
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, kanë kërkuar nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian që në mënyrë urgjente të kërkojnë debat për Ballkanin Perëndimor.
Kjo kërkesë nga këto shtete ka ardhur pasi sipas tyre situata gjeopolitike është duke pasur ndryshime.
“Përderisa vetëm disa javë kanë kaluar nga diskutimi ynë i fundit për Ballkanin Perëndimor, situata gjeopolitike ka përjetuar një ndryshim të madh për shkak të agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës”.
“Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh pozitën kyçe strategjike si rajon i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së”, thuhet në letër, raporton Radio Evropa e Lirë.
Edhe kryediplomatët e pesë shteteve të Bashkimit Evropian e kanë vlerësuar vizitën që Borrell bëri në mars në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë, vizitë që sipas tyre është dëshmuar përkushtimi i fuqishëm i bllokut evropian për Ballkanin Perëndimor.
“BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të parandalojë efektet dëmtuese të sulmit ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Për këtë është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japim një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE-“, thuhet në letër.
Gjithashtu, ministrat kanë kërkuar që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
“Duhet të kemi një pikëpamje të re ndaj çështjeve si nisja e shpejt e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjetjen e rrugës për përshpejtimin e negociatave, që janë në vazhdim e sipër, të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, të avancojmë me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të mbështesim konsolidimin e unitetit të Bosnjë e Hercegovinës që të marrë statusin kandidat”, kanë shkruar pesë ministrat e Jashtëm të BE-së.
Kërkesë tjetër në këtë letër ka qenë që të rritet bashkëpunimi praktik me shtetet e Ballkanit.
Gjithashtu, këtyre shteteve t’u jepet ndihmë me qëllim që të përballen me pasojat ekonomike që ka shkaktuar agresioni rus, në veçanti në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe prodhimeve të tjera.
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen më 11 prill në Luksemburg.
Akoma nuk është bërë e ditur nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendosen në rend të ditës, kjo pasi situate aktuale në Ukrainë dhe krimet e pretenduara të forcave ruse, kërkojnë që fokusi i ministrave të jetë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
Shtetet e BE-së dhe deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar që Ballkani Perëndimor të jetë në fokus për shkak të rrezikut të ndikimit të Rusisë në rajon dhe mundësisë që të ketë përshkallëzim të tensioneve.
Te anetaresosh Serbine ne BE eshte njesoj si te futesh gjarperin ne gjji.