E ftuar në epsiodin e radhës të Apostrof Podcast, Vjosa Musliu – Profesore e Asociuar e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Unviersitetin e Lirë të Brukselit – ofroi ndër të tjera edhe një lexim të mprehtë të mënyrës se si operon pushteti përmes asaj që ajo e cilëson si “hierarki të dobësisë”, veçanërisht e dukshme në marrëdhënien mes Bashkimit Evropian dhe vendeve periferike ndaj tij.
Si shembull ajo solli rastin e Shqipërisë, duke theksuar se si për vite me radhë Shqipëria është përshkruar si nëj vend që nuk ishte gati për t’u konsideruar seriozisht si një kandidat potencial për t’u anëtarësuar në BE. Por, Musliu argumenton se ndryshimi i këtij perceptimi nuk erdhi për shkak të ndonjë progresi të papritur domethënës institucional dhe as si rezultat i ndonjë arritjeje të rëndësishme demokratike.
“Ajo çfarë duket në fakt, qartësisht që ka ndodhur me Shqipërinë këto vitet e fundit është e gjithë pagatishmëria e Shqipërisë për t'u bërë një vend seriozisht i konsiderueshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çuditërisht ka marrë një kthesë tjetër në momentin që Shqipëria pranoi në një farë mënyre, të bëhet bartëse e politikave të përjashtimit të Bashkimit Evropian në raport me emigrantët nga vendet e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme, por jo vetëm.”
Musliu shton se ky ndryshim ekspozoi se si edhe vetë “dobësia" dhe "pagatishmëria” nuk janë gjendje fikse, por një kategori politike që mund të rikalibrohet sipas interesave të pushtetit.
“Këtu pastaj e shikon se si nga një shkallë e caktuar e viktimës, Shqipëria ngrihet edhe fiton një pozitë tjetër prej një të dobëti që nuk është aq i dobët sa ishte para këtyre para ktyre marrëveshjeve.”
Argumenti i Musliut shtrihet përtej Shqipërisë, teksa vë në dukje një logjikë më të gjerë, sipas së cilës shtetet periferike manaxhohen dhe klasifikohen në varësi të asaj se sa të dobishme janë ndaj agjendave gjeopolitike.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Kujtimet e një fëmije përballë “paqes” së të rriturve | Vjosa Musliu | Apostrof #49