Një “tufë flokësh” për sukses!

10 Janar 2023, 19:10Sport TEMA

Një “tufë flokësh” për sukses!

Nga Edmond Sufaj

Kombëtarja u bë zyrtarisht me trajner të ri dje. Por mësuam për herë të parë që ekipi paska kokë dhe këmbë! Kështu të paktën tha i vjetri.

Dhe me një panoramë të tillë “frymëzuese” “pronari” nisi atë që kishte më shumë rëndësi në prezantimin e të riut, falenderimin për të vjetrin!

Falenderoi Rejen për atë që i dha kombëtares, të cilën e konsideroi sukses!?

Ndërsa nga ana tjetër Reja i ekzaltuar tha se kishte krijuar një kombëtare nga hiçi. Tha se e kishte gjetur pa kokë në fillim. Dhe për tri vite i kishte krijuar kokën dhe këmbët. Pra ka lënë një kombëtare gati për shpërthim!?

Duke parë gjithë këtë arritje, lind pyetja:

Nëse ishte sukses, pse nuk vazhdoi italiani?

Ose më saktë. Në fundin e çdo ndeshje të dështuar, Reja thonte se po punonte për Europianin!? Atëherë pse nuk iu rinovua kontrata për eliminatoret Europianin që ta dërgonte deri në fund projektin!?

Aq më tepër në ndeshjen e fundit miqësore, Reja ishte gati të vishej sërish nuse! Pse nuk u nusërua…..!?

Atëherë pse quhet sukses dhe jo dështim? Mos është paksa fyese për inteligjencën?

Në të vërtetë, FSHF nuk ka reaguar në asnjë rast në tri vite ndaj Rejes edhe kur është cënuar imazhi i kombëtares, jo më për rezultatet apo ecurinë. Nëse nuk reagon për imazhin, rezultatet, menaxhimin etj, si mund të pretendosh kualifikime dhe të pohosh që ka progres?

Për këtë ka një përgjigje dyshuese.

Po ju risjell pak raste për të mprehur intuitën dhe zgjuar arsyen.

Reja këmbënguli që Brojën ta huazonte në Itali në fillim. Ndoshta që ta menaxhonte ai apo dikush tjetër. Por Broja zgjodhi të qëndronte në Angli.

Çuditërisht ai vuajti në kombëtare pas kalimit te Southempton, sepse në çdo rast ai u sulmua nga trajneri: “Ai nuk është për kombëtaren. Është individualist. Nuk është gati. Duhet të rritet etj, atj”, thonte Reja edhe pse Broja i dhuroi dy fitore individuale në ndeshjet ndaj Hungarisë, të cilat rezultuan dy fitoret e vetme me ekipe serioze për trajnerin italian. Ai nuk e vlerësoi kurrë talentin, ndërkohë që për të fliste e gjithë Europa. Ku ishte FSHF në këtë rast për të mbrojtur imazhin e lojtarit të saj dhe rrjedhimisht dhe imazhin e kombëtares?

Asnjë reagim. Kjo është dyshuese.

Pas çdo dështimi, trajneri jepte të njëjtat deklarata, fyese për inteligjencën, ku nuk mori asnjë përgjegjësi për ecurinë e ekipit në çdo aspekt. I qëndroi stoik skemës dogmatike deri në fund.

Por ai u lavdërua. Faleminderit Reja për ecurinë, tha pronari. Ndërkohë vitin e fundit nuk njohu fitore për 365 ditë. Nuk bëri kurrë një ekip. Nuk arriti të prodhojë kurrë harmoni në ekip me sjelljet dhe zgjedhjet e tij.

E mbani mend kur Reja deklaroi se kishte ftuar lojtarë për ti ndihmuar për të gjetur ekip? Ndërkohë që nuk ftonte ata që e meritonin, qoftë edhe një herë prezencën?

Në ndeshjen e fundit miqësore prsh, Reja ftoi një lojtar stoli nga Istanbulspor, i cili rezultoi se kërkonte ekip për tu transferuar. Ndërkohë fantazisti me numrin 10 i këtij ekipi, Eduart Rroca, nuk u përfill. Atij iu mohua sërish për të disatën herë mundësia për të veshur fanellën. Pse?

Ndoshta sepse Rroca, në karrierën e tij ka qenë menaxher i vetvetes dhe nuk ka patur ndërmjetës për të kaluar nga një ekip në tjetrin. Pra ndoshta nuk ka patur ndonjë “sekser” pranë kombëtares! Dhe ky rast të bën të dyshosh për mënyrën se si afrohen lojtarët në kombëtare, kuptohet jo të gjithë.

Janë afruar lojtarë që nuk dihej më ku luanin. Afroheshin “raketa”, “bomba”, “mina”, që ndodhta të shiteshin dhe nga ana tjetër ata që meritonin respekt, injoroheshin. Për raste të tilla, që për tri vite janë shumë, FSHF nuk dukej.

E mbani mend si e injoronte Uzunin në fillim, kur e konsideronte si lojtar klubi dhe jo të denjë për kombëtaren, ndërkohë që ishte lojtari më në formë?

Po Kamberin që e afroi si lojtar të së ardhmes dhe më pas nuk e aktivizoi asnjë minutë, nuk është cënim imazhi?

Si u anashkalua Taulant Xhaka, grinta e kombëtares?

Si u afruan me dhjetra herë lojtarë pa asnjë minutë në këmbë, ndërkohë paradoksalisht nuk ftoheshin të tjerë në formë? Askush nuk reagoi.

Në këtë rast heshtja të bën të dyshosh që institucioni është pjesë e kësaj sjellje, mos me thënë vetë sjellja.

Këto detaje hedhin dyshimin se sa i lirë ishte dhe sa i lirë do të jetë trajneri i kombëtares në menaxhim dhe vendimarrje!!!!!???

E vërteta është se FSHF nuk ishte e aftë të ndërpriste kontratën me Rejën në të mirë të kombëtares kur gjërat dukeshin që po shkonin keq. Nuk e shkarkuan dot dhe mbi të gjitha nuk bënë dot një prishje kontrate konsensuale!

Për këtë dyshoj se vlerësimi i djeshëm për Rejën ishte forma për të mbajtur nën kontroll të pathënat e tij, të cilat mund të jenë “idhësira” të së vërtetës.

Dy muaj të humbura për të zgjedhur të riun! Ndërkohë kualifikurset janë në prag! Mungesë reflektimi për tri vitet e drejtimit nga Reja. Ishte sukses apo dështim?

Paradoksalisht thuhet se ishte sukses, por në fakt analiza nuk thotë kështu. Gjithsesi trajneri vazhdon të zgjidhet ashtu, sipas përcaktimit “i duhuri” në shërbim.

Dje u prezantua trajneri i radhës, një “Zylyf”, fjalë që nuk e kam përdorur rastësisht radhën e kaluar. “Zylyf”, do të thotë një “tufë flokësh” që kalohet për shumë kohë sa andej këndej mbi kokë, por në fund mbetet thjesht një “tufë flokësh” që nuk e ndryshon pamjen.

Personalisht nuk kam asgjë për trajnerin e ri apo të vjetër si individ, por e kam për trajnerin e Shqipërisë si koncept, që zgjidhet dhe trajtohet ashtu, si “tufë flokësh”. Gjithsesi, duke lënë sarkazmën menjëanë, uroj që fati të buzëqeshë me trajnerin e ri dhe rrjedhimisht me kombëtaren, sepse ky ekip është krenaria e gjithsecilit prej nesh….

5 Komente

  1. A
    Alpizo

    Po a ka emer trajneri i ri more zylif ?

    Përgjigjjuni
    1. A
      Artan

      Artikull i krejt i parendesishem. A thua se kombetarja shqiptare eshte ndonje ekip i nivelit boteror dhe ja vlen gjithe ky thashethem.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sportdashes

        Pse ka kaq te mencur ky vend?Gjynah qe ne vuajme degjoheni kete gazetarin nuk e ka keq.Reja ishte trangull sja kishte haberin sipas ketij myteberi.O bole me te madhe te gjitha keto qe thua i dime po aq mire dhe ai qe iku ajo qe sdime eshte mund te na thuash zotrote kur Broja fillon lojen nga fillimi eshte nje skarco?Qe ne nuk bejme kurre dy ndeshje njesoj?Qe ai Myrto vjen si pordha neper breke ne 4 ne 5 ndeshje qe luan?Qe kur luajme 2 ndeshje ne tre dite nje e kemi te humbur te dyten zakonisht?Qe ai Xhaka i vogel ngatron futbollin me garipin patriot?Mund te vazhdoj pa problem por them me bindje ne kemi nje grup shume te vogel lojtaresh cilesor dhe nuk mund te presesh me teper e vetmja qe nuk me binte per Rejen mosha e madhe.Futbolli do energji kjo e penalizonte nuk duhet pritur mrekullia nga ky i ri.Eshte shume e veshtire te ndryshosh mentalitetin ne menyren e lojes.Nje loje me sulmuese do na penalizonte perballe nje ekipi ekspert.Duhet nje mbrojtje efikase qe per ne eshte shume veshtire me kete te riun.Duhet ti urojme sukses.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Artioni

          Super artikull. Super perceptim per realitetin e futbollit. Argumenti është argument dhe analiza tregon shumë. Bravo

          Përgjigjjuni
          1. J
            Joni

            E kam lexu dy here analizen dhe mendoj se autori nuk e ka me fitoi apo humbi ekipi me Rejen, por per menyren se si shiten tre vjetet e Rejes nga Duka. Jam dakord kur thuhen detaje per menaxhimin dhe mendoj se tgjitha fijet luhen nga Duka e Co. Ky esht problemi i vjeter i kombetares por qe eshte sjell shume mire ne ket shkrim

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje