Gjatë bisedës në episodin e 49-të të Apostrof Podcast, Vjosa Musliu ofron ndër të tjera edhe një kritikë të mënyrës se si shoqërive të pasluftës, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, iu kërkua ta riinterpretonin traumën e tyre përmes gjuhës.
Duke reflektuar mbi librin e saj të fundit, “Girlhood at War: Interpreting War and Liberation in Kosovo”, Musliu foliu për atë çfarë ajo e cilëson si një “eksperiment shumëkuptimësie”, që shpesh iu imponohet shoqërive të sapodala nga lufta. Sipas saj, ky lloj ambiguiteti nuk ishte i rastësishëm, por pjesë thelbësore e përpjekjes së Perëndimit politik për të ndërtuar paqen pas luftës.
“Ajo çfarë pastaj u eksperimentua në Kosovë edhe në Bosnje-Hercegovinë, por edhe në vende të tjera jashtë Europës, ka qenë ky lloj ambiguiteti. Kjo lloj, jo vetëm dykuptimësie, por shumëkuptimësie e fakteve historike, e përjetimeve historike, të cilat siç bëhet e qartë edhe në libër, janë spektre jashtëzakonisht dhunuese dhe të dhunshme për njerëzit të cilët e kanë përjetuar luftën.”
Kjo lloj shumëkuptimësie, argumenton Musliu, ishte tejet dhunuese për ata që e kishin përjetuar luftën. Ajo kujton se si në moshën 14-15-vjeçare, u përzgjodh të merrte pjesë në trajnime të organizuara nga ndërkombëtarët me synimin për të ndërtuar një “Kosovë multietnike të pasluftës.” Ndonëse në letër programe të tilla promovonin pajtimin, në praktikë thotë ajo, funksionin si një formë e dhunshme bindjeje.
“Pra, kur ne si 14-15 vjeçarë, përzgjidheshim për të shkuar në këto trajnime se si të ndërtojmë një Kosovë multietnike të pasluftës, ishte sigurisht një raport jashtëzakonisht i dhunshëm, jashtëzakonisht përçudnues, sepse ty po të thuhej në kohë reale, që ajo çfarë ka ndodhur nuk është aq traumatike,” shprehet Musliu, ndërsa shton se një nga lëvizjet e para ishte linguistike, duke zhdukur përdorimin e fjalës luftë.
“Flitej në shumicën e rasteve për konflikt. Ishte një konflikt, dhe unë e ti mund të kemi një konflikt nëse një libër lexohet më mirë në formë fizike ose online, mund të kemi një konflikt konceptual për këtë, por lufta është diçka krejt tjetër edhe ka aspekte fizike të prekshme krejt të tjera.”
Ajo argumenton se, duke e rikonturuar luftën si konflikt, praktikisht u përpoq të fshihej një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e dhunës që kishte ndodhur, veçanërisht dhuna e organizuar dhe sistematike e aparatit shtetëror serb.
“Konflikti ia heq një pjesë të madhe të dhunës, e cila është dhunë e orkestruar, është dhe dhunë në të cilën ti mundesh të gjesh lehtësisht linja komanduese, përgjegjësi shtetërore dhe institucionale. mendoj se dhe unë si e re, pastaj edhe si subjekt intelektual, më vonë që u mora po me këtë fushë, më është rikthyer gjithmonë ai lloj konfrontimi, sepse është sigurisht e qartë edhe bëhet e qartë edhe në libër që, si 15-vjeçare ti nuk ke as njohurinë intelektuale, po as përvojën jetësore t'i kundërvihesh disa prej atyre narrativave, pavarësisht se ti e sheh që trupi jot po të reagon ndaj një sërë përdhunimesh intelektuale, emocionale të asaj çfarë ne veç sa kishim kaluar.”
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Kujtimet e një fëmije përballë “paqes” së të rriturve | Vjosa Musliu | Apostrof #49