
Një model i ri statistikor e vendos Interin në fronin e Serie A (2022-2023). Pas algoritmit të zhvilluar nga faqja e specializuar ‘fivethirtyeight.com’, e cila në fillim të gushtit kishte parashikuar zikaltrit si kampionë të Italisë, edhe Observatori i Futbollit CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) e kuoton ekipin e Inzaghit si favoritin kryesor për një tjetër yll në gjoks.
Në renditjen e hartuar nga ekspertët e CIES, në vendin e dytë figuron kampioni në fuqi, Milani, i ndjekur nga Napoli dhe Juventusi. Në thelb, të njëjtat skuadra nga sezoni i kaluar, që do të luajnë në Ligën e Kampionëve.
Modeli me të cilin është përpunuar renditja bazohet në paraqitjet e dy sezoneve të fundit, në shpenzimet e bëra nga klubet në sesionin e fundit të merkatos dhe në atë që CIES e përcakton si “kapitalin e përvojës” të lojtarëve aktualisht në skuadër.
Ky është një parametër që vlerëson përvojën e një skuadre në bazë të ndeshjeve, të karrierës së lojtarëve të saj, klubeve ku ata kanë luajtur, garave në të cilat kanë marrë pjesë etj.
Atalanta dhe Roma do të kualifikoheshin në “Europa League” sipas kësaj renditjeje hipotetike, ndërsa Lazio do ta mbyllte në vendin e shtatë, në zonën e Ligës së Konferencës.
Nuk ka Evropë për Fiorentinën, e cila madje mund ta mbyllë kampionatin në vendin e nëntë, pas Sassuolos. Vend i mirë (i 15-ti) për Monza, që do të garantonte shpëtimin, ndërsa Cremonese dhe Lecce do të riktheheshin menjëherë në Serie B, së bashku me Salernitanën.
Serie A do të ishte e vetmja nga 5 ligat kryesore evropiane që nuk do të konfirmonte kampionët në fuqi. Sipas modelit CIES, në fakt, Manchester City do të ishte ende kampion në Angli (me liderin aktual Arsenal jashtë zonës së Champions-it), PSG në Francë, Bayern Munich në Gjermani dhe Real Madrid në Spanjë.
Lini një Përgjigje