Observatori i Futbollit, CIES, ka publikuar listën e 50 vendeve, klubet e të cilave kanë gjeneruar më shumë të ardhura gjatë 10 viteve të fundit nga transferimet ndërkombëtare të lojtarëve të trajnuar në vendin e tyre.
Franca është në krye, e ndjekur nga Brazili dhe Spanja. Shtatë vende ballkanike janë gjithashtu pjesë e listës, por Shqipëria dhe Kosova nuk duken gjëkundi.
Franca, e cila qëndron në krye, ka përfituar 3.98 miliardë euro nga shitjet e këtyre lojtarëve. Mesatarisht vendi përfiton 400 milionë euro në vit nga transferimet.
Brazili pozicionohet në vendin e dytë me 2.6 miliardë euro. Spanja është e treta me gati 2.42 miliardë euro.
Portugalia, Holanda, Anglia, Argjentina, Gjermania dhe Italia janë vendet e tjera që kanë përfituar më shumë, përkatësisht 2 miliardë euro, 1.63 miliardë, 1.6 miliardë, 1.55 miliardë, 1.5 miliardë dhe 1.05 miliardë.
Kroacia është vendi i parë në Ballkan që ka përfituar më shumë. Klubet kroate kanë marrë 484 milionë euro nga shitjet, duke përfaqësuar vendin e 12 në botë.
Serbia është një tjetër vend ballkanik pjesë e listës së CIES-it. Klubet serbe kanë përfituar 305 milionë euro.
Megjithatë, Serbia veçohet edhe për diçka tjetër. Vendi është në krye të listës së shteteve evropiane që shesin më shumë talente nën 20 vjeç. Gati 65% e të ardhurave të cituara më sipër kanë ardhur nga talentet e kësaj grupmoshe.
Në shkallë globale, vetëm Kanadaja, e cila është në vendet e fundit në listën e të ardhurave të CIES-it, ka shitur më shumë lojtarë nën 20 vjeç (71.3%).
Turqia, Greqia, Rumania, Sllovenia dhe Bullgaria janë gjithashtu pjesë e listës. Ato kanë përfituar përkatësisht 229 milionë euro, 225 milionë, 139 milionë, 47 milionë dhe 38 milionë.
Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë e listës dhe ky është një tregues i qartë se kampionatet e dy vendeve janë ende të “prapambetur”.
Të dyja vendet nuk kanë shitur kurrë një lojtarë mbi 1-1.5 milionë euro, pavarësisht cilësive të tij. Niveli i kampionateve bënë që klubet e huaja të mos binden për të paguar shuma të majme për lojtarët në Shqipëri dhe Kosovë.
Përsa i përketë Shqipërisë, me ndryshimet e reja për heqjen e pengesave për numrin e lojtarëve të huaj në formacionet e ndeshjeve, mund të jetë një tjetër goditje për prodhimin e talenteve vendase.
Lini një Përgjigje