Antropologu Nebi Bardhoshi e sheh protestën e ditëve të fundit si një përballje mes një sheshi të larmishëm qytetarësh dhe një strukture shtetërore-partiake që, sipas tij, ka përvojë të gjatë në përçarjen dhe demonizimin e kundërshtarëve.
Gjatë bashkëbisedimit në Apostrof Podcast me Bjorn Runën, Bardhoshi tha se një nga pyetjet që qytetarët ngrenë jashtë sheshit është se çfarë do të vijë pas protestës: nëse do të lindë një forcë politike, një grup përfaqësues apo kërkesa më të qarta.
“Kërkesa kryesore që kanë njerëzit është kur e thonë individualisht, jashtë sheshit: po mirë, çfarë vjen mbrapa? Do dalë një forcë politike prej kësaj, do dalë një grup, a do dalim me kërkesa më të qarta?”, tha Bardhoshi.
Sipas tij, edhe nëse protesta nuk ka ende një formë të qartë organizative, ajo shpreh një aspiratë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.
“Për me fol për një aspiratë që ka një revolucion ose ka shoqëria shqiptare, edhe kaq ti thua është e mjaftueshme”, u shpreh ai.
Bardhoshi tha se, ndryshe nga sa pretendohet shpesh, Shqipëria gjendet në fund të tranzicionit, por mund të jetë duke hyrë në një tranzicion tjetër, drejt demokracisë reale dhe shtetit të së drejtës.
“Ata që kanë tezën që ne jemi në fundin e tranzicionit dhe po shkojmë në demokraci, unë i kuptoj si teza dashamire dhe aspirative, por ne do hyjmë në tranzicion tjetër për të kaluar në demokraci reale, shtetit të së drejtës etj.”, tha ai.
Antropologu theksoi se, në mënyrë që kjo energji të shndërrohet në ndryshim të vërtetë, ajo duhet të mbahet gjallë vazhdimisht.
“Duhet energji konstante. Nëse ne ia dalim për ta quajtur revolucion deri në fund, është mbajtja e këtyre parimeve për ta shndërruar shoqërinë vërtet, sidomos rikthimin e shtetit si të përbashkët”, tha Bardhoshi.
Duke folur për mungesën e një grupi përfaqësues të protestës, Bardhoshi tha se kjo nuk është domosdoshmërisht dobësi. Sipas tij, nëse një përfaqësi do të dilte përballë kryeministrit dhe mediave pranë tij, ajo do të demonizohej shumë shpejt.
“Po ta kishte përballë këtë grup Rama dhe media e Ramës do ta demonizonte shumë shpejt”, tha ai.
Bardhoshi tha se pushteti përdor një teknikë të njohur për t’i paraqitur kundërshtarët si armiq.
“Si do ta demonizonte dhe si po përpiqet t’i demonizojë ato grupe që i krijon vetë media si grup përfaqësie është me këtë teknikën e armiqve. Pra, përdor gjithë arsenalin e teorive konspirative bashkëkohore, plus arsenalin e Partisë Punës, plus arsenalin që të ofron ideja e shtetit dhe rrezikut të përbashkët”, u shpreh ai.
Pikërisht për këtë arsye, sipas Bardhoshit, rezistenca ndaj nxjerrjes së negociatorëve konkretë është krijuar edhe nga vetë natyra e pushtetit me të cilin po përballet protesta.
“Vetvetishëm kjo rezistencë, ky mur shtetëror i këtij shteti të zaptuar i ka krijuar kushtin social kësaj proteste që të mos dalin me negociatorë konkretë”, tha ai.
Ai shtoi se sheshi është shumë i larmishëm dhe ndryshon vazhdimisht, çka e bën të vështirë pyetjen se kush mund të flasë në emër të tij.
“Nëse do dilte një përfaqësi e mandatume, pyetja është si? Prej kujt? Kush e jep këtë përfaqësi? Aty sheshi është jashtëzakonisht divers dhe çdo ditë mbushet dhe çdo ditë ndryshon”, tha Bardhoshi.
Sipas tij, protesta përballet me një strukturë politike shumë më të organizuar dhe më monolite, Partinë Socialiste, të cilën ai e përshkroi si një forcë me trashëgimi të fortë lufte dhe përçarjeje politike.
“Përballja është e tillë. Është një shesh shumë divers dhe qytetarë të lirë me grupe politike, të gjitha grupet e mundshme sociale. Në krahun tjetër kemi partinë në pushtet që ka eksperiencën më të gjatë për të përçarë të tjerët dhe për të mbajtur monopolin shtetëror të qeverisjes”, tha ai.
Bardhoshi u ndal edhe te kontradikta që, sipas tij, ka Partia Socialiste me vetë emrin dhe parimet e saj, duke theksuar se rasti i fundit e ka bërë më të dukshme braktisjen e parimit të pasurisë publike.
“Si mund të jetë një parti socialiste, e cila nuk njeh asnjë princip të pasurisë publike? Është goditje drejt e në zemër të parimeve socialiste”, tha ai.
Në fund, Bardhoshi e përshkroi protestën si një përballje mes shoqërisë që kërkon rikthimin te e drejta dhe demokracia, dhe një pushteti që, sipas tij, vepron përmes forcës, kontrollit dhe uzurpimit të shtetit.
“Shohim një përballje, po ta kthejmë te fusha e ligjit, është shoqëria që i referohet së drejtës dhe idesë së të drejtës për t’u rikthyer te demokracia dhe te ligji i drejtë, dhe forcës dhe kontrollit në krahun tjetër dhe uzurpimit të shtetit nga partia kryesore”, tha Bardhoshi.
Sipas tij, ende mbetet e hapur se si do të shkojë kjo përplasje, por për momentin forma aktuale e protestës ka pasur një efekt të rëndësishëm politik.
“Se si do shkojë kjo përplasje, kjo është çështje tjetër, por hë për hë për mua taktikisht është më e mençur kjo përballje që po ndodh sepse ka qartësuar qëndrimet”, përfundoi Bardhoshi.