Klubi i ri i leximit në bibliotekën e plakur e pa hapësira të Durrësit

1 Shkurt 2023, 18:59Sociale TEMA

Klubi i ri i leximit në bibliotekën e plakur e pa hapësira

Nga Gëzim Kabashi

Një nismë e mbështetur nga Bashkia e Durrësi për krijim e një klubi leximi në qytet, duket si një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë nga fakti që qyteti i dytë më i madh në vend nuk ka një bibliotekë dinjitoze dhe as hapësira publike leximi.

Nisma për krijimin e një klubi leximi në mjediset e bibliotekës publike të Durrësit nuk e fsheh dot përpjekjen e pafryt të institucioneve vendore për t’iu shmangur kërkesave qytetare që dëshirojnë ngritjen e një godine të re për “portën e dijes”, siç e quajnë rëndom atë në takimet jubilare.

Biblioteka e qytetit aktualisht ndodhet në të njëjtën vilë private dykatëshe në të cilën u themelua në shtator të vitit 1945.

Prej vitesh godina që ka një sipërfaqe të shfrytëzueshme prej vetëm 357 metra katrore, i është rikthyer ish-pronarit, aktualisht qiramarrës.

78 vjet pas krijimit të bibliotekës, popullsia e Durrësit është 30-fishuar, por mjediset për lexim, si dhe për sistemimin e librave mbeten po ato të fundit të luftës së dytë botërore.

Pra, qyteti i dytë për nga popullsia i vendit nuk ka një bibliotekë.

Kjo i ndodh qytetit antik, ku prania e bibliotekave, sipas historikut të institucionit, dokumentohet që në fillim të erës së re.

Ndërkaq moria e ndërtimeve shumëkatëshe, nuk i ka lënë vend krijimit të një hapësire të re për librat dhe lexuesit.

Drejtuesit lokalë kanë gjetur një formë tjetër për ta justifikuar vonesën ndërtimin e biblioteke të re, çka e kanë bërë prej kohësh qytetet e tjerë kryesore të vendit.

Ata i janë bashkuar një nisme qytetare, që synon afrimin e të rinjve te libri.

Në një nga ditët e fundjavës së kaluar, ky grupim shpalli në mjediset e bibliotekës krijimin e klubit të leximit që do të mbajë emrin e shkrimtarit, përkthyesit, regjisorit “Nderi i Kombit”, Gjergj Vlashi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e bashkisë së qytetit në cilësinë e një prej të pasionuarve të librit, duke shkruar në rrjetet sociale se “qëllimi i  krijimit të këtij Klubi është afrimi i lexuesve edhe më shumë me librin, shkëmbimi i  eksperiencave dhe mendimeve mbi letërsinë dhe më gjerë”.

Në fushatat elektorale të këtij shekulli, kandidatët kanë premtuar rregullisht ngritjen e një biblioteke të re, si dhe të kinemasë së munguar.

Megjithëse intelektualët dhe mediat kanë propozuar disa herë ndërtimin e një bibloteke të re në truallin shtetëror të ish-klubit të portit, apo në katet e para të pallateve të shumta, që marrin leje ndërtimi në qendër të Durrësit gjithçka ka mbetur si në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Ishte koha, kur siç tregojnë ata që e njohën nga afër, Gjergj Vlashi, emrin e të cilit do të mbajë Klubi i ri kulturor, përveçse të shkruante dhe të përkthente filloi të lexonte nga 100 faqe në ditë çka e vijoi në të gjithë jetën e tij të gjatë dhe plot krijimtari: 45 vepra të botuara dhe 100 premiera varieteje.

Gjergj Vlashi (1928 – 2020) ishte një nga frekuentuesit më të rregullt të bibliotekës së qytetit, por në të njëjtën kohë në apartamentin prej 68 metra katrore ai krijoi bibliotekën personale me 7 mijë tituj librash, një pikë referimi për shkrimtarët më të njohur të vendit.

Ky është edhe shembulli që në fillim institucionet duhet të mendojnë për të ndërtuar “shtëpinë e librit”, pra bibliotekën. Më pas shoqatat, lidhja e shkrimtarëve apo klubet e leximit mbërrijnë vetiu, si një nevojë bashkëbisedimi e njerëzve që merren me librat, lexues apo shkrimtarë e poetë qofshin.

1 Komente

  1. L
    Lymi

    O Gzimmmm po kur do vesh men mër çun...po leja deputetit të zonss ato pun or ti

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje