Sa herë që mendojmë për rreziqet që paraqet konsumi i pijeve energjike, në mendje na vjen imazhi i studentëve që duhet të qëndrojnë zgjuar gjatë natës për të studiuar, apo i sportistëve në stërvitje. Por, mjeku kardiolog Dr. Novruz Caushaj, i ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, ngre një shqetësim edhe më alarmant, në lidhje me pasojat e konsumimit të këtyre pijeve nga të rinjtë.
Pijet energjike marketohen si diçka që do na ndihmojë të rrisim përqëndrimin dhe performancën, por Dr. Caushaj thotë se kjo është shpesh një iluzion, ndërsa tek fëmijët mund të ketë madje efektin e kundërt, pasi shkaktojnë humbje të përqëndrimit dhe shtim të pagjumësisë. Masa e tyre trupore më e vogël se e një të rritur, bën që organizmi i fëmijës të preket edhe më fort nga kafeina e konsumuar përmes pijeve energjike. Sistemi nervor simpatik mbingarkohet dhe prodhon hormone stresi që e stimulojnë zemrën më tepër se sa duhet, ç’ka do të thotë se ajo që ndjehet si “energji”, në fakt është një sforcim i sistemit kardiovaskular.
I pyetur nëse pijet energjike duhet t’iu nënshtrohen të njëjtave rregulla dhe etiketave paralajmëruese si duhani, Dr. Caushaj shprehet se do të donte që rregullimi i tyre – veçanërisht kur është fjala për fëmijët – të shkonte edhe më larg. Ai thotë se duhet të ndalohet shitja e tyre tek personat nën 18-vjeç, masë që disa shtete Europiane, por edhe në SHBA, e kanë ndërmarrë, duke i trajtuar pijet energjike me të njëjtin seriozitet si alkooli dhe duhani.
Ndërsa pijet energjike marketohen si zgjedhje të padëmshme të mënyrës së jetesës, rreziku që ato paraqesin për konsumatorët dhe sidomos për fëmijët, nuk është aspak i vogël. Shqetësimi i gjumit, sforcimi i sistemit kardiovaskualr dhe dëmtimi i përqëndrimit nuk janë thjesht ç’rregullime të përkohëshme, por kërcënime afatgjata ndaj zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.
Nëse shtete të tjera kanë nisur ta njohin këtë rrezik, ndoshta ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ndjekë të njëjtin shembull, pasi t’i shesësh një fëmije një pije energjike, nuk është shumë ndryshe nga sa t’i shesësh një paketë cigare, apo alkool.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/nyAzUfONGTs
Lini një Përgjigje