Mikroplastika ndihmon disa viruse të mbijetojnë edhe në plazh

11 Korrik 2022, 17:04Shëndeti TEMA

Mikroplastika ndihmon disa viruse të mbijetojnë edhe në plazh

Patogjenët përdorin mikroplastikën si “barka” për të arritur në oqean dhe për të infektuar peshqit që gjenden në pjatat tona. Një studim i botuar në Environmental Pollution thekson se si disa viruse që infektojnë drejtpërdrejt njerëzit gjithashtu sillen në në mënyrë të ngjashme, duke u ngjitur në copa të vogla plastike dhe kështu arrijnë të mbijetojë në ujë për të paktën tri ditë.

“Tri ditë janë të mjaftueshme për të udhëtuar nga impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në plazhin publik”, tha Richard Quilliam, koordinator i studimit.

Studiuesit analizuan dy lloje virusesh: viruset e veshura, të tilla si gripi, të cilët janë të mbështjellë në një shtresë lipide të quajtur perikapsid, dhe viruse të pambuluara, viruse enterike si rotavirus, që shkakton diarre ose norovirus, që shkakton të vjella. Nga këto, të vetmet që mundën t’i ngjiteshin mikroplastikës dhe të mbijetonin janë ato të pambuluara. Perikapsidi tretet shpejt në ujë, duke shkaktuar vdekjen e virusit.

Duke iu bashkangjitur mikroplastikës, viruset enterike janë në gjendje të mbijetojnë në ujë për të paktën tri ditë, ndoshta edhe më gjatë: “Fakti që këto copa të vogla plastike mund të kolonizohen nga patogjenë të aftë për të infektuar njerëzit, paraqet një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin”, thotë Quilliam.

Impiantet e trajtimit të ujërave të zeza nuk arrijnë të kapin mikroplastikën, të cilat rrjedhimisht janë të lira të derdhen në lumenj dhe të arrijnë në det dhe plazhe, ku rrezikojnë të gëlltiten nga pushuesit dhe ata që lahen. “Ndonjëherë i gjejmë në plazh në formën e topave me ngjyra që fëmijët i vendosin shpesh në gojë”, shpjegon Quilliam, i cili tregon se mjaftojnë disa grimca virale për t’u infektuar.

“Hapi tjetër është të zbulojmë se për sa kohë këto viruse mbeten vërtet infektive, qoftë vetëm tri ditë ose më shumë, dhe, ndërkohë, të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë ndotjen plastike për shëndetin tonë dhe planetin që banojmë”, thekson studiuesi.

 

Lini një Përgjigje