Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, arrestohet një person

5 Gusht 2025, 19:13Rajoni TEMA
Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, arrestohet një person

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut njoftoi arrestimin e një personi dhe intervistimin e disa të tjerëve pas thirrjeve raciste e antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani, më 2 gusht në Kumanovë.

I arrestuari, S.M. (30) nga Kumanova, dyshohet se tentoi të sillte një banderolë fyese gjatë pushimit të ndeshjes. Ministria e Brendshme paralajmëroi masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje dhe theksoi se gjuha e urrejtjes nuk do të tolerohet në asnjë aktivitet sportiv.

“Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut apelon për tifozeri të ndershme dhe sportive, dhe çdo fyerje do të sanksionohet ashpër. Ministria e Brendshme apelon të gjithë qytetarët dhe anëtarët e grupeve të tifozëve që të bëjnë tifozeri për sportistët e tyre të preferuar, por në mënyrë sportive, ekskluzivisht në frymë sportive, pa gjuhë urrejtjeje, pa asnjë fyerje të bazuar në përkatësi personale, etnike, fetare ose ndonjë përkatësie tjetër që nuk është e përshtatshme për gara sportive dhe është në kundërshtim me ligjin.

Në lidhje me ndeshjen e basketbollit që u zhvillua më 02.08.2025 në Pallatin e Sporteve në Kumanovë, disa të dyshuar tashmë janë thirrur në Departamentin e Policisë së Kumanovës dhe është kryer një intervistë zyrtare, dhe pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë dhe ndjekje penale. Sot, oficerët e Departamentit të Policisë së Kumanovës e privuan nga liria S.M. (30) nga Kumanova, i cili dyshohet se është përpjekur të sjellë një banderolë me përmbajtje fyese gjatë pushimit të një ndeshjeje basketbolli. Pasi të sqarohet plotësisht rasti, kundër tij do të ngrihet një padi përkatëse.

Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme thekson edhe një herë se në kuadër të sigurimit të garave sportive paqësore dhe të pandërprera, policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze në lidhje me çdo shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht çdo thirrje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike ose fetare, dhe kjo do të sanksionohet në mënyrën më të ashpër, pa asnjë tolerancë. Vetëm brohoritjet e ndershme sportive mund të na sjellin sukses, fitore dhe gëzim sportiv”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Nga një pjesë e tribunës u dëgjuan mesazhe të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, në prani edhe të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe delegacionit qeveritar. Mickoski reagoi më vonë duke dënuar thirrjet, por tha se “nuk i kishte dëgjuar” gjatë kohës që ndodhej në sallë.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, ku është cilësuar si një sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë.

3 Komente

  1. B
    Bato

    Do ta kaloni sikur ska ndodhur gje. Thirrini mendjes!

    Përgjigjjuni
    1. T
      Teuta

      Vetem nje person?!

      Përgjigjjuni
      1. b
        bashkimi per drejtesi

        Sa të pa skrofull e të pafytyrë kjo qeveri e VRMO - VLAN . Fyerje e shajnë dh shprehin armiqësi të skajshme - fashiste nga mbi një mijë vete burgoset NJË dhe ai me gjasë nuk do të mbaj burg! TURP për VLAN që qëndron përkrah shfaqjeve të apard’hejdit shovinistë Maqedonase. Nuk janë shqiptarë nuk janë ata që heshtin pas këtij skandali armiqësor sepse nga këto lindin krizat dhe luftërat.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje