Dritë e gjelbër për rijetëzimin e komplekseve sportive dhe zonave urbane përreth në Korçë dhe Vlorë

24 Korrik 2025, 16:50Sociale TEMA
Dritë e gjelbër për rijetëzimin e komplekseve sportive dhe

Stadiumet në Korçë dhe Vlorë, si dhe zonat urbane përreth, do të kenë një pamje të re. Të enjten hyri në fuqi zyrtarisht vendimi i qeverisë shqiptare, që kohë më parë dha dritën e gjelbër për dy projekte madhore investimi që synojnë rijetëzimin dhe modernizimin e komplekseve sportive “Skënderbeu” në Korçë dhe “Flamurtari” në Vlorë.

Këshilli i Ministrave, pak javë më parë miratoi dy vendime kyçe që autorizojnë Korporatën e Investimeve Shqiptare (K.I.SH.) të veprojë si zhvillues kryesor i pronave shtetërore për realizimin e këtyre investimeve ambicioze.

Korça, një stadium i rijetëzuar bashkë me zonën urbane përreth

Për qytetin e Korçës, ky zhvillim do të bëhet në funksion të projektit “Rijetëzimi i kompleksit sportiv ‘Skënderbeu’, Korçë, stadiumit, pallatit të sportit dhe zonës urbane përreth”.

Qëllimi është përmbushja e interesit publik, duke transformuar jo vetëm stadiumin, por edhe infrastrukturën përreth.

K.I.SH. do të ketë të drejtën të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me institucione si Bashkia Korçë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të përcaktuar standardet dhe kushtet e bashkëpunimit. Po ashtu, Korporata autorizohet të hapë procedurën konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, si dhe të negociojë me subjekte private për lidhjen e kontratave të zhvillimit. Një pikë e rëndësishme është edhe autorizimi për të proceduar me prishjen e objekteve ekzistuese që janë pjesë e pronave të përcaktuara për zhvillim.

Vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave, ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit me këtë projekt. Por vendimi është shfuqizuar, duke ia kaluar stafetën plotësisht K.I.SH.

Vlora, transformimi i “Flamurtarit”

Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për qytetin bregdetar të Vlorës. Këshilli i Ministrave ka miratuar transferimin në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i kompleksit sportiv ‘Flamurtari’, Vlorë, stadiumit, pallatit të sportit dhe zonës urbane përreth”.

K.I.SH. do të veprojë si zhvillues i këtyre pronave, duke përmbushur interesin publik dhe duke koordinuar me Bashkinë Vlorë, Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Edhe në Vlorë, Korporata do të jetë përgjegjëse për hapjen e procedurës konkurruese për partnerin privat, negociimin e kontratave dhe kryerjen e veprimeve me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucionet e tjera publike. Prishja e objekteve ekzistuese në zonat e zhvillimit është gjithashtu e autorizuar.

Të dyja këto vendime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës sportive në Shqipëri dhe pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin urban të Korçës dhe Vlorës./rtsh

Lini një Përgjigje