Qeveria në kërkim të investitorëve për kombinatin e armëve në Poliçan

18 Prill 2024, 20:40Sociale TEMA
Qeveria në kërkim të investitorëve për kombinatin e

Qeveria miratoi të mërkurën një projektligj për shlyerjen e detyrimeve financiare të prapambetura për pagat dhe sigurimet e ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan, një ndërmarrje shtetërore e themeluar në vitin 1962 me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.

Krahas pranimit të këtyre detyrimeve, që kapin shifrën 83.8 milionë lekëve, qeveria deklaron se po përgatitet ta rikthejë këtë kombinat në punë për prodhim municionesh ushtarake duke kërkuar investitorë të huaj.

Projektligji parashikon pagesat e detyrimeve për paga, sigurime shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve e të ish-punonjësve për vitet 2017-2023 nga fondet buxhetore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Numri i personave që preken nga ky projektligj është 131, nga të cilët katër janë punonjës aktualë dhe 127 të tjerë të larguar nga puna.

Vendimi kaloi në mbledhjen e qeverisë 24 orë para se ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi të përballej në një interpelancë parlamentare të thirrur nga kolegu i tij socialist, Nasip Naço, pikërisht për këtë çështje.

Gjatë fjalës në Kuvend të enjten, Peleshi tha se qeveria po planifikon të rivendosë në punë ish-industrinë ushtarake për t'u futur në një epokë të re të prodhimit të municionit ushtarak.

“Rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik,” tha Peleshi, duke shtuar se, “po hyjmë në një epokë të re, që nuk është militarizim, por të kontribuojmë në rritjen e kapaciteteve të prodhimit edhe në kuadër të aleancës në NATO”.

Peleshi bëri të ditur se  agjencia e prokurimeve të NATO-s ka kryer një raport para-fizibiliteti për Poliçanin për të kuptuar sipas tij, “se cila është vlera e aseteve tona dhe kërkesat globale”.

Gjithashtu, ai pranoi se ka pasur investitorë potencialë të interesuar nga disa vende si Turqia, Italia, Izraeli, etj., dhe se qeveria po planifikonte të futej partnere në këto investime.

Interesi i Shqipërisë për t'u rikthyer te prodhimi i armëve u artikulua në publik gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski në shkurt, i cili kërkoi nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit që të bashkëpunojnë në prodhimin e municioneve, si një mbështetje për Ukrainën në konfliktin ushtarak me Rusinë.

Kombinati Mekanik i Poliçanit, sipas informacionit zyrtar në faqen e ministrisë së Mbrojtjes, deri në vitet '90 ka pasur linja prodhimi municionesh nga më të ndryshmet, të tilla si municion për “Kallashnikov”, mortajë 82 mm, granata dore deri tek minat anti-tank e mortaja të kalibrave më të lartë.

Aktualisht, ndërmarrja prodhon vetëm municion pistolete të tipit “Makarov” dhe “Parabellum” me kalibër 19mm, por sipas ministrisë, ajo ka kapacitet edhe për prodhime fonderie hekuri dhe çeliku. (BIRN)

7 Komente

  1. G
    Gezuar Hidhnim.

    U desh ardhja e zheles Zelenski ne Shqiperi qe punetoret e shkrete te kesaj ish uzine te likujdohen prej qeverise per detyrimet e prapambeteura ne vite. Edush mos u "lodh" per te gjetur investitore ata jane gati dhe me projekte shume te sakta i ke ne Rusi dhe ne Kine, keto lloj mbetjesh (bajga) vetem keta i sjellin ne terezi. Rrofte miqesia e pathyeshme midis Ukarines (qe nuk njeh Kosoven gjysmen e tone) dhe Shqiperise.

    Përgjigjjuni
    1. J
      Jorgo

      po deri para ca vitesh na cate trapin me Majko e kompani se duhen shkrire kallashet e tanket per skrap.... legena te korruptuar

      Përgjigjjuni
      1. p
        pilo Lala

        Per hir te vertetes, sot po udheheqin Shqiperine njerez qe dine cfare bejne, po ju japin vlere objekteve te vdekura permbi 30 vjet.

        Përgjigjjuni
        1. I
          Infantil

          Ti po be sarkazem besoj, nuk mund te jesh kaq idiot

          Përgjigjjuni
        2. p
          prifti

          Nuk e kuptoj se si mund te ngrihet industria e prodhimeve ushtarake ne kohen kur e gjithe indsutria minerare, metalurgjike, kimike e ajo ushtarake jane shkaterruar plotesisht. Ne kohen kur ringritja e gjithe kesaj industrie eshte e pamundur, atehere mbetet qe te gjitha lendet e para dhe materialet e nevojshme per kete industri te importohen, a thua ja vlen? Mos do te jete me mire te importojme prodktet e gatshme. Kjo sepse besoj se nuk do te gjenden investitore qe te ngrene te gjithe industrine tone tashme te zhdukur nga faqja e dheut. Ka ardhur koha qe Shteti dhe drejtesia ti kujtojne politikane tane injorante dhe kriminele se shkaterrimi i indsutrise ishte krim, e qe dikush duhet te pergjigjet sado pak per kete krim.

          Përgjigjjuni
          1. p
            pinoku

            Nuk ishte vetëm shkatërrimi i industrisë o prifti! Ishte shkatërrimi i gjithë Shqipërisë! Që të ribëhen të gjitha nga e para nevojiten të paktën 100 miliardë euro. Si u bënë të pasur oligarkët dhe politikanët?! Duke shitur Shqipërinë pjesë pjesë. Si të ishte ndonjë lopë e çuar për therrje. Ti ke plotësisht të drejtë kur shkruan se nuk mund të ringrihet vetëm Poliçani, po nuk u ringrit e gjithë industria e rëndë dhe minerare. Po Rama nuk ka aq tru sa të kuptojë këto gjëra.Të na rrojë turizmi tani, se s'dihet na sjell ndonjë lek dhe dërgatat në valutë të diasporës. Më duket se në këtë gjendje ishim edhe fiks para 100 vjetësh: më 1924-tën!

            Përgjigjjuni
            1. o
              oficeri

              Se pari, si gjithmone gazetaret analfabete te Meros do e tregojne nivelin e dijeve tyre ne fushen ushtarake. Keshtu, nuk ka municion "Parabellum” me kalibër 19mm". "Parabellum” quhet ndryshe fisheku me kaliber 9 mm dhe perdoret jo vetem ne pistoleta, por edhe ne arme te vogla automatike te destinuara per luftime ne distanca te shkurtra. Po keshtu, Makarov eshte nje pistolete e prodhimit rus te kohes se luftes dhe mbas ssaj qe perseri perdor te njejten kaliber 9 mm.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje