Mjekja toksikologe dhe adiktologe, Dr. Sonila Bitri, tregon se shpesh në përvojën e saj përballet me çifte që drejtohen për ndihmë kur gjenden në prag të ndarjes. Ajo çfarë i shtyn të kërkojnë ndihmën e terapisë nuk është domsdoshmërisht shpresa se pas rehabilitimit do të mund të pajtohen, por diçka më e brishtë… Është një përpjekje përfundimtare për të ndihmuar partnerin që po zhytet në botën e varësisë.
Dr. Bitri thotë se shumica e pacientëve që përballen me varësinë në Shqipëri janë meshkuj, ndërsa bashkëshortet e tyre, me gjithë lodhjen, mbeten të përfshira në proces. Edhe kur marrëdhënia është krisur tashmë dhe ndarja është duke ndodhur, shumica e tyre vazhdojnë të shoqërojnë bashkëshortët gjatë procesit të rehavilitimit, duke u kthyer në dëshmitare të një rrugëtimi shërues, që jo domosdoshmërisht do të mund ta riparojë marrëdhënien në çift.
Ndërsa prania e tyre nuk është garantuese e suksesit të terapisë, ajo shërben si kujtesë se varësia nuk prek kurrë vetëm personin që vuan prej saj, por riformëson gjithë arkitekturën e ndjenjave dhe emocioneve rreth tyre. Brenda kësaj arkitekture, partnerët shpesh bëhen mundësia e fundit e shpëtimit.