Problemi i vijës bregdetare dhe monitorimi gjeodezik i saj

3 Nëntor 2023, 20:13Sociale TEMA
Problemi i vijës bregdetare dhe monitorimi gjeodezik i saj

Nga Prof.Dr. Marenglen Spiro

Ndryshime të vijës bregdetare të vendit janë vënë re prej shumë kohësh dhe, shpesh herë, fenomeni është bërë edhe objekt i mediave dhe shoqërisë civile, duke patur parasysh dhe interesuar pwr zhvillimin normal tw jetws ekonomike aktive tw vendit. Në fakt, arsyet përmblidhen, thellësisht, në dinamikën e tokës e të detit, shkaqet e të cilës janë kompleksë dhe qëndrojnë në aspektet më themelore të lëvizjeve tektonike, që nga thellësitë e shresave tokësore e deri në siëprfaqe. Zona e Gjirit të Divjakës shfaqet mjaft e prekur nga ky fenomen si dhe paraqitet me të gjitha mundësitë për të zhvilluar një kërkim shkencor të mirëfilltë e me rezultate me vlera.

Për këto arsye dhe në vijim të aktivitetit kërkimor në mbështetje të njohjes së vetive gjeomorfologjike të vendit, të dinamikave të shtresave tokësore e detare, si dhe të argumetimeve për parashikimet e ecurive ndërtimore dhe aktivitetet ekononike, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi një simpozium, më një studim të mirëfilltë të Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierisë lidhur me dinamikën e vijës bregdetare të vendit (me një fokus të gjërë të dhënash studimore e interpretimesh për Gjirin e Divjakës).

Studimi është interesant dhe shumëdisiplinor, i cili angazhon në gjirin e grupit përkatës së punës pranë Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinerisë specialistët më të mirë nga fusha e Gjeologjisë, Gjeodezisë, Sizmikës dhe Tektonikës, Gjeofizikës, Hidrologjisë, Tokave dhe Erozionit, Ndërtimit, Klimës, Bujqësisë dhe Biologjisë si dhe mbështetet në një përpunim të saktë, metodik dhe të shumëllojshëm të informacionit digital satelitor, në bazë të metodave më të përparuara të teknologjisë së informacionit.

Njësia Kërkimore e Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierisë të Akademisë së Shkencave është në ndjekje të këtij fenomeni dhe të ecurive përkatëse të niveleve dhe vijëndarjeve bregdetare në të gjithë vendin, duke e konsideruar këtë fenomen si faktor thelbësor me një ndikim e pasoja të rëndësishme në aktivitetin shkencor dhe ekonomiko – shoqëror të vendit. Në simpoziumin e fundit, u paraqitën rezultatet themelore të studimeve të reja për zonën e Gjirit të Divjakës, në kuadrin e gjithë strategjisë së njësisë kërkimore në fjalë, për shtrirjen e mëtejëshme studimeve në të gjithë bregdetin shqiptar.

Faktori i parë që ndikon në dinamikën e vijës bregdetare është ai gjeotektonik. Në simpozium u ndoqën me interes të madh e vëmendje të dhënat e fundit, (krahas paraqitjes së ngjarjeve kryesore sizmike gjatë kohërave) lidhur me parametrat e aktivitetit sizmo-tektonik të zonës së Gjirit të Divjakës; ndikimi i lëvizjeve tektonike ka vlerë mesatare tërheqje vjetore të detit prej -2,277m/vit. Më tej, u komunikuan përcaktimet e vektorit të ndikimit tektonik të kësaj vije bregdetare mbështetur në të dhënat e marra nga rrjetet gjeodezike satelitore (GNSS).

Një faktor i rëndësishëm përcaktues është ndryshimi i nivelit të mesatar të detit, në dinamikën e vijës bregdetare të zonës në fjalë. Efektet e këtij faktori që shfaqen dukshëm, u analizuan të përpunuara dhe të klasifikuara për të bërë të mundur arritjen e konkluzioneve sa më të sakta, me qëllim marrjen e masave të duhura përballë zhvillimeve të mëtejëshme të këtyre efekteve. Ndikimi i ndryshimit të nivelit të detit, ka një vlerë mesatare vjetore të avancimit të detit drejt tokës, prej +4,750m/vit. Në ndjekjen e ndryshimeve të vijës bregdetare, grupi i studimeve në teknologjitë e informacionit dhe inteligjencës artificiale, paraqiti përpunime dhe metodologji të trajtimit të të dhënave satelitore, nëpërmjet iteracioneve logjike dhe duke bërë të ditur me saktësi gjendjen e vijës së sotme bregdetare të zonës dhe parashikimet përkatëse.

Ndryshimet në topografinë e tabanit të detit ishte një pjesë mjaft interesante e punimeve të simpoziumit. Gjiri i Divjakës paraqet kushte të veçanta e specifike hidro – gjeomorfologjike, të cilat kanë një ndikim të veçantë në dinamikën e vijës bregdetare në studim. Ndikimi i topografisë së ndryshimit të tabanit të detit është ndikimi më i madh në dinamikën e vijës bregdetare; në nënzonën veriore (pranë deltës së Shkumbinit) me një vlerë mesatare vjetore të avancimit të detit prej +31,000m/vit. Përcaktimi i vektorit të ndryshimit të topografisë së tabanit të detit në këtë dinamikë, i studjuar përgjatë gjithë deltës së Shkumbinit dhe deltës së Semanit, u paraqitën si rezultat i të dhënave të sigurura nga rilevimi batimetrik satelitor në zonë.

Në zonën në studim, të gjithë faktorët së bashku, japin një ndikim mesatar në dinamikën e vijës bregore me vlerë prej +27,631m/vit në zonat me avancim të detit drejt tokës (procesi i përmbytjes) dhe -18,127m/vit në zonat me tërheqje të detit (procesi i fitimit të tokës së re). Mjaft nënfaktorë të tjerë të lidhur me atë kryesor të këtyre deltave, e plotësojnë pamjen e mozaikut të njohjes shkencore në thellësi të problemit dhe të dhënies së rekomandimeve të duhura. Prurjet e atyre lumenjve të përmendur, erozioni detar së bashku me ndikimin e tij në vegjetacionin dhe pyjet e zonës së deltave në fjalë, bashkëlidhur me veçoritë fiziko – kimike të ujit të Lagunës ë Karavastasë, e plotësojnë këtë përshkrim shkencor të këtij faktori mbizotërues në dinamikën e vijës bregdetare të Gjirit të Divjakës.

Duke pasqyruar këtë aktivitet, me të dhjetë punimet e paraqitura, Njësia e Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierisë e Akademisë së Shkencave, dëshmoi për mundësitë e plota shkencore e kapacitetet intelektuale për të dominuar në studimin e të gjithë vijës bregdetare të vendit, me qëllim mbrojtjen e saj dhe dhënien e rekomandimeve dhe formulimin e oponencave të duhura lidhur me ndërtimet dhe zhvillimet perspektive të zonave bregdetare.

3 Komente

  1. J
    JU LUTEM REDAKSISE SE GAZETES TE BEJE SQARIMIN PER

    Une nuk arrij te kuptoj persa thuhet ketu ! Te depertoje deti ne brendesi dhe te rrembeje toke deri ne 27,631 m , qe i thone me teper se 27 km ne vit . Ne se eshte keshtu , i bie qe pas 10 vjetesh deti te jete futur rreth 276 km ne thellesi te tokes . Kjo do te thote qe , ne se Shqiperia ne gjeresine e saj tokesore ne ate paralel , nga rreth 100 km qe shkruhet ne librin e gjeografise , te kete shkuar deti pertej kufirit tone dhe te jete mbytur kjo pjese e Ballkanit deri ne kufi me Bullgarine . A i shikojne se cfar shkruajne keta akademistet tane , keta gazetarucet analfabete totale se po e cmendin popullin me keto idjotesira .

    Përgjigjjuni
    1. L
      Lexues

      Mendoj qe behet fjale per 27 metra por qe ky akademiku ka zgjedhur ta shkruaj me tre shifra pas presjes dhjetore. Me thene te drejten mua si jo-ekspert me duken shume edhe 27 m ne vit. Duhet te kishin dhene me shume kontekst per lexuesit. Sa eshte avancimi/terheqja ne vende te tjera ne Mesdhe per shembull? Nuk eshte shkrim per gazete. Nese do te popullarizosh rezultatet e nje studimi shkencor ne gazete duhet te permbledhesh rezultatet kryesore ne nje gjuhe qe eshte e kuptueshme per nje njeri qe s’eshte ekspert i fushes edhe t’i vesh ne kontekstin e duhur. Keta te Akademise ose duan te tregojne se “po bejme shkence te madhe” ose vertete nuk dine te shkruajne me stil qe i pershtatet audiences. Nese eshte kjo e dyta, duhet te bejne nje kurs komunikimi.

      Përgjigjjuni
    2. L
      Lexues tjeter

      Shifrat e te dhejtave, ne shkrimin shqip, ndahen me presjen dhjetore.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje