Në Durrës pritet fluks turistësh, propozim që universiteti të mbyllet që në qershor! Studentët: Do të ketë më shumë mundësi punësimi

11 Shkurt 2024, 15:20Sociale TEMA
Në Durrës pritet fluks turistësh, propozim që universiteti

Operatorët turistikë në Durrës po kërkojnë mbylljen e vitit akademik që në muajin qershor, për të pasur kontigjentin e duhur të punonjësve në përballimin me sukses të sezonit të ri turistik.


“Me burimet njerëzore kemi pasur probleme dhe po punojmë fort dhe me burimet vendase e ato të huaja. Ajo që vlen të theksohet është kërkesa jonë që viti akademik të mbyllet brenda qershorit që ne të kemi mundësi të marrim në punë nxënës e studentë gjatë sezonit.

Ata janë një krah i mirë pune dhe si në të gjithë botën studentët janë pjesa më e vlefshme e shoqërisë”- tha Eduard Xhepa, Kryetar i ATA Durrës.

Në kërkim të punës dhe më shumë të ardhurave për të mbuluar nevojat e tyre, studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit e gjejnë të dobishme këtë kërkesë të shoqatës së turizmit.

“Më duket goxha ide e mirë dhe bie dakord përderisa jetesa është pak e vështirë për studentët të kenë më shumë mundësi punësimi”- tha një student.

“Pse jo do të ishte një mundësi shumë e mirë dhe për studentët që të punojnë. Ne që jemi viti i tretë na duhen dhe mundësi financiare për të arritur studimet e mëtejshme”- u shpreh një tjetër.

“Mirë është të mbyllet më shpejt shkolla për studentët dhe biznese, sidomos ato që punojnë në zonën bregdetare. Është diçka e mirë që shkolla të mbyllet herët. Unë vetë jam në punë gjatë të gjithë kohës”- tha studenti.

“Më duket lajm shumë i mirë se është mundësi për ne studentët që duam të vazhdojmë dhe masterin”- vijoi një tjetër student.

Pritshmëritë e operatorëve turistikë për këtë vit janë të larta dhe flukset që në muajt e parë të vitit i bëjnë ata optimistë.

“Edhe tani kanë filluar turistët që të vijnë. Do të thotë që ky sezon do të jetë shumë i mirë. Strukturat turistike janë duke u përgatitur për ta përballuar me sukses fluksin që pritet. Duhet qartësuar për ata që pyesin a është e aftë Shqipëria për ta përballuar këtë fluks.

Është i përballueshëm sepse në industrinë e turizmit gjithçka funksionon me prenotime dhe kur ka vende të lira, ata do të vijnë. Ne kemi në qendër të vëmendjes që të kemi një shërbim me standarde, paketa turistike të konkurueshme me rajonin, të promovojmë sa më shumë vlerat arkeologjike- kulturore që Shqipëria ka dhe të kemi elementet kryesore, siç janë pastërtia, sinjalistika dhe trafiku rrugor. Shihet një angazhim dhe nga ana e shtetit dhe nga ana jonë për të përballuar me sukses, cilësi e sasi këtë fluks”- tha Xhepa.

Edhe pse ende dimër, Durrësi ofron një pranverë për turistët e huaj, kryesisht të rinj, që i ndesh kudo në qytet dhe bregdet.

“Unë jam studente dhe kisha pushimet mes dy semestreve. Të dyja kemi disa ditë pushimesh dhe vendosëm të vijmë këtu. Jemi nga republika çeke. Dëgjova më shumë për Shqipërinë kur isha në një internship në Greqi ku takova një vajzë shqiptare. Në pushimet e para që patëm, morëm avionin dhe ja ku jemi”- tha një turiste çeke.

“Jam vërtet e kënaqur dhe është hera ime e parë këtu. Ajo më ftoi dhe erdha. Jam e kënaqur nga vendi dhe mikpritja”- u shpreh një tjetër.

“Nuk është tamam dimër për ne, sepse në Poloni është 3 gradë tani, ka shumë erë dhe re. Këto janë pushime për ne. Është këndshëm dhe besoj se do ca kohë për të përfunduar dhe këto investimet në ndërtesa”- tha një turist polak.

“Është hera e parë në Shqipëri. Ka më shumë diell këtu dhe është përfekt për mua. Kam nevojë për këtë. E ka hasur në internet dhe TV që shumë njerëz nga Polonia vijnë për pushime në Shqipëri dhe erdhëm”– tha një tjetër turist polka.

2 Komente

  1. M
    Martin

    Muaji akademik i te gjitha shkollave dhe universiteteve duhet te perfundoje maksimumi me 31 maj te cdo viti; jo thjehst per turizmin, por per funksionimin e trurit te studenteve dhe pedagogeve. Ne SHBA shkollat dhe universitetet e perfundojne vitin akademik me 15 maj.

    1. p
      pjeter

      Mbylleni fare atehere,keshtu kane mundesi te punojne,por skllever tere jeten!! Sikur edhe nje dite ti heqesh shkolles eshte dem!duhet investuar rende tek arsimi o mjeshtra,jo me iniciativa driteshkurtra si kjo.

      Lini një Përgjigje