Historia e bankave në Shqipëri, nga krijimi tek banka e parë private

19 Shtator 2022, 11:36Sociale TEMA

Historia e bankave në Shqipëri, nga krijimi tek banka e parë

Nëse i referohemi fakteve historike të sjella për publikun në botimin e vitit 2003 nga Banka e Shqipërisë dhe në vitin 2012 nga Shoqata Shqiptare e Bankave, evoluimi i sistemit bankar në Shqipëri mund të grupohet në 3 periudha: periudha e parë deri në vitin 1944, periudha e dytë ndërmjet viteve 1944 –1991, dhe periudha e tretë pas vitit 1991 deri më sot. Ideja për ndërtimin e një Banke Kombëtare Shqiptare e ka zanafillën që në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”, patrioti i mirënjohur Sami Frashëri shtron domosdoshmërinë e ngritjes së një Banke Kombëtare të Shqipërisë dhe propozon si njësi monetare të shtetit të ardhëm shqiptar, frangun shqiptar. Rishtaz, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali krahas detyrave të tjera për ndërtimin e shtetit shqiptar, u angazhua për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Në vitin 1913, Qeveria e Ismail Qemalit vendos themelin e Bankës, e cila konsiderohet edhe si fitorja e dytë pas pavarësisë kombëtare. Në vijim të përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-financiare dhe krijimin e sistemit bankar, qeveria shqiptare e viteve 1921-1924 iu drejtua Lidhjes së Kombeve për ekspertizë dhe investime të huaja. Nga ajo periudhë deri në vitin 1944, në Shqipëri kanë funksionuar edhe disa institucione të tjera bankare, të cilat kontrolloheshin vetëm nga kapitali i huaj, të tjerat nga kapitali i huaj dhe ai vendas. Themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë i përket vitit 1925, me pjesëmarrjen në kapital të një grup bankash italiane, si dhe disa individëve të pasur italianë dhe shqiptarë. Dega e parë u hap në Durrës, duke vijuar më pas në qytete të tjera. Pas 13 vitesh, në sheshin Skënderbej, ndërtohet selia qendrore e Bankës. Deri në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, në vend ishin vendosur dhe operonin Banka Kombëtare e Shqipërisë, Banka e Napolit, Banka Bujqësore e Shtetit, si dhe filiali i Bankës së Eksportit të Beogradit.

Me çlirimin e Shqipërisë, në vitin 1944, filloi procesi i shtetëzimit. Në vitin 1945, u miratual ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Në të njëjtën datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Që nga viti 1946 deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë kësaj kohe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash. Karakteristikë për këtë periudhë ka qenë centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore, ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, kryente shërbimin e arkës unike, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera dhe me bankat e huaja.

Pas vitit 1991, transformimi politik drejt demokracisë solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Disa nga tiparet kryesore të këtij transformimi ishin ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë, që njihen ndryshe si bankat tregtare, rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar.

Në vitin 1996 licensohet Tirana Bank, banka e parë me kapital tërësisht privat në Shqipëri. Ndër vite ajo arrin të krijojë një identitet të konsoliduar në historikun e zhvillimeve shoqërore dhe ekonomike, duke gëzuar pozita të respektueshme në treg edhe në ditët e sotme. Në vitin 1998 e ndjekin bankat Alpha Albania dhe Intesa Sanpaolo Albania. Tregu bankar vijon të zgjerohet në vitin 1999 me 5 licensa të reja, Banka Procredit, Banka Raiffeisen, Banka Amerikane e Investimeve, Banka e Bashkuar e Shqipërisë dhe Banka Kombëtare Tregtare. Në periudhën 2003 - 2007, tregut bankar i janë shtuar 4 institucione, Credins Bank, Banka OTP Albania, Banka Union dhe Banka e Parë e Investimeve. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë për subjektet bankare të licensuara, aktualisht në vend operojnë 12 banka të nivelit të dytë, me kapital të huaj dhe vendas.

Historia e bankave në Shqipëri, nga krijimi tek banka e parë

Lini një Përgjigje