U certifikua nga Shkolla e Drejtorëve brezi i dytë i drejtuesve të institucioneve të arsimit parashkollor.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u shpreh se nga 5 thirrjet që ka hapur ky institucion për drejtues të arsimit parashkollor, kemi 85 drejtues në detyrë dhe 53 aspirantë për pozicione drejtuese.
“Nuk imagjinohej dot në dhjetë vite të shkuara që për të drejtuar një kopësht, të bëhej një rrugëtim i tillë. Ju jeni prova më e mirë e besimit tek dija dhe fakti që jeni brezi i dytë i drejtuesve të certifikuar në arsimin parashkollor, do të thotë që kemi rritur standardet edhe garancinë për cilësinë në këtë nivel arsimi, i cili është themeli i brezit që po rritet. Në 439 kandidatë që kanë aplikuar dhe janë certifikuar me sukses 138 pjesëmarrës nga 36 Zyra Vendore Arsimore në të gjithë vendin. Nga këta, 85 janë drejtues në detyrë të institucioneve të arsimit parashkollor, ndërsa 53 janë kandidatë aspirantë për pozicione drejtuese”, nënvizoi ministrja Kumbaro.
Në ceremoninë ku u certifikuan 74 pjesëmarrës në programin e trajnimit të detyrueshëm për drejtues të arsimit parashkollor, ministrja Kumbaro e vuri theksin tek Shkolla e Drejtorëve, institucion që në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim po konsolidon një histori suksesi duke integruar praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e zhvillimit të lidershipit arsimor dhe menaxhimit të institucioneve edukative.
“Shkolla e Drejtorëve e ngritur si një kërkesë e qeverisë shqiptare dhe një projekt i përbashkët me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, padiskutim është një tjetër histori suksesi në bashkëpunimin e gjatë në shumë sektorë që kemi së bashku. Unë dua të falënderoj gjithë ekipin, gjithë trajnuesit dhe gjithë të certifikuarit për punën, por mbi të gjitha për guximin”, përfundoi ministrja Kumbaro.
Në këtë takim, u prezantuan edhe projektet më të mira të pjesëmarrësve që u certifikuan nga kjo thirrje.
Lini një Përgjigje