Forumet UET/ Ministri Manja: Bashkëpunim me universitetin për përgatitjen e hartografëve ligjorë dhe topografëve

29 Qershor 2023, 18:22Sociale TEMA

Forumet UET/ Ministri Manja: Bashkëpunim me universitetin për

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte i ftuar në Forumet UET për diskutimin e trajtimit të çështjeve të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë. Ministri u ndal në risitë e Ligjit “20/2020”, që shkrin tetë ligjet e mëhershme në lidhje me pronën në një të vetëm dhe foli rreth sfidave të zbatimit.

Ai i bëri thirrje universitetit për bashkëpunim, në përgatitjen e burimeve njerëzore si hartografë ligjorë dhe topografë. Universiteti Europian i Tiranës njoftoi çeljen e një kursi profesional që do të pajisë me njohuri juristët e kadastrave, topografët dhe avokatët që merren me çështje të pronësisë Kur Ligji 20/2020 u dërgua për opinion në Komisionin e Venecias, tre gjyqtarët e delegacionit ngritën pyetjen rreth numrit të burimeve njerëzore, që do të merreshin me zbatimin e tij, sapo të hynte në fuqi.

Sa hartografë ligjorë e sa topografë kishte shteti shqiptar në dispozicion që do të bënte të mundur, brenda një periudhe pesëvjeçare, përfundimin e procesit të hartëzimit të tokës?! “Nuk e kishim këtë, por si shqiptarët, që dalim nga çdo lloj situate, filluam të thoshin: “ Ka hartografë e topografë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka Ministria e Mbrojtjes e në fund thamë do të bashkëpunojmë me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe do të bashkëpunojmë me studentët e inxhinierisë, topografisë, etj., Por sot është fakt: ende nuk e kemi nisur punën me hartën e re të Tokës, në Republikën e Shqipërisë”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

I ftuar në Forumet UET, për të diskutuar rreth trajtimit të çështjes së pronës në Shqipëri, ministri foli rreth bashkëpunimit me botën universitare e akademike e veçanërisht me Universitetin Europian të Tiranës, duke e nxitur të marrë stafetën e diskutimit të kësaj teme, por edhe në përgatitjen e burimeve njerëzore. “I keni të gjitha mundësitë: profesoratin, kapacitetet e duhura për a marrë këtë flamur në dorë e të bashkëpunoni ngushtë me institucionet.

Dhe, si ministër i Drejtësisë, e them se jam i gatshëm të nisim një bashkëpunim me UET-in, për atë pjesë të zbatimit të ligjit, që janë në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë”, tha ministri, ndërsa shtoi më tej: “ Po flas, jo vetëm për Ligjin për Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtshme, por Ministria ka përfaqësuesit e saj edhe në bordin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës; një organ që projekton politikat në zbatimin e ligjit 20/2020.

Kemi zë të fuqishëm në atë bord dhe mund të ofrojmë kontribute reale duke pasur edhe përfshirjen tuaj në këtë diskutim”. Ai theksoi se janë afro katër milionë prona të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, ku vetëm 700 mijë prej tyre janë digjitalizuar.

Ministri u ndal te historiku i ligjeve në lidhje me trajtimin e pronës në 32 vite tranzicion, ndërsa tha i bindur se Ligji 7501, nuk ishte ligji i duhur. “Fakti që edhe pas 32 vitesh, akoma miratojmë ligje për përfundimin e procesit të pronësisë në republikën e Shqipërisë, në të gjithë dinamikën e trajtimit të pronës, diçka nuk e kemi bërë si duhet”. Ai u ndal te hartimi i ligjit 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Risia që solli, tha ministri, ishte shfuqizimi i tetë ligjeve të mëparshme që trajtonin çështjet e pronës në një ligj të vetëm.

“Çfarë trajtimi ligjor dhe mbivendosje ka pasur kuadri ligjor në lidhje me pronësinë nga viti 1991 e deri më 2020-n, kur miratuam ligjin! Tetë ligje e trajtonin çështjen e pronës dhe qytetarët përplaseshin sa nga një institucion te tjetri”, tha ndërsa përmendi ligjin 7501, atë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish-Pronarëve, por edhe atë të ish-ndërmarrjeve bujqësore që u dhanë në përdorim.

Ministri tha se Harta e re e Gjyqësorit, digjitalizimi i sistemit të Kadastrës dhe transparenca në ofrimin e shërbimeve, sa iu takon çështjeve të pronësisë, janë sfida e momentit për shtetin shqiptar. Ai siguroi se nuk ka më probleme të kuadrit ligjor. “Sa për Kadastrën kemi ligjin 20/2020 , sa i përket trajtimit të pronave, kemi ligjin e vitit 2015, për Investime Strategjike. Me ndryshimet e fundit që miratoi Parlamenti sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, që i jep fund trajtimit të çështjes së pronave të ish-pronarëve, sipas metodologjisë dhe përkufizimeve që ka ligji, por edhe vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut -që me ndryshimet që bëmë e konsiderojmë se ka dhënë ca garanci të shtuara për përmbushjen e të drejtës së pronësisë nga subjektet e shpronësuara”, tha ministri.

Ai sqaroi se termi ish-pronarë, në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, është shndërruar në subjekte të shpronësuar, në ligjin e ri, pasi sipas tij termi i parë ishte diskriminues. Komente të tilla i hasën edhe me Opinionin e Venecias, ku siç kujtoi ministri nuk kuptonin termin ish-pronarë apo ndarjen e pronës nga shteti. Në lidhje me mbrojtjen e së drejtës së pronës, ministri mori në konsideratë jo vetëm ligjin e 2015-s dhe të 2020-s, por edhe Ligjin për Ndërmjetësin e Pasurive të Paluajtshme, që siç tha ai po zbatohet me sukses.

“Kemi rregulluar të gjithë zinxhirin e transaksioneve të pronësisë: ndërmjetës, noterë e deri në regjistrimin në Hipotekë. ishte treg i paformalizuar në Shqipëri”, vijoi ministri në fjalën e tij. Ai tha se në këtë mënyrë ky treg i pasurive të paluajtshme, linte vend për transaksione të dyshimta apo shërbente si mekanizëm për pastrimin e parave, në Shqipëri. “Me ligjin e ri ministri e Drejtësisë licencon agjentet imobilarë, por ka edhe mekanizmat e duhur të monitorimit dhe kontrollit të ushtrimit të kësaj veprimtarie, pa i prekur liritë e garantuara nga Kushtetuta. Për të shmangur mekanizmin e pastrimit të parave, një nga parakushtet është vlerësimi i integritetit që e bën Drejtoria për parandalimin e pastrimit të parave dhe agjenci të tjera para licencimit. ka standarde edhe për arsimin e atyre që e ushtrojnë këtë profesion; arsim i mesëm është vënë si kriter”, shpjegoi më tej ai.

Ai foli rreth problematikave që ka sjellë mungesa e regjistrimit të pronave, ku shpeshherë edhe objekte apo hapësira në pronësi të enteve publike, rezultojnë në kadastra si pronë shtetërore të lira e që shpesh çojnë në përplasje e po ashtu kompensimet për ish-pronarët kanë rezultuar në ngastra të zëna nga pronarë përmes ligjit 7501. Ai tha se shteti ka rreth 23 mijë hektarë në dispozicion, për kompensim. “Sa i përket ligjit, nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë, por kemi nevojë për burime njerëzore” , tha ai ndërsa pritet të nisë puna me regjistrimin de-facto të pronave, nga veriu në jug të vendit.

Ai tha se banorët në zona veriore si Thethi apo Vermoshi, shpesh e kanë të pamundur edhe të aplikojnë për grante në AZHBR për zhvillimin e agroturizmit, pasi nuk kanë certifikata pronësie të shtëpive të tyre, ku banojnë prej qindra vitesh. “Mostrajtimi në kohë ka sjellë që ligji i investimeve strategjike, që është një ligj i mirë, të mos gjejë zbatim”. Presidenti i UET, Selami Xhepa tha gjatë takimit se prona private është fondamentale për të garantuar lirinë e transaksionit. “...dhe kjo e ka ndarë mendimin nga Platoni dhe Aristoteli: Platoni ishte për drejtësi sociale dhe pronë publike dhe Aristoteli, për eficiencën dhe pronën private. Kjo linjë mendimi ka vazhduar historikisht.

Edhe qeveritë shqiptarë janë të dyzuar në qëndrimin në raport me pronën. Nga njëra anë të dyzuar për drejtësi sociale me ligjin e famshëm 7501- për t’ua ndarë tokën atyre që e punojnë- dhe nevoja për më shumë eficiencë që shpjegon ligjin e vitit 2015: ligj për investime strategjike që synon të rritë eficiencën. Fokusi kryesor, mendimin tim, duhet të mbetet eficienca. Sepse eficienca mund të sigurojë drejtësinë sociale, ndërsa ndjekja verbazi e drejtësisë sociale nuk mund të sigurojë eficiencë dhe prosperitet”, u shpreh presidenti Xhepa.

Ai shtoi se UET i kontribuon debatit publik, në reformat në qeverisjen e vendit, duke pohuar se kontributi i universitetit është dëgjuar shpesh nga qeveria dhe siç tha ai, një nga propozimet e UET ka qenë ai për konsolidimin e institucionit që merret me çështjen e pronësisë. Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në UET, Juelda Lamçe, u ndal te plagët e trashëguara për shkak të problematikës në lidhje me pronën. Ajo u ndal te raportet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Shqipërinë, ku mbi 20 përqind e shkeljeve të konventave europiane të të drejtave të njeriut, i referohen të drejtës së pronësisë dhe refuzimeve të dhënies së vendimeve për kthimin dhe kompensimin e pronave.

“Angazhimi në procesin e digjitalizimit të Kadastrës është një nga prioritetet e qeverisë, që thekson nevojën për garantimin e mbrojtjen efektive të pronësisë, në kuadrin e titujve të pronësisë. Krahas arritjeve ka sfida, me problemet e regjistrimit fillestar të titujve apo mbivendosjes së legjislacionit në vite, jemi këtu për të diskutuar dhe propozuar”, tha dekania. Ajo u ndal te kursi profesional për Hartografi dhe Legjislacion Kadastal, që UET ofron, që synon të pajisë juristët, ata që punojnë në kadastra por jo vetëm, me njohuri efektive për atë që shihet si problematike dhe që do të ofrojë zgjidhje shumë të mirë në treg.

Rreth kursit foli edhe dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Teuta Xhindi. Njohuritë për këtë kurs do të ofrohen nga pedagogë të të dy fakulteteve të UET. Kursi profesional, zbuloi më tej hollësi dekania Xhindi, është menduar të zgjatë 12 javë, ku 72 orë do të zhvillohen në auditorë dhe 78 orë jashtë, në trajtën e vizitave në kadastra dhe institucione të tjera, si edhe në punë individuale që do të kryejnë kursantët. Kursi është menduar të përfshijë katër lëndë bazë, ku tri prej tyre do të ofrohen nga fakulteti i Inxhinierisë dhe një nga ai i Shkencave Juridike. “...ky kurs do të jetë i dedikuar për juristët në zyrat kadastrale, për topografët që duan të përditësojnë informacionet e marra gjatë kohës, për avokatët që merren me trajtimin e çështjeve të pronës.

Ka një spektër të tillë individësh që mund të jenë pjesë e këtij kursi profesional, në lidhje me profesionistët në këtë proces të shtrirë në të gjithë republikën. Është një sinjal që duhet të na sensibilizojë se çfarë mund të bëjmë më shumë në lidhje me zgjerimin e mundësisë për pjesëmarrësit në këtë kurs”, tha dekania Xhindi. Ajo tha se fakulteti që drejton ka propozuar edhe kurse të tjerë profesionalë, ndërsa zbuloi se njëri prej tyre, ai për Audituesit Energjetikë, sapo ka nisur.

1 Komente

  1. J
    Ja ke fut kot

    Nje pseodo-rilindas (palle dmth.) dhe nje unversitet fantazem qe ekziston vetem per te marre leket e atyre qe nuk duan te mesojne. Sa poshte ka rene Shqiperia.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje