Ndryshimi i qëndrimit nga Vuçiqi për pjesëmarrje në Samitin e BE-së në Tiranë

5 Dhjetor 2022, 17:37Rajoni Ilirjana Hoti

 

Ndryshimi i qëndrimit nga Vuçiqi për pjesëmarrje në

Më 6 dhjetor, Tirana do të jetë mikpritese e Samitit ku do të marrin pjesë shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor konfirmuan më herët prezencën e tyre në këtë Samit, e njëjta gjë nuk ndodhi me shtetin serb. Madje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ngulm kishte deklaruar se nuk do të kishte përfaqësues të Serbisë në këtë Samit. 

“Askush nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor, udhëtoni si të doni, të gjithë nga Europa, të gjithë nga Ballkani Perëndimor, flisni se si fajin e ka Serbia për gjithçka” – kishte deklaruar Vuçiq më 2 dhjetor 2022.


Krejt kjo, për shkak se Vuçiq ishte shprehur i “zemëruar” ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, nga kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti.

“Emërimi i Rashiqit është i turpshëm, fjala më e butë që mund të përdoret. Ai njeri (Rashiq) fitoi më pak se një për qind në zgjedhje, ashtu si Rada Trajkoviq që ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe ndjekjen e serbëve nga Kosova. Nuk jam i sigurt se do të ketë një bisedë me komisionerin evropian (Oliver Varhelji) pas fjalëve të mia dhe vendimeve tona në ndërkohë” – kishte deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se me këtë janë shkelur jo vetëm normat e Marrëveshjes së Brukselit, por edhe e drejta ndërkombëtare publike.“Janë shkelur të gjitha parimet dhe normat demokratike, sipas të cilave dikush zgjidhet ose i ofrohet dikujt që ka marrë një numër të madh votash dhe jo atij që ka marrë një për qind të votave. Dhe nuk u intereson, sepse është në në përputhje me interesat e një fuqie evropiane dhe interesat që dikush duhet t’i zbatojë, dhe kundër serbëve” – theksoi Vuçiq.

Për emërimin e Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës ka pasur edhe një deklaratë nga BE.

“Është jetike që të gjitha emërimet në ministra të ndjekin Kushtetutën e Kosovës. Në këtë rast konkret, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të sigurojë që të ndiqen të gjithë hapat e nevojshëm procedural me rastin e emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë” – thuhet në deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Liderët serbë e kanë konsideruar të pamjaftueshme deklaratën nga BE në lidhje me emërimin e Nenad Rashiqit. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq e ka vlerësuar ‘të turpshëm’ reagimin e BE-së në lidhje me emërimin e Nenad Rashiqit.“Ne prisnim të shihnim se çfarë do të thoshte BE për emërimin e Rashiqit dhe morëm një deklaratë tjetër të turpshme” – tha Brnabiq.

Tri ditë pas deklaratës së Vuçiqit për mospjesëmarrje në Samitin e 6 dhjetorit që do të mbahet në Tiranë, ai ka ndryshuar qëndrim. Sot, para gazetarëve konfirmoi se do të shkojë në Tiranë dhe shtoi se mosshkuarja e tij do të ishte në dëm të Serbisë.

“Në rrugën për në Tiranë do të ketë shumë gjëra të mira për qytetarët tanë. Është e vështirë për mua kur është fjala për Kosovën ta kuptoj atë gjuhë për ‘të dyja palët’ dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Nuk jam i sigurt, por patjetër do të ketë disa përfitime nga shkuarja ime në Tiranë. Nëse nuk do të shkoja, sigurisht që do të kishte një dëm të madh për vendin tonë” – tha ai.

Sot për vizitë në Serbi ka shkuar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.Sipas një njoftimi në llogarinë e presidentit serb në instagram, me Lajçak ai ka diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

“Theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur për vazhdimin e dialogut konstruktiv, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të arritur kushte më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve” – ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Në anën tjetër, në Samitin që do të mbahet në Tiranë, Kosova do të përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo gjatë së shtunës kishte pritur në takim  ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. Ky takim sipas njoftimit të zyrës së presidentes, u realizua me qëllim të koordinimit më të mirë në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

Me këtë rast, Ambasadori Szunyog dorëzoi kopjen fizike të ftesës nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel për Presidenten Osmani, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në Samitin BE – Ballkani Perëndimor. Kallxo.com

Lini një Përgjigje