Dikur ç’rregullimet endocrine ndodhnin rrallë, ndërsa sot janë kthyer në një nga sëmundjet përcaktuese të kohës tonë. Mjeku endokrinolog, Dr. Dashamir Gjergji shpjegon në Apostrof Podcast se përse sëmundje si diabeti apo tiroiditi Hashimoto janë 6-fishuar deri në 10-fishuar brenda pak dekadave.
Arsyet për këtë janë të shumta, por ndër to, Dr. Gjergji liston ndryshimet klimaterike dhe ndikimin e tyre në bujqësi, që nuk i kanë dhënë organizmit tonë kohën e mjaftueshme për t’u përshtatur. Bujqësia, thotë ai, nuk është më organike si dikur; shumica e farërave sot janë të modifikuara gjenetikisht, ndërsa pesticidet dhe stimulantët për rritjen e shpejtë të bimëve po përdoren gjithnjë e më masivishit. Këto praktika kanë ndryshuar profilin nutricional dhe biokimit të ushqimeve që konsumojmë, duke e detyruar trupin njerëzor të procesoj substanca, për të cilat nuk është i përgatitur.
Njëkohësisht, industrializimi dhe komercializimi kanë krijuar një mjedis ushqimor që inkurajon mbigrënien. Reklamat e ushqimeve të shpejta dhe të procesuara, paketimet plastike dhe kudondodhja e kalorive me çmim të ulët, po riformësojnë oreksin dhe metabolizmin. Ajo që mund të duket si zgjedhje subjektive, thotë Dr. Gjergji, shpesh është manipulim psikologjik për mbikonsumim të ushqimit.
Nga ana tjetër, pas gjithë këtyre faktorëve qëndron një forcë edhe më e padukshme: stresi kronik. Dr. Gjergji thotë se gjeneratat e sotme përballen me më tepër presion social, ekonomik, digjital dhe mjedisor, krahasuar me brezat e mëparshëm. Kjo ndikon në rritjen e nivelit të kortizolit dhe përkeqësimin e rezistencës së metabolizmit.
Kur të gjithë këta lementë shihen në tërësinë e tyre – ushqimet, kimikatet, sistemet industriale, reklamat, klima dhe stresi – bëhet e qartë se kriza nuk është individuale, por strukturore.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Pse sëmuremi kaq shpesh? Endokrinologu Dashamir Gjergji për hormonet, stresin dhe jetesën moderne