A mund të rigjenerohen qelizat e zemrës pas një ataku kardiak?

6 Maj 2022, 13:45Shëndeti TEMA

A mund të rigjenerohen qelizat e zemrës pas një ataku kardiak?

Një ekip ekspertësh nga Kolegji Mbretëror i Londrës arriti të rigjenerojë qelizat e zemrës të dëmtuara nga një atak kardiak në zemrën e një kafshe, duke përdorur teknologji të ngjashme me atë të vaksinave anti-Covid të kompanive Moderna dhe Pfizer.

Nëse rezulton efektiv edhe te njerëzit, ky trajtim do të jetë vërtetë revolucionar. Shkencëtarët kanë identifikuar molekula të vogla të ARN-së (të quajtura mikroARN), që janë të afta të prodhojnë proteina, të cilat stimulojnë rritjen e qelizave të reja të shëndetshme të zemrës, duke shmangur ngurtësimin e plagëve. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën “Current Opinion in Genetics & Development”.

Qelizat e rigjeneruara
Një atak kardiak shkakton plagë në zemër, të cilat me kalimin e kohës ngurtësohen dhe e pengojnë qarkullimin e duhur të gjakut, duke rritur rrezikun e vuajtjes nga insuficienca kardiake. Por falë punës së shkencëtarëve në Kolegjin Mbretëror, ky rrezik mund të reduktohet shumë.

Ekipi zbuloi se kur injektohen në qelizat e muskujve menjëherë pas një ataku në zemër, mikroARN-të janë në gjendje të rigjenerojnë qeliza të reja të shëndetshme. Për momentin eksperimentet janë kryer vetëm te kafshët.

Por ekspertët thonë se brenda 2 viteve të ardhshme do të kryejnë eksperimente të ngjashme edhe te njerëzit: “Qelizat e reja i zëvendësojnë ato të vdekura, dhe në vend të një plage të ngurtësuar, pacienti do të ketë inde të reja muskulore”, – thotë Mauro Xhaket, një nga autorët e studimit në fjalë.

Mbrojtëse dhe mesazhere

MikroARN-të janë të kapsuluara në një grimcë lipide (të quajtur SNALP, nga acidi nukleik i qëndrueshëm në anglisht – grimcat lipide) dhe injektohen në zemrën e pacientit. Teknologjia është e njëjtë me atë që përdoret nga vaksinat Moderna dhe Pfizer për të transportuar mesazherin e koronavirusit SARS ARN -CoV -2, me synim nxitjen e përgjigjes imunitare në trupin e njeriut.

Qëllimi i studiuesve është të arrijnë të prodhojnë në laborator proteinat që stimulojnë rritjen e qelizave të zemrës, në mënyrë që të mund t’i injektojnë ato sa më shpejt te pacientët që kanë përjetuar një atak kardiak, direkt kur i sëmuri ndodhet në ambulancën e urgjencës, apo sapo mbërrin në spital.

“Nëse provat klinike shkojnë mirë, ky do të jetë një revolucion”- thotë Xhaket duke theksuar se deri më sot, trajtimet për sulmin në zemër janë shumë të ngjashme me ato të 50 viteve më parë./focus.it

Lini një Përgjigje