Është tunduese të besosh se humbja e peshës është vetëm çështje vullneti dhe vetëkontrolli ku, nëse ndjek dietën e duhur, do të mund të shohësh rezultatet pas njëfarë kohe. Por, mjeku endokrinolog, Dr. Dashamir Gjergji na kujton se organizmi nuk funksionon në formën e posterave motivues për një trup më të bukur.
I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, ai shpjegon se përse rreth 95% e dietave dështojnë – jo sepse njerëzit janë të dobët dhe nuk mund t’i mbajnë, por sepse trupi njerëzor ka evoluar duke patur prioritet mbijetesën. Kur shtojmë në peshë, qelizat dhjamore shndërrohen në organe endokrine, duke prodhuar hormone që rregullojnë urinë, ngopjen dhe metablizmin. Sa më shumë dhjam që akumulon trupi, aq më të forta bëhen këto sinjale hormonale.
Kjo do të thotë se, në momentin që ti përpiqesh të humbasësh peshë shpejt, trupi e interpreton si kërcënim ndaj tij, duke bërë që metabolizmi të ngadalësojë dhe uria të shtohet. Trupi lufton për t’u kthyer tek ajo çka ai e konsideron si peshën e vet “normale,” sikurse një familje e mësuar me një standard të lartë jetese, përjeton panik në momentin që burimet e saj të të ardhurave reduktohen.
Dr. Gjergji shpjegon se e vetmja qasje e qëndrueshme është ndryshimi gradual: reduktim jo më shumë se 10% i kalorive dhe peshës trupore për disa muaj, e kombinuar me aktivitet fizik dhe e ndjekur më pas nga një periudhë stabilizimi, para se të niset një përpjekje e dytë për të humbur edhe më shumë peshë.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.
Pse sëmuremi kaq shpesh? Endokrinologu Dashamir Gjergji për hormonet, stresin dhe jetesën moderne