Pasiguri dhe presion: Motoristët e sektorit “delivery” përballen me risk të lartë në punë

7 Qershor 2023, 21:00Sociale TEMA

Pasiguri dhe presion: Motoristët e sektorit “delivery”

Punonjësit e sektorit të shpërndarjes përballen shpesh me aksidente në rrugë gjatë punës së tyre, por vetëm një numër i vogël i këtyre rasteve raportohen në polici dhe në Inspektoriatin e Punës.

Nga Anesti Barjamemaj

Bislim Lakna është një aktivist i njohur i “Organizatës Politike”, tashmë pjesë e “Lëvizjes Bashkë”. Historia e tij më pak e njohur është puna e gjatë si shpërndarës në Tiranë, gjatë së cilës Lakna pësoi tre aksidente, fatmirësisht pa pasoja të rënda.

“Aksidentin më të vogël që kam bërë, kur më përplasi një makinë jo me shpejtësi, por unë rashë në tokë. Erdhi policia, erdhi edhe menaxheri i kompanisë dhe pasi u largua policia, menaxheri më tha: do e vazhdosh punën të lutem, se jemi shumë në fluks', tha Lakna për BIRN.

Lakna punoi për tre kompani të ndryshme të shërbimit “Delivery” në Tiranë dhe siguria në punë linte sipas tij për të dëshiruar.

“Kontrata kur punoja në një kompani  shkruante se në rast aksidenti në punë, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit dhe shkaktar është vetëm aftësia e drejtuesit të mjetit, pra motoristit,” shtoi ai.

Shërbimi i shpërndarjes u zgjerua së tepërmi gjatë pandemisë së COVID-19 dhe vlerësohet sot si një sektor me risk të lartë sa i përket shëndetit në punë, ndonëse numri i aksidenteve të raportuara është i ulët.

Në raportin e vitit 2022, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore u zotua që t'i kushtojë më shumë rëndësi këtij sektori, pasi identifikoi një aksident me vdekje dhe dy të tjerë me plagosje.

“Bazuar në këtë analizë të aksidenteve me vdekje, duhet t'i kushtohet vëmendje e shtuar sektorit të shërbimeve ‘delivery' në raport me kryerjen dhe kontrollin e dokumentit të vlerësimit të riskut për profesionin “motorist”, pasi vendi i tij i punës është lëvizja në rrugë,” thuhet në raportin e Inspektoriatit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pavarësisht se një numër i madh motoristësh rrezikojnë jetën gjatë punës së tyre, vetëm një numër i vogël aksidentesh raportohen dhe hetohen.

Aksidentet nuk raportohen

Bazuar në numrin e aksidenteve të raportuara pranë Inspektoratit të Punës, shërbimi i shpërndarjes është larg së qenit problematik, krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë si ndërtimi apo minierat.

Në  ndërtim u regjistruan 38 aksidente me 10 viktima dhe në miniera e karriera 27 aksidente me 5 viktima gjatë vitit 2022. Në total pati 108 aksidente në punë me 32 viktima, ku sipas ISHPSHSH-së vetëm 1 ishte nga shërbimi i shpërndarjes.

Megjithatë, numri i aksidenteve pa viktima në punë  të raportuara në Shqipëri është 65 herë më e vogël se mesatarja e Bashkimit Evropian për 100 mijë të punësuar.

Një situatë e ngjashme duket se vlen edhe në sektorin e shpërndarjes. Inspektoriati i Punës i tha BIRN se e klasifikoi sektorin e shpërndarjes me risk për shëndetin në punë pas aksidenteve të vitit 2022.

“Për vitet e mëparshme nuk kemi patur raste të aksidenteve në këtë aktivitet,” tha Inspektoriati në një përgjigje me shkrim. “Kjo është dhe arsyeja, për të cilën i kemi dhënë vëmëndje dhe e kemi klasifikuar si sektor me risk për sigurinë dhe shëndetin në punë,” shtoi Inspektoriati në përgjigje.

Megjithatë, të dhënat e raportuara nga policia tregojnë se edhe gjatë vitit 2021 janë shënuar tre aksidente që përfshinin shpërndarësit e ushqimit në Tiranë, Berat dhe Vlorë. Këto raste nuk figurojnë në statistikat e Inspektoriatit të Punës.

Vetë punonjësit e sistemit flasin për një sërë aksidentesh, përfshi të tilla që nuk raportohen as në polici.

Një motorist, që pranoi të identifikohej vetëm si Bledi, tha se ishte aksidentuar, por për shkak se lëndimet ishin të lehta, aksidenti nuk ishte raportuar. Ky reporter dëshmoi një aksident të një punonjësi shpërndarje, i cili mbeti i rrëzuar nën motor në rrugicën që lidh Qytetin Studenti me Ambasadën e SHBA. Pasi u ndihmua që të ngrihej, motoristi rreth të dyzetave nuk kërkoi ndihmë mjekësore dhe as nuk kërkoi të raportohej ngjarja.

Lakna i tha BIRN se motoristët nuk i raportojnë aksidentet në rrugë, pasi u druhen ndëshkimeve nga policia.

“Pasi një kolegu im bëri një aksident me fatalitet para disa muajsh, policët nisën një lumë gjobash ndaj motoristave,” tha ai.

Lakna thotë se përtej problemeve të sigurisë rrugore, puna në sektorin “delivery” ishte shpesh e keqpaguar dhe se motoristët ngakoheshin me shpenzime të mirëmbajtjes së mjeteve, ndërsa kontratat nuk parashikonin mbrojtje në rast aksidenti. Ai shtoi gjithashtu se nuk respektohej Kodi i Punës për orët shtesë të punës apo punën gjatë natës.

“Shërbimet teknike të mjetit në pjesën më të madhe të rasteve i bën vetë motoristi. Kompania nuk mban asnjë përgjegjësi, sipas tyre motoristi mund të bëjë ç'të dojë, mjafton që të vijë në punë sepse ata nuk kanë një mjet rezervë në rastet kur mund të pezullohet puna në fluks apo kur mjeti mund të prishet,”, shtoi Lakna.

Inspektorati i Punës tha se në inspektime nuk ishin gjetur shkelje të tjera, përpos atyre të qarkullimit rrugor. Inspektorati mohoi gjithashtu të kishte hasur kontrata ku përgjegjësia për aksidentet i lihej punëmarrësit.

“Në rastet e aksidenteve në punë të hetuara gjatë vitit 2022 nuk janë konstatuar shkelje në drejtim të marrëdhënieve të punës si orët shtesë, zbatimi i kontratave të punës etj, por masat (sanksionet)  e inspektorëve të punës janë vendosur për çështjet që lidhen me legjislacionin e sigurisë dhe shëndetit në punë,” thuhet në përgjigje.

Inspektoriati sqaroi gjithashtu se në rastet e analizuara, shkak për aksidentet ishte moszbatimi i rregullave të rrugës.

“Nga hetimi i aksidenteve në punë ka rezultuar se shkak ka qenë moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjitha palët e përfshira në aksident,” tha Inspektoriati.

Punë nën presion

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe, i tha BIRN se motoçiklistët përballen me një sërë rreziqesh ndërsa udhëtojnë në rrugët e Shqipërisë.

“Shkeljet e së drejtës së kalimit të shoferëve në kryqëzimet të tipit “T” janë një shqetësim për sigurinë e motoçiklistëve. Në veçanti, drejtimi i mjetit gjatë natës, ngasja në trotuar dhe kalimi me dritë të kuqe ndikojnë në ashpërsinë e përplasjeve me motor,” tha eksperti.

Sulçe sqaroi gjithashtu se personat e aksidentuar që lëvizin me motor janë të moshës nga 19-23 vjeç dhe sipas studimeve, shpejtësia e mjeteve që kanë pësuar aksident ka qenë midis 50 dhe 70 km/h, që është përtej normave të lejura në rrugët brenda qytetit.

“Në vendin tonë trafiku është i çrregullt e i ngarkuar dhe kultura e sigurisë rrugore nga përdoruesit e rrugës është e ulët, kështu që përdoruesit e motoçikletave ballafaqohen me një risk të madh gjatë lëvizjes së tyre në zonat urbane,” shtoi Sulçe.

Por tejkalimet e shpejtësisë dhe pakujdesitë në rrugë në rastin e shpërndarësve lidhen me presionin e lartë për të shërbyer brenda një kohe të shkurtër.

“Kur je në motor, të bën presion pronari që të nxitosh për ta çuar porosinë shpejt, të bën presion klienti që t'ia çosh porosinë shpejt, të bën presion polici sepse ti do të nxitosh, të bëjnë presion makinat se ti do u zësh rrugën, do  tregohesh më i nxituar, më i pakujdesshëm. Në oraret e fluksit është një punë jashtëzakonisht stresuese,” kujtoi Lakna.

Ai thotë se shpesh motoristët bëjnë dy punë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme dhe shumica prej tyre punojnë të paktën 10 orë, gjë që sjell llodhje dhe probleme në rrugë.

Edhe për Bledin, 32-vjeçarin që punon si motorist në një postë private, stresi në këtë lloj pune është shumë i lartë.

“Kjo është një punë e rrezikshme, pasi je gjithë kohën në kontakt me rrugën, rrezikun nga makinat. Gjithashtu  qarkullimi me motor është një rrezik më vete, pasi është një mjet jo shumë i sigurt,” thotë ai.

Psikologia Arjana Muça tha gjithashtu se niveli i stresit tek personat që punojnë në sektorin e shpërndarjes është shumë i lartë. Sipas saj, kjo është e lidhur me frymën që bizneset përcjellin për të qenë sa më shpejt dhe afër klientit.

Si problem për shtimin e stresit, Muça shikon edhe trafikun që shpesh është kaotik dhe i padisiplinuar. “Në rrugët tona ne shohim përditë raste të aksidenteve te personat që shpërndajnë porosi të klientëve,” tha Muça.

Lini një Përgjigje