VIDEO/ Rea Nepravishta: Protesta dhe slogani që sfidon kultin e parasë

21 Qershor 2026, 17:05Sociale TEMA
VIDEO/ Rea Nepravishta: Protesta dhe slogani që sfidon kultin e parasë

Në pamje të parë, protestat aktuale mund të duken të lidhura me projekte specifike si ato në Zvërnec apo Sazan, privatizimit të plazheve dhe gardheve që rrethojnë zona dikur të aksesueshme nga të gjithë. Por, ambientalistja dhe aktivistja e majtë Rea Nepravishta sheh në to një revoltë më të madhe kundër një modeli zhvillimi që i vendos çdo gjëje një çmim.

Nepravishta thotë se edhe slogani “Shqipëria nuk është në shitje” ka prekur njerëzit në Shqipëri dhe jashtë saj pikërisht sepse sfidon idenë që ka dominuar për 35 vjet, se paraja është vlera e vetme që i jep vlerë gjithçkaje tjetër. Ajo shton se me rënien e diktaturës, shoqria shqiptare u hodh në një tranzicion agresiv ku toka, natyra, puna e madje edhe marrëdhëniet emocionale mes njerëzve nisën të maten përmes vlerës financiare dhe ky slogan, shenjon një thyerje me këtë logjikë, pasi thotë qartësisht se jo çdo gjë i nënshtrohet logjikës së shit-blerjes.

Ndaj edhe çështja e mjedisit, sipas Nepravishtës, nuk mund të ndahet nga ajo klasore. Nëse flitet për zhvillim, thotë Nepravishta, atëherë kush përfiton prej tij? A do të kenë mundësi mësuesit, mjekët, apo punëtorët e rinj t’i aksesojnë resorted e luksit? Sipas saj, premtimi se resortet e luksit do të sjellin zhvillim, fsheh nga na tjetër një realitet ku pasuria përqëndrohet në duart e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish, duke rrezikuar të thellojë dallimin mesa tyre pronarëve të së ardhmes së vendit dhe atyre që do t’iu duhet të punojnë në të.

Diskutimi ndalet gjithashtu tek intervista kontraversiale e Ivanka Trump dhe përdorimi i gjuhës së “zbulimit” nga elitat globale. Çfarë do të thotë kur një vend me historinë dhe vlerat e veta ekologjike e shoqërore, trajtohet sikur të ishte një tokë e pabanuar në pritje për t’u zbuluar? Nepravishta thotë se sheh te kjo gjuhë një refleks thuajse kolonialist, sipas të cilit e bukura bëhet reale vetëm kur një person i fuqishëm vjen për ta zotëruar atë. Ajo thkeson gjithashtu se ka diçka faustiane në dëshirën e të pasurve për të poseduar me doemos një peizazh të paprekur, ndërsa ngre pyetjen se a jemi ende në gjendje ta shijojmë diçka të bukur duke e lënë të lirë atë?

Nga ana tjetër, ajo ngre shqetësimin e reduktimit të protestës në nacionalizëm përjashtues. “Shqipëria nuk është në shitje” është një slogan i bukur qytetar, por nuk duhet kthyer në diçka përjashtuese, thotë Nepravishta për Apostrof, ndërsa shton se problemi nuk duhet parë vetëm tek investitorët e huaj, por tek një sistem ku politika, oligarkët dhe kapitali global bashkëpunojnë për të privatizuar asete publike.

Në këtë aspekt, protestat aktuale mund të jenë duke shenjuar një ndryshim më të madh kulturor sepse sugjerojnë se shoqëria Shqiptare po del kundër idesë që paraja duhet të jetë ajo çfarë vendos për gjithçka.

 

Lini një Përgjigje