Mbrëmja e futbollit, eventi i rrallë u organizua pas fundit të sezonit, ja se kush u shpall analisti i vitit për kampionatin shqiptar

8 Qershor 2023, 23:29Sport TEMA

Mbrëmja e futbollit, eventi i rrallë u organizua pas fundit të


Nga Klaudio Ndreca

Gjithmonë e kemi thënë se infrastruktura sportive dhe mbulimi mediatik është gjithmonë një hap përpara në futbollin shqiptar, madje krahasuar edhe me shumë vende fqinje rrotull nesh. Pas mbylljes së sezonit në Superiore, është koha që të marrin pushimet jo vetëm aktorët e fushës së blertë, por edhe ata të studiove televizive që komentojnë gjithçka nga futbolli i luajtur për ta veshur dhe shitur akoma më mirë këtë produkt.

Kështu emisioni sportiv “Ora Sport” që transmetohet në “RTV Ora” e ka mbyllur këtë sezon dhe do të kthehet në shtator. Pas një pune fantastike në gjithë këtë periudhë të treshes së këtij emisioni, Altin Sulçe-Dorisa Kecani-Drilon Xhepollari, mbyllja nuk mund të ishte kurrsesi e një cilësie të dobët apo zhgënjyese, pra jo normale.

 

 

Një organizim i rrallë dhe ndryshe është bërë në Ajman Park, Shijak, atje ku kanë marrë shumë njerëz të komunitetit të futbollit në vend si Flor Riza, Julian Ahmataj, Edmond Ruco, Edmond Dalipi, Ilir Alliu, Eduard Zhupa, Mired Reçi(etj), por edhe njerëz të tjerë nga bota e artit si Arjan Sukniqi, Erion Korini, Klajdi Musabelliu, apo sportiste si Dorina Mema, gazetare dhe modele. Shumë figura të tjera të njohura ndodheshin aty për të dhënë trokitjen e gotave si një formë urimi për punën e bërë nga ky emision, ku gjithsecili prej tyre e ndien veten si pjesë të këtij projekti.

Për më tepër gjatë darkës, janë ndarë edhe certifikata mirënjohje nga ana e drejtuesve të emisionit “Ora Sport” për të gjithë të pranishmit, duke filluar që nga njerëzit që kanë qenë pjesë e panelit e deri te regjia dhe pjesëtarë të tjerë të padukshëm, pa të cilët nuk mund të bëhej dot asgjë. Notat e spektaklit në këtë event ia shtoi edhe njëherë tjetër me prezantimin e tij Altin Sulçe, duke i thirrur emrat e të pranishmve në skenë si të ishin fitues të një dueli boksi, nga ato të peshave të rënda.

Ishte kjo një formë e re për t’i bërë që të ndihen të gjithë sadopak të rëndësishëm, duke i lënë një shije të mirë veçanërisht Edmond Rucos që nuk nguroi aspak të bënte krahasimin: “Ju kam thënë që në krye të herës që jeni më të mirët, janë 10 vende bosh dhe pastaj fillon numërimi për të tjerët”.


Pas shpërndarjes së të gjithë certifikatave, në orën 12 të mbrëmjes u caktua dhe ndarja e çmimit për analistin e vitit të “Ora Sport”. Ky çmim shkoi për Eduard Zhupën, që në fakt kur të gjithë e panë kampionatin e mbaruar për Tiranën, ishte ndër të vetmit që u shpreh se Partizani nuk e ka thënë ende fjalën e tij dhe se kishte shumë shpresa për të triumfuar, ashtu siç e ndodhi.

Një çmim simbolik, por që ka shumë domethënie dhe kjo e emocionoi jo pak Zhupën. “Dua që të falënderoj të gjithë, sidomos kolegët e mi që kam ndarë studion televizive për një kohë kaq shumë të gjatë. Faleminderit edhe juve që keni qenë objektiv për emisionin dhe emocionet që keni përcjell te njerëzit, duke qenë gjithmonë të vërtetë”, u shpreh mes të tjerash Zhupa.


Darka do të vijonte mes valleve, ku kryesisht ishin ato popullore shqiptare që ndiznin gjakun e të pranishmëve. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në monitor të madh shfaqeshin pjesë nga emisioni ku në fokus ishin të gjithë të pranishmit në këtë darkë. Kështu u mbyll një mbrëmje e freskët dhe ku retë kishin zënë sadopak yjet, por ata që ndriçonin ishte pjesëtarët e komunitetit të futbollit.

Lini një Përgjigje