Putini i vogël refuzon të quhet “Putini i Vogël”

12 Gusht 2022, 18:41Rajoni TEMA

Putini i vogël refuzon të quhet “Putini i Vogël”

Nga Jon Haxhiu

Lidhjet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Moskën ngrenë dilema të sikletshme pasi Kremlini duket se po nxit trazira në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, raporton The New York Times, duke shtuar se Vuçiç është ngopur duke u sharë si një “Putin i vogël”, në lidhje me Kosovën.

Edhe në raportin e New York Times, Vuçiç vuri në dukje me hidhërim se “unë jam gati dy metra i gjatë”, duke aluduar nw pasaktwsinw e mbiemrit qw i vihet si “i vogli” Putin.

Megjithatë, shkruan New York Times, pas mendjemadhësisë së zotit Vuçiç ndaj shtatit fizik, fshihet një pyetje serioze që mundon Ballkanin dhe preokupon diplomatët perëndimorë: A është Rusia, e zhytur në një luftë brutale në Ukrainë, duke përdorur Serbinë për të nxitur ndarjen në Evropë dhe për të provokuar ringjalljen e konfliktit në ish-Jugosllavi, për të larguar NATO-n nga beteja që po ndodh në Ukrainë?

Kjo dilemë u ngrit kur një mosmarrëveshje mbi targat mes Serbisë dhe Kosovës çoi në protesta të padisiplinuara, bllokime rrugësh dhe të shtëna me armë zjarri – duke ndezur kambanat e alarmit, shkruan NYT.

“Trazirat në Kosovë dhe tensionet në Bosnjë dhe Hercegovinën e afërt të shkaktuara nga Milorad Dodik, lideri luftarak, i mbështetur nga Moska i etnisë serbe atje, dhe nga nacionalistët kroatë të linjës së ashpër kanë çuar në paralajmërime se Rusia po përpiqet të nxisë tensionet, të cilat janë të qeta, por që nuk janë zgjidhur realisht, nga luftërat ballkanike të viteve 1990”, thuhet në artikull.

“Rusia llogarit se sa më shumë kohë Perëndimi të kalojë duke qetësuar Ballkanin, aq më pak kohë do të kalojë në oborrin e shtëpisë së Rusisë. Por ka kufizime se çfarë mund të bëjë Rusia. Ajo ka nevojë për elitat lokale dhe ato nuk duan të sakrifikohen për interesat ruse”, tha Vuk Vuksanoviç, një studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Kurse, ambasadori i Amerikës në Serbi, Christopher R. Hill tha se Rusia, është duke ofruar vetëm “shantazh ekonomik” dhe “kaos në të gjithë rajonin”.

“Pavarësisht ndikimit të Rusisë në sektorin energjetik të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve të saj për të përhapur dezinformata, serbët kanë vendosur që e ardhmja e tyre është me Evropën dhe Perëndimin”, shtoi Hill.

Mediat ruse dhe llogaritë e mediave sociale kanë nxjerrë për muaj me radhë raporte provokative të serbëve në Kosovë dhe Bosnje që vuajnë shtypje të patolerueshme.

Këto raporte, të cilat kryesisht përsërisin propagandën ruse për vuajtjet e rusëve etnikë që jetojnë në Ukrainë, kanë trimëruar nacionalistët serbë të linjës së ashpër, pro-Moskës.

Slavisha Ristiç, ish-kryetari i Zubin Potokut, qytet i banuar nga shumicë serbe, tha se ai kurrë nuk do të vendoste vullnetarisht targat e Kosovës në makinën e tij sepse kjo do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, diçka që pothuajse të gjithë serbët, përfshirë presidentin Vuçiç, nuk mund ta pranojnë.

Borko Stefanoviç, një kundërshtar Vuçiç (nënkryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi SSP) i cili kryeson komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit serb, tha se çështja e targave të makinave ishte “aq e vogël sa është absolutisht qesharake”.

“Por,” shtoi ai, “këtu në Ballkan, gjëra të tilla simbolike kanë një rëndësi të madhe”.

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, shkroi në Twitter se kishte folur me Vuçiç-in për shpërthimin në Kosovë, duke deklaruar se aleanca, e cila drejton një mision paqeruajtës në Kosovë, “është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”.

Gjithashtu, ambasadori Hill ka bërë thirrje për qetësi. Në një intervistë në Beograd, kryeqyteti serb, Hill tha se ndërsa ai e konsideronte të pamundur konfliktin e armatosur, ai i kishte thënë Vuçiç-it: “Luftërat kanë filluar për territor, paratë, madje edhe për një grua të bukur. Por kjo do të ishte lufta e parë që kam dëgjuar ndonjëherë, që filloi për targa.

Shtetet që dikur ishin në ish-Jugosllavi përsërisin në një shkallë më të vogël forcat në Ukrainë: një hegjemon rajonal, në këtë rast Serbia, që vlon mbi territorin e humbur dhe farefisi i shpërndarë etnik; dhe një tërheqje gjeopolitike mes Rusisë dhe Perëndimit, raporton The New York Times.

Një ligjvënës i lartë nga partia e Vuçiç, Vladimir Gjukanoviç, ka kapur idenë e Serbisë si një shtet që “do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit”, një jehonë e qëllimit të Rusisë në Ukrainë dhe idealit të një “Serbie të Madhe” si në vitet 1990.

Vuçiç, i cili e foli publikisht për deklaratën e Gjukanoviç, tha se është “idioteske” dhe “e papërgjegjshme”.

“Ne kemi vendin tonë. Ne nuk jemi të interesuar të zgjerojmë kufijtë tanë dhe të futemi në ndonjë luftë me fqinjët tanë”, shtoi Vuçiç.

Ministria e Jashtme ruse i hodhi benzinë ​​zjarrit të Kosovës javën e kaluar duke akuzuar “radikalët” shqiptarë për përpjekje për të dëbuar serbët nga territori i Kosovës dhe për provokim të trazirave “për të nisur një skenar të dhunshëm”.

New York Times vëren se Putin ka përmendur vazhdimisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në mbështetje të ndarjes së Kosovës nga Serbia në vitin 1999 si një justifikim për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, për të cilin ai pretendon se është për të mbrojtur rusët në Donetsk dhe Luhansk.

“Putin-i po i përdor dhe po mëson me zgjuarsi nga gabimet tuaja, të cilat ju nuk do t’i pranoni kurrë”, tha Vuçiç, duke iu referuar Perëndimit.

Shumica e vendeve perëndimore e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por shtetet e tjera, duke përfshirë Serbinë, Rusinë, Kinën dhe pesë shtete evropiane nuk e njohin.

“Kosova për Rusinë është investimi i përsosur me kosto të ulët”, tha Vuksanoviç, studiuesi me bazë në Beograd. Megjithatë, shtoi ai, kapaciteti i Rusisë për të bërë ligësi në Ballkan është kufizuar rëndë nga lufta në Ukrainë.

Merrni për shembull Dodik-un. Duke u mburrur për mbështetjen e fortë nga Rusia, udhëheqësi serb i Bosnjës provokoi një krizë potencialisht të dhunshme në fund të vitit të kaluar me një zotim për të krijuar ushtrinë e tij etnike serbe dhe për t’u shkëputur efektivisht nga Bosnje-Hercegovina, raporton New York Times.

Megjithatë, në prill, dy muaj pas luftës në Ukrainë, Dodik papritmas njoftoi se po i shtynte planet e tij“. Ai shikoi Ukrainën dhe pa se si Perëndimi reagoi ndaj Rusisë. Ai e kuptoi se duhej t’i zbuste qëndrimet”, tha Vuksanoviç.

Teksa Rusia është akuzuar gjerësisht për inkurajimin e ambicieve të Dodik-ut, diplomatët në rajon e vlerësojnë Vuçiç-in se ka ndihmuar në frenimin e tyre, raporton The New York Times.

Vuçiç tha se ai kishte folur me Dodik-un për projektin e tij, por nuk pranoi të thoshte se çfarë i kishte thënë. “Serbia ka mbështetur gjithmonë integritetin territorial të Bosnjës” siç përcaktohet nga marrëveshja e paqes e Dejtonit të vitit 1995, ka thënë Presidenti i Serbisë.

Vuçiç tha se ai nuk kishte asnjë lidhje me protestat e fundit për targat në veri të Kosovës, duke thënë se serbët atje ishin “100 për qind të lodhur”, veçanërisht me refuzimin e qeverisë kosovare për të zbatuar pjesët kyçe të marrëveshjes së vitit 2013.

Nën shtresat e intrigave dhe grindjeve politike lokale, megjithatë, një gjë duket e qartë: “Ne jemi kapur në një luftë prokure si Ukraina, vetëm në një shkallë shumë më të vogël”, tha Stefanoviç.

Kjo luftë, ankohet Vuçiç, e ka vënë vendin  e tij në një vuajtje të dhimbshme, të ndrydhur mes varësisë nga Rusia për energji dhe mbështetjen diplomatike ndërkombëtarë mbi Kosovën dhe kërkesën nga fuqitë perëndimore që të bashkohet në përpjekjet për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

“Unë marr presion prej tyre çdo ditë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha Vuçiç. Kjo, shtoi ai, nuk do të ndodhë, të paktën jo derisa aplikimi i ngecur 13-vjeçar i Serbisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian të rritet me shpejtësi, raporton The New York Times, duke vënë në dukje se, sipas një sondazhi të fundit, më shumë se 80 për qind e serbëve kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë.

Për tërbimin e Moskës, Serbia në mars mbështeti një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që kërkonte që Rusia të ndalonte pushtimin e saj, një votim që çoi në një zhurmë nga nacionalistët radikalë serbë, të cilët e quajtën Vuçiç-in “tradhtar”, shkruan New York Times.

Por, refuzimi i Serbisë për të zbatuar sanksionet u ka dhënë municion atyre që e shohin presidentin serb si një kukull ruse.

Duke vënë në dukje se Serbia “mbetet i vetmi vend në Evropë që refuzon të sanksionojë Rusinë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prill e quajti Vuçiç-in, “Putini i vogël i Serbisë”. “Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më të kërcënuara”, shtoi Kurti.

Vuçiç hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit të Kosovës.

“Kurti dëshiron të jetë një ‘Zelenski i vogël’ që lufton ‘Putinin e vogël’”, tha Vuçiç, duke iu referuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ky është tregimi i tij – se Vuçiç është një nacionalist i tmerrshëm që dëshiron të luftojë kundër të gjithëve”.

2 Komente

  1. Çekiçi

    Putini i vogel është Albini Janë vllëzer nga gjaku sllav dhe nga ideologjia komuniste më motren Vjosë

    1. K
      Koqovari

      Sakt z. Çekiç, përgjigjje brilante.

      Lini një Përgjigje