Kryen me sukses transplantin e veshkës, Manastirliu takon 54 vjeçarin nga Hasi: 143 kanë kryer transplantin e veshkës falas

11 Tetor 2022, 15:57Shëndeti TEMA

Kryen me sukses transplantin e veshkës, Manastirliu takon 54

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka pritur në zyrën e saj Agronin nga Hasi dhe bashkëshorten e tij Dritën, i cili para rreth 6 muajsh muaji ka kryer me sukses transplantin e veshkës falas. Nëpërmjet një postimi në facebook, Manastirliu ka ndarë lajmin e mirë për 54 vjeçarin i cili ishte diagnostifikuar që në lindje me probleme të theksuara renale

“Agroni ka rreth 6 muaj që ka kryer proçedurën e transplantit të veshkës. Një ndërhyrje e cila kryhet falas nga shteti. Ka përfituar ashtu sikurse kanë përfituar përgjatë këtij viti 14 qytetarë. Gjithashtu përgjatë gjithë këtyre viteve që ne e mbështesim transplantin e veshkës si proçedurë dhe e ofrojmë falas për qytetarët, janë 143 qytetarë të cilët kanë bërë transplantin e veshkës dhe janë mirë falë zotit.

Gjithashtu ne sigurojmë gjithë mbështetjen që edhe për ata të cilët si Agroni e kanë bërë transplantin të gjitha analizat falas, gjithashtu edhe terapitë që duhen post-transplantit”, tha Manastirliu duke shtuar se kjo është dhe një mundësi për të informuar ata qytetarë të cilët nuk e dinë që transplanti i veshkës ofrohet falas nga shteti.

I emocionuar, Agroni u shpreh se nuk e kishte besuar se transplanti kryhej falas.

“Ndjehem shumë mirë. Jam shumë i lumtur. Është e vërtetë kjo që thotë ministrja. Edhe unë nuk e kam besuar, por është e vërtetë, të gjitha këto bëhen falas. E përfiton. Është një punë shumë shumë e lehtë. Nuk e kam ditur që transplanti bëhej falas”, shprehet 54 vjeçari.

Postimi i Ministres Manastirliu:

Me shumë kënaqësi prita sot Agronin nga fshati Vlahen i Hasit, i cili po i kthehet jetës normale falë transplantit të veshkave që ka kryer falas, me financim 100% nga shteti .
Bashkë me të shoqen, Dritën, heroinën e tij, Agroni po lë pas një herë e mirë kalvarin e vështirë të jetës së tij, me mirënjohjen për mjekët dhe për këtë mundësi jetike për kryerjen e transplantit falas.

Agroni është një prej 14 qytetarëve, që kanë përfituar paketën e transplantit #falas gjatë këtij viti
143 qytetarë e kanë përfituar këtë paketë, me rimbursim 100% nga shteti.
#ShëndetiiPari

Lini një Përgjigje