Si po luftohet kanceri me metoda të reja 

21 Shkurt 2024, 11:43Shëndeti TEMA
Si po luftohet kanceri me metoda të reja 

Kanceri hyn në mesin e sëmundjeve më të frikshme; në vitin 2022 në Kosovë nga kanceri u prekën 3110 persona. Në Gjermani çdo vit gjysmë milioni njerëz marrin lajmin e rëndë nga mjeku se janë të sëmurë nga kanceri. Pas sëmundjeve kardio-vaskulare kanceri në Gjermani është shkaku më i shpeshtë i vdekjeve. Kështu shkroi së fundit revista gjermane DER SPIEGEL.

Artikulli i DER SPIEGEL nuk përmbante vetëm lajme negative, siç tregojnë faktet në vijim. Ndërkohë, shkruan revista, gati gjysma e pacientëve të moshës madhore dhe të prekur nga kanceri — shërohen. Te fëmijët statistikat janë edhe më të mira: katër nga pesë fëmijë me kancer e mposhtin sëmundjen.

“Po shohim përparime, të cilat para 25 vitesh as në ëndërr nuk i kemi parë”, thotë Pauline Wimberger, shefe e Katedrës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Klinikën Universitare në Dresden. Te kanceri i gjirit, thotë Wimberger, nganjëherë po ia dalim të kemi sukses edhe kur gratë kanë metastaza dhe kështu të zgjasim jetën për disa vite apo dekada.

Sipas DER SPIEGEL terapitë standarde po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me terapi individuale. Kësisoj mjekët arrijnë të luftojnë sëmundjen në mënyrë precize. Reinhard Büttner, profesor i patologjisë në Klinikën Universitare në Köln, tha se terapitë individuale janë një lajm i mirë për të prekurit nga kanceri.

Ndërkohë materiali gjenetik po sekuencohet nga qelizat kancerogjene dhe kështu po arrihet të fitohet një pamje e diferencuar dhe e re sepse kanceri është një nocion gjithëpërfshirës për një sërë tumorësh malinj, të cilët mund të dallojnë edhe brenda një organi. Sa më e saktë diagnoza, aq më mirë mund të ndahen pacientët në nëngurpe për trajtim.

Nganjëherë hormonet ndikojnë në rritjen e tumorëve, të prekurit nga kanceri marrin pastaj medikamente, të cilat e ulin koncentrimin e hormoneve. Nëse qelizat kancerogjene nxjerrin në sipërfaqe receptorë të caktuar, pacientëve u jepen antitrupa, të cilat ngjiten pikërisht për këtë receptori dhe kësisoj u mbysin qelizat kancerogjene.

Njëkohësisht, sipas DER SPIEGEL, shkenca është duke ndjekur disa qasje të reja për ta goditur kancerin — me antitrupa, inhibitorë apo molekula të vogla. Në shumë vende të botës janë duke u zhvilluar studime përkatëse.

Shpresat e shkencëtarëve tani bazohen sidomos në të ashtuquajturit konjugatë substancash antitrupa dhe në imunoterapi. Konjugatët janë antitrupa të prodhuara në laborator, të lidhura me helm qelizash. Ato jepen përmes infuzionit, depëtojnë nëpër sistemin e qarkullimit të gjakut dhe vrasin qelizat e kancerit sapo ndeshen me to. Njëkohësisht nuk preken qelizat e shëndosha. Qëllimi është një kimioterapi e butë.

Disa konjugatë substancash antitrupa tashmë kanë dalë në treg, më shumë se 140 variante të tjera janë në zhvillim klinik. Edhe ndërmarrja Biontech është duke investuar në këtë fushë, brenda gjashtë viteve të ardhshme ilaçet e tilla do t’i sjellin Biontechut një qarkullim prej më shumë se 15 miliardë dollarë.

Imunoterapia bazohet në idenë e thjeshtë sipas së cilës sistemi imun i pacientit është ilaçi më i mirë kundër kancerit. Me medikamente dhe metoda të teknikës gjenetike synohet të stimulohet sistemi imun në atë mënyrë që të luftojë qelizat e tumorit. Pjesë e këtij koncepti është edhe një vaksinim i llojit të ri. Përmes teknikës mRNA, e cila pati ndihmuar në luftimin e pandemisë së koronës, synohet që sistemi imun të përkrahet ashtu që të asgjësojë qelizat e kancerit. Özlem Türeci dhe Uğur Şahin nga ndërmarrja Biontech, shkruan DER SPIEGEL, janë duke zhvilluar variantet e para të vaksinës kundër kancerit. Deri në vitin 2030 Türeci dhe Şahin duan të trajtojnë rreth 10 mijë njerëz me vaksinën kundër kancerit.

Ndërmarrja Moderna, rivali i Biontech me seli në Cambridge (Massachusetts), premton se vitin e ardhshëm do ta ketë gati vaksinën kundër melanomit malinj (kancerit të lëkurës), një nga variantet më të rrezikshme të kancerit. Edhe në luftimin e kancerit të mushkërive janë shënuar përparime, për shembull me konjugatë substancash antitrupa. Për dallim nga kimioterapitë e rëndomta këto terapi të personalizuara zgjasin jetën e njerëzve për disa vite.

Megjithatë, nuk ka vend për entuziazëm të tepërt. Kuota e rikthimit të kancerit sillet mes 20 dhe 75 për qind, varësisht nga lloji i tumorit. Të dhënat e reja, sipas DER SPIEGEL, tregojnë se të rinjtë në Europë shpesh vuajnë nga kanceri i zorrëve, me gjasë për shkak se pesha e tyre është më e lartë se e gjeneratave të mëhershme.

Me rëndësi është parandalimi, shkruan DER SPIEGEL. Pirja e duhanit, rrezet ultraviolet, ushqimi jo i shëndoshë dhe me shumë sheqer si dhe mungesa e lëvizjes janë faktorë që e ndjellin kancerin. Christof von Kalle, onkolog në Institutin e Berlinit për Hulumtime Shëndetësore në Spitalin Charité, tha se çdo i dyti rast vdekjeje nga kanceri do të shmangej po ta merrnin njerëzit seriozisht parandalimin. (Enver Robelli - Medium.com)

2 Komente

  1. B
    Baliu

    Metoda e re: Vakcine per qdo gje dhe per qdo person!!! Numri i dozave nga nje deri ne ... .

    1. F
      Ffffffiiiiuuuu...kiiiiiuuuuu.

      Tek Gazeta Oda lexojme per cdo gje...Numri qe kane deshire te jetojne duhet te ndegjjojne zerin e Dr. se si shpetojen njerezit.. ose dhe e kunderta !

      Lini një Përgjigje