Apostrof/ Vaksinat dhe autizmi: Çfarë thotë vërtet shkenca? (VIDEO)

4 Maj 2025, 16:17Shëndeti TEMA
Apostrof/ Vaksinat dhe autizmi: Çfarë thotë vërtet

Ka mbi një dekadë që qarkullojnë teori, dyshime dhe frikëra mbi një lidhje të mundshme midis vaksinave dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Ato janë ushqyer nga paniku, lajme të fragmentuara dhe një etje publike për shpjegime të thjeshta për fenomene të ndërlikuara.

Por çfarë thotë realisht shkenca? Dhe si ndihmon përvoja mjekësore në sqarimin e kësaj teme?

Në një bisedë për Apostrof Podcast, neuro-pediatrja Migena Bedeni Kika përshkruan qartë tri teoritë kryesore që janë përmendur lidhur me këtë temë:

“Në fakt ekzistojnë tre teori. Nuk është vetëm teoria që lidh vaksinën e fruthit me autizmin, por janë dhe dy teori të tjera: numri shumë i madh i vaksinave që u aplikohen fëmijëve në një moshë të vogël, në një moshë në të cilën sistemi imun ende nuk është pjekur dhe maturuar plotësisht, të cilat mund të ndërhyjnë dhe të shkaktojnë çrregullime që ndikojnë në zhvillimin e sistemit nervor qendror. Dhe një tjetër teori ka lidhje me një konservues që përmban mërkur — timerosal — për të cilin është pretenduar se ka ndikim neurotoksik.

Deri më tani, asnjë evidencë shkencore nuk ka gjetur një lidhje midis vaksinave dhe autizmit. Dhe nuk flasim për një, dy apo pesë studime — por për dhjetëra studime të pavarura, të bëra në vende dhe periudha të ndryshme, në popullata të ndryshme, me metoda të ndryshme studimi. Të gjitha arrijnë në të njëjtin përfundim.”

 



Shenjat janë aty përpara vaksinës

Një tjetër element domethënës që shton qartësi në këtë debat është vëzhgimi retrospektiv i zhvillimit të fëmijëve përmes materialeve familjare — si videot e bëra nga prindërit përpara diagnostikimit.

"Është marrë në mënyrë retrospektive dhe janë vlerësuar pjesa e këtyre fëmijëve përsa i përket zhvillimit nëpërmjet videove që kishin bërë prindërit, përpara se këta fëmijë të diagnostikohen me autizëm dhe të aplikonin vaksinën e fruthit, dhe është parë që shenjat kanë qenë aty. Pra është një çrregullim i cili gjithnjë e më shumë po vihet diagnoza në një moshë të hershme. Po ulet mosha e vënies së diagnozës, nga rritja e ndërgjegjësimit të prindërve, informacionet e shumta që kanë në për rjetet sociale, por dhe profesionistëve të shëndetësisë, po shikohet që shenjat në një pjesë të madhe të rasteve janë aty që herët, që para moshës një vjeç, apo rrotull moshës një vjeç... Në një pjesë të rasteve edhe më vonë, por në një pjesë të madhe të rasteve dhe para kësaj moshe. Pra autizmi ka qenë aty. Përkeqësohet, shfaqet, rritet graviteti, bëhen shenjat më të dukshme, ndoshta në një moment tjetër më vonë, por kjo nuk do të thotë që kanë qenë vaksinat ato që kanë shkaktuar autizmin. Pra, përgjigja e shkencës e deri tanishme është jo."