Skandal në Maqedoninë e Veriut: Marrin diplomat e juridikut, pa kryer studimet e plota

4 Dhjetor 2022, 19:40Rajoni TEMA

Skandal në Maqedoninë e Veriut: Marrin diplomat e juridikut, pa kryer

Nga Isuf Kadriu

REL

 

Afera e fundit me disa qindra persona, të cilët kanë dhënë provimin e jurisprudencës, pa i kryer studimet e plota në Fakultetin e Drejtësisë, edhe një herë ka vënë në shënjestër të kritikave sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se ky “skandal” edhe njëherë konfirmon “kapjen e gjyqësorit” nga partitë politike, por edhe kritikat e vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtare për gjyqësor të korruptuar dhe joefikas.

Kjo aferë ndodhi në kohën kur dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë në ditët në vijim duhet të raportojnë në Bruksel mbi harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian, si pjesë e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar informacionet në media se 449 të diplomuar në studimet trevjeçar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, me vendim të drejtuesve të këtij dikasteri nga viti 2008 deri në vitin 2012 kanë mundur të japin edhe provimin e jurisprudencës. Kjo u mundëson atyre të punojnë si avokatë, gjyqtarë e prokurorë.

Sipas ligjeve në fuqi, provimit të jurisprudencës mund t’i nënshtrohen vetëm të diplomuarit në studimet katërvjeçare apo që kanë arritur 240 kredi, por jo edhe ata me programin trevjeçar të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë.

Në mesin e atyre që e kanë dhënë këtë provim është edhe djali i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, që edhe ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, tha se një zyrtar, pa specifikuar emrin e tij, ka shfrytëzuar të drejtën e diskrecionit duke i dhënë mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës.

Këtë e kanë lejuar edhe anëtarët e komisionit të këtij provimi shtetëror.

“Nuk bëhet fjalë për një rast, por më shumë. Në këto raste është aplikuar e drejta e diskrecionit të një zyrtari të emëruar. Për këtë është ndryshuar ligji që të mos ketë mundësi në të ardhmen të përdorë këtë të drejtë. Unë jam tani 10 muaj ministër dhe as që e kam menduar që dikush ta japë para kohe provimin e jurisprudencës”, deklaroi Tupançevski.

Në periudhën kur kjo është mundësuar, ministër i Drejtësisë ka qenë Adnan Jashari, i emëruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Pagesa për dhënien e këtij provimi varionte nga 3 deri në 5 mijë euro dhe provimi jepej në formë elektronike, pa një kontroll të mirëfilltë mbi kandidatët.

“Është shumë e pakëndshme kur dëgjon se persona të caktuar janë bërë gjyqtarë apo prokurorë në mënyrë të paligjshme apo të privilegjuar”, thotë ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Lazar Nanev.

“Jam vërtet i zhgënjyer nga ajo që kemi dëgjuar ditëve të fundit për mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës, por edhe për mënyrën e përfshirjes në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë. Kjo është e tmerrshme. Kjo tregon se sistemi i vetërregullimit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies nuk funksionon. Kjo do të thotë se vetë parimi i shtetit ligjor vihet në pikëpyetje”, thotë Nanev.

Për këtë skandal ka pasur denoncime edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Kryetarja e këtij komisionit, Biljana Jovanovska, ka thënë se e drejta e diskrecionit që është shfrytëzuar nga ministrat e Drejtësisë, paraqet bazë për korrupsion.

Ajo thotë së për rastin është biseduar, porse nuk ka një mekanizëm apo qendër hetimi për të vepruar dhe se këtë duhet ta bëjnë organet tjera duke publikuar listën e të gjithë personave që e kanë kaluar këtë provim në mënyrë të jashtëligjshme.

Arif Musa, ish-anëtar i këtij komisioni kundër korrupsionit thotë se burimi i gjithë këtij skandali qëndron te politika, e cila, sipas tij, bën gjithçka që të ketë nën kontroll çdo punonjës të pushtetit gjyqësor.

“Në këshillin e prokurorëve dhe në këshillin e gjyqtarëve përzgjedhja është bërë nga politika. Ata që janë zgjedhur nga rruga, nga politika, pra të dëgjueshmit janë vendosur në pozita që të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata bëjnë përzgjedhjen e atyre që janë për dëshirën e politikës".

"Kur kemi një përzgjedhje të tillë, atëherë edhe politika përfshihet në korrupsion për shkak se e di se pasoja nuk do të ketë. Dhe, kur paramendoni kur një prokuror ose gjykatës emërohet nga politika, ai jo vetëm që do të bëjë siç thotë politika, por paramendoni se sa i korruptuar do të jetë edhe atje ku nuk vendos politika”, thotë Musa.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është në nivelin më të ulët të mundshme, thotë Goce Kocevski, nga Shoqata e Juristëve të Rinj.

Sipas tij, “aq shumë janë përmendur reformat, aq shumë është folur për veting, aq shumë është folur për efikasitet dhe gjyqësor të pavarur, por fatkeqësisht jo që nuk është bërë gjë, por ky sistem ka vazhduar të fundoset”.

“Besimi në gjyqësor te ne është degraduar deri në atë shkallë saqë çfarëdo lëvizje që ndodh në këtë sferë, hedh dyshime se përgatitet ndonjë aferë korrupsioni apo lojëra politike për qëllime të caktuara. Ne nuk fillojmë nga zeroja, por shumë më poshtë se kaq. Besimi në këtë pushtet është rrënuar dhe çfarëdo që bëhet nuk ka asnjë kuptim pasi gjithçka lidhet me korrupsion”, thotë Kocevski.

Para kësaj afere, pushteti gjyqësor ishte në shënjestër të kritikave lidhur me zgjedhjen e prokurorit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, në veçanti për dyshimet se ka lidhje me zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë.

Lidhur me zgjedhjen tij kanë reaguar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

“Ajo që presim nga prokurori i ri është që të vazhdojë punën e tij me vendosmëri dhe profesionalizëm, në mënyrë identike siç e presim në të gjithë segmentin e shtetit të së drejtës. Ekziston një shqetësim i shprehur dhe serioz publik për procesin e përzgjedhjes së tij. Është shqetësuese, por ajo që presim është që Prokuroria të japë rezultate”, ka deklaruar ambasadori i BE-së, David Geer.

4 Komente

  1. R
    Raqi

    Shihni shume vete qe kane marre mastering dhe jane ti pedagoge ne Shqiperi nga Maqedonia e Veriut pa vajtur asnje dite ne shkolle por vetem kur ju kane dhe parate Verifikoni dipllomat e marra ne Tetove

    1. !
      !?

      Eshte nje e vertet e madhe kudo ku ka shqiptar ne administrat ka korupsion, nuk respektojn ligjet mendja i punon vetem per te perfituar padrejtesisht thjeshte muabeti komb pordhac e teper grindavec.

      1. O
        Ortega

        Sllavët janë konkurrentë dinjitozë, pa diskutim.

      2. O
        Ortega

        SA GJYKATËS, POKURORË, AVOKADO injorantë ka në FYROM, nuk mund të imagjinoni. Flas nga përvoja 10 - vjecare. Gjykatës që nuk kanë zotësi të argumentojnë një vendim të thjeshtë, rreth një cështjeje problematike të thjeshtë. As që kanë lexuar, as që po korrigjohen, kanë fjalorë gjuhësor e juridik në nivel papagajësh, kopiatorë, matrapazë e monopolistë pazaresh "juridike". Zyrat e "biznesit", zakonisht i kanë në kafenetë rreth ambienteve të godinave...ku punojnë e harrin lekë nga hallexhinjë e kriminelë

        Lini një Përgjigje