Porta, problemi i madh për Sylvinhon para Euro 2024

22 Shkurt 2024, 16:36Sport TEMA
Porta, problemi i madh për Sylvinhon para Euro 2024

Kombëtarja shqiptare e futbollit do jetë pjesë e Euro 2024 prej 14 qershorit dhe në grupin B do sfidojë emra si Spanja, Italia dhe Kroacia. Nëse flasim deri në këto momente, lojtarët e Kombëtares në pjesën më të madhe janë duke luajtur minuta të rëndësishme me klubet e tyre dhe duken në formë për verën që vjen.

Problem për stafin teknik dhe trajnerin Sylvinho duket se është porta. Nga katër gardianët që braziliani ka ftuar së fundmi në ekip, Alen Sherri i Egnatias ka më shumë minuta. 27 ndeshje ka luajtur shkodrani këtë sezon, duke mbajtur në nëntë ndeshje portën të paprekur.

Pas tij vjen Elhan Kastrati, portieri i Cittadella në Serie B. Ish-i i Teutës ka marrë 2250 minuta këtë sezon në 25 ndeshje dhe është një nga titullarët e ekipit.

Le të kalojmë në ligat e të mëdhenjve, ku Etrit Berisha në Serie A dhe Thomas Strakosha në Premier League nuk po marrin minuta. Nëse Berisha e nisi mirë sezoni dhe luajti me Empolin në 14 takime, tanimë 34-vjeçari e sheh veten në stol. Ai është i preferuari i Sylvinhos për përvojën që ka në ekip dhe do duhet të fitojë besimin e klubit nga Serie A për të qenë në formë gjatë verës.

Situata me Strakoshën është e ndërlikuar. Një muaj më parë ai fliste i revoltuar për mungesën e minutave, duke luajtur këtë sezon vetëm në katër takime, dy prej të cilave në Premier League me Brentford.

Statistikat e 'gardianëve' të Kombëtares

Alen Sherri, Egnatia - 27 ndeshje, 2460 minuta

Elhan Kastrati, Cittadella - 25 ndeshje, 2250 minuta

Etrit Berisha, Empoli - 14 ndeshje, 1260 minuta

Thomas Strakosha, Brentford - 4 ndeshje, 345 minuta

1 Komente

  1. P
    Pjeter mustaku

    Keshtu doli nga burgu edhe Sali Lusha, probleme shendetesore qe shfaqte tropojani me i shendetshem

    Lini një Përgjigje