cërnacit kanë hyrë sërish në grevë sot në Komunën e Leposaviçit.
Kështu të paktën raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kossev.
Arsyeja kryesore e grevës në fjalë, sipas Kossev, është se të punësuarit në miniera duan të dinë se ku janë në këtë situatë, kur serbët po largohen nga institucionet e Kosovës.
Sipas tyre ata nuk dinë si të veprojnë, pasi askush nga zyrtarët serbë nuk ka dhënë asnjë informatë se si ata duhet të veprojnë.
Për këtë arsye, sipas Kossev, ata kanë kërkuar një takim me kryetarin tashmë të larguar të Komunës së Leposaviçit, Zoran Todiç.
“Ku jemi ne gjithë në këtë mes, a jemi me Serbinë apo Kosovën”, ka thënë një nga minatorët raporton Kossev.
Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Një gjë të tillë e kishte konfirmuar për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, zyrtari i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviç.
Ndryshe “Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.
Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.
Lini një Përgjigje