A lindim me një personalitet të formuar, apo është jeta e cila na e ndërton gradualisht atë? Teoritë janë të shumta. Disa sugjerojnë se personaliteti është një konstrukt që ndërtohet gradualisht nga përvojat tona jetësore, nga mënyra si na shohin të tjerët, nga rrethanat që na formësojnë. Të tjera besojnë se një pjesë e asaj që jemi është tashmë e shkruar — jo në letër, por në kodin tonë gjenetik, në historinë biologjike të atyre që kanë ardhur para nesh.
Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, gjatë bisedës me neuro-pediatren Migena Bedeni Kika, ndalemi pikërisht në këtë nyje të brishtë mes natyrës dhe përvojës. Ajo thotë:
Ka disa teori që thonë, që në këtë moshë apo në atë moshë formohet personaliteti i plotë, i cili manifestohet edhe kur individi është në moshën adulte. Personalisht besoj që fëmija lind me një personalitet të vetin, e përcaktuar kjo nga faktorët gjenetikë, nga çfarë secili nga ka të shkruar në filogjenezë, që do të thotë nga mënyra sesi kanë jetuar prindërit tanë apo paraardhësit tanë, të cilët kanë lënë gjurmë epigjenetike në genet tona. Dhe e gjithë kjo rezultante e gjithë këtyre faktorëve rezulton një individ i cili lind me një personalitet të vetin, i cili mund të ndryshojë, mund të modifikohet por deri në një farë mase me kalimin kohës dhe me eksperiencat që ky individ bën përgjatë gjithë jetës së vet.