“Të keqtrajttuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor

30 Tetor 2022, 18:40Rajoni TEMA

 

“Të keqtrajttuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit

Nga Doruntina Baliu

REL

“Borxhi, ditë të mira nuk pret”, thotë duke ofsharë Milaim Zariqi nga fshati Baincë i Drenasit - pjesa qendrore e Kosovës.

Ai është babai i Sokolit, 14 vjeç, i cili vuan nga sëmundja distrofi muskulare dhe është pothuajse i palëvizshëm.

Me Ligjin për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Kosovë, Sokolit i takon një mbështetje financiare prej 375 eurosh në muaj.
Çfarë parasheh Ligji për paraplegjikët dhe tetraplegjikët?
Sipas përkufizimit në ligj, “paraplegjikë quhen personat, të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së ekstremiteteve (gjymtyrëve) të poshtme, ndërsa tetraplegjikët janë personat, të cilët kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së gjymtyrëve të poshtme dhe të epërme”.

Ky ligj ka rregulluar kompensimin monetar për këta persona në dy grupe, të cilat i vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës.

Nëse kategorizohet në grupin e parë, një person mund të marrë deri në 375 euro kompensim në muaj - 150 euro për vete, 150 euro për shoqëruesin dhe 75 euro si pako sanitare dhe pajisje shtesë.

Grupi i dytë, ndërkaq, ka kompensim prej 150 eurosh, pasi llogaritet se këta persona nuk kanë nevojë për shoqërues apo pako sanitare.

Personat e grupit të parë duhet t’i nënshtrohen rivlerësimit nga komisioni çdo pesë vjet, ndërsa ata të grupit të dytë çdo tre vjet.
Duke qenë në kategorinë e parë të invaliditetit, Sokoli ka gëzuar këtë pension nga viti 2017 dhe në qershor të këtij viti i është dashur t’i nënshtrohet rivlerësimit të rregullt të gjendjes së tij nga komisioni shëndetësor.

“Ne nuk e kemi ditur kohën saktësisht [se kur fillon procedura e rivlerësimit]. Kur kemi shkuar ta marrim pensionin, na kanë thënë: jo, s’e ke”, rrëfen babai i Sokolit për Radion Evropa e Lirë.

Për pesë muaj, Sokoli ka mbetur pa pension.

 

Ndërkohë, babai i tij është dashur të mbledhë një grumbull dokumentesh për të - fillimisht nga autoritetet shëndetësore në rajonin ku jeton dhe më pas nga Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - që dëshmojnë se pacienti ka specifika mjekësore që kërkojnë mbështetje financiare.

Pas mbledhjes së këtij dokumentacioni, Sokoli është dashur të paraqitet para komisionit vlerësues mjekësor, që e cakton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Komisionet e tilla mblidhen në shtatë rajone të Kosovës.

Milaimi thotë se, gjatë kësaj kohe, i është dashur të udhëtojë për në Prishtinë bashkë me djalin së paku tri herë, ndërsa vetë edhe më shpesh.

“Njëqind e njëzet euro është dashur t’i gjej diku se nuk kam pasur, për të shkuar në komision... se 40 euro kushton taksi [nga Drenasi në Prishtinë]”, tregon ai.

Këto procedura, sipas tij, janë të tepërta, sidomos kur kihet parasysh “gjendja e rëndë shëndetësore e djalit” dhe “kushtet e rënda ekonomike” në të cilat jeton.

“Shkon në komision... ‘jo, nuk e ke këtë; jo, duhet edhe një dokument’. Maltretimi i tyre po kushton. Një udhëtim i tillë, atë [djalin] e dobëson”, thotë Milaimi, baba i vetëm i dy fëmijëve binjakë.

Si shoqërues i Sokolit, ai nuk punon.

Me zërin që i dridhet, tregon se i duhet të gjejë forcë të kujdeset për fëmijët, edhe pse, siç thotë, ka kaluar shumë tragjedi familjare.

Fëmija i parë që Milaimi dhe bashkëshortja e tij kishin pasur në vitin 1995, vdiq më 2010, pasi vuante po ashtu nga distrofia muskulare.

Më 2019, Milaimit i vdiq edhe bashkëshortja nga sulmi në tru.

“Krejt Kosovës i jap pasuri vetëm të ecë ai [djali]. Nuk do të doja asnjë pension dhe do të kisha punuar vetë”, thotë Milaimi.

Lini një Përgjigje