
Ish-studentët janë ambasadorët më të mirë të Kolegjit Profesional të Tiranës. Është pikërisht rrugëtimi e destinacioni i tyre në tregun e punës, që e dëshmon më së miri këtë. 80% e studentëve në KPT gëzojnë profilin e profesionistëve të suksesshëm, si dhe një të ardhme të garantuar. Sepse në Kolegjin Profesional të Tiranës, studentëve nuk iu imponohet nevoja për një mesatare të shkëlqyer, ndjekja e një diplome apo statusi: ritmi i tyre orientohet drejt vlerave, formimit njerëzor e profesional.
Shembujt janë të shumtë. Lioneli, Klausi dhe Nebiu, janë vetëm tre prej ish-studentëve që sot kanë një emër të lakuar. Të punësuar në kompani të ndryshme pas përfundimit të studimeve të larta profesionale, ata janë specialistë të aftë, lehtësisht të identifikueshëm në tregun kaotik të punës.
Lioneli aktualisht punon pranë njërës prej kompanive më prestigjioze të ndërtimit në Shqipëri. 30-vjeçari ka studiuar për Elektronikë, ndërkohë mbetet gjithmonë ambicioz për të qenë pjesë e trajnimeve dhe certifikimeve në këtë fushë. Nuk është e lehtë të ruash ekuilibrin mes jetës profesionale e asaj personale. Megjithatë, Lioneli duket se ia del më së miri mbanë. Ai nuk është vetëm një profesionist shumë i mirë, por edhe një baba i shkëlqyer.
Klaus Zenelaj, 27 vjeç, ka përfunduar të njëjtën degë me rezultate të shkëlqyera dhe praktikën profesionale, që më pas do t’i ofronte mundësi të jashtëzakonshme punësimi, e ka kryer në një kompani lider në Telekomunikacion. Sfidat e kolegjit ndryshojnë trajtë dita ditës, por kjo nuk e ndalon bashkëpunimin me emra të njohur të biznesit e industrisë, me institucione shtetërore dhe ente të pavarura. Sot, Klausi është specialist në një kompani inovatore në fushën e komunikimit.
Nebi Selamaj, një tjetër ish-student i KPT-së, njihet si sipërmarrësi më i ri në fushën e sistemeve të kondicionimit, i cili nuk ngurron së ofruari vazhdimisht praktika profesionale dhe mundësi punësimi për studentët e kolegjit. Ky grup djemsh reflekton arsyen kryesore përse numri i të rinjve në KPT, është gjithmonë e më shumë në rritje.
Vizioni i Kolegjit Profesional të Tiranës është përgatitja e profesionistëve me orientim praktik, që vendosin t’i japin një tjetër mundësi vendit të tyre, duke mos i kthyer shpinën për një pagë të lartë. Puna vijon, është e përditshme për lartësimin e këtij vizioni, dhe mbi të gjitha, nën trysninë e zhvillimit të teknologjisë. Kërkesat e globalizmit mund të marrin përgjigje vetëm falë aftësimit; kurset e liçensuara të KPT perfeksionohen dita ditës - falë njohurive të thella teorike e praktike – ekspertizës, infrastrukturës, logjistikës e burimeve njerëzore.
Së fundmi, studentët e Elektro-Mekanikës kanë ndërtuar një semafor që komandohet me anë të një kompjuteri industrial, i njohur ndryshe nga të fushës si PLC (“Kontrollori Logjik i Programueshëm”), e po njohin si asnjëherë tjetër forcën e tyre kreative e aftësitë e përftuara teknike. Një iniciativë kjo interesante nën drejtimin e pedagogut Ervis Qose, njëherazi sfiduese, që dëshmon përkushtimin e KPT-së për të përgatitur profesionistë në shërbim të shoqërisë sonë.
Nuk është e lehtë të jesh student, nëse marrim parasysh përpjekjet për t’u dalluar mes miqsh e për të qenë dikushi në jetë. Por padyshim është një periudhë që shoqërohet jo vetëm nga momente të vështira, por edhe të bukura e argëtuese.
Kolegji Profesional i Tiranës ofron shumë të tilla. Studentët njohin veten dhe çka i rrethon, zhvillojnë aftësi personale e talente të fshehura, mësojnë esencën e shoqërisë, të punojnë në grup, dhe ndër të tjera të ndihen pjesë e së tashmes pa e sakrifikuar për të ardhmen.
Lini një Përgjigje