Policia e Kosovës ka zgjeruar listën e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë që ndodhi mesditën e 9 gushtit në Gjilan. Pas kërkesës për arrestimin e Mefail Shkodrës, tashmë janë shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra.
Sipas njoftimit zyrtar, publikimi i fotografive të tyre është bërë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Policia u bën thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tyre, të raportojë menjëherë në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, në email-in [email protected] ose në numrat kujdestarë 038 504 504 7299 dhe 038 504 504 7201.
Mefail Shkodra, i njohur edhe nga e kaluara për raste të fajdes, u përmend në raportimet fillestare të policisë si i dyshuar kryesor në ngjarjen e rëndë, ndërsa tashmë hetimet po zgjerojnë rrethin e të dyshuarve edhe tek familjarët e tij më të afërt.
Lini një Përgjigje