Gjermania nuk u step para presioneve të FIFA-s. Organizmi Botëror i Futbollit iu ndaloi përfaqësueseve pjesëmarrëse mbajtjen e shiritit “One Love” në mbështetje të komunitetit LGTB dhe Gjermania gjeti një mënyrë origjinale për të protestuar.
Lojtarët, në foton klasike para ndeshjes ndaj Japonisë, vunë dorën në gojë duke mbyllur gojën në shenjë proteste. Portierit Manuel Neuer iu desh të hiqte dorë nga shiriti i kapitenit me shkrimin “One Love”, pasi FIFA njoftoi se do të sanksiononte futbollistët që do të zbrisnin me të në fushë në Katar.
Fotot e djemve të Hansi Flick, kanë shkaktuar reagime të shumta edhe te lojtarët e kapitenët e tjerë. Pas Granit Xhakës, i cili deklaroi se duhet të fokusohemi vetëm te futbolli dhe të respektojmë rregullat e vendosura, pas përfundimit të sfidës Belgjikë-Kanada (1-0), këtë çështje e komentoi edhe Eden Hazard.
"Ne jemi këtu për të luajtur futboll, dhe jo për të dërguar një mesazh politik, ka njerëz më të përshtatshëm për këtë. Ne duam të fokusohemi te futbolli. Ata e bënë, por më pas humbën ndeshjen. Do të ishte më mirë të mos e bënin dhe të fitonin”, deklaroi kapiteni i Belgjikës.
Ndalimi i shiritit “One Love” nga ana e FIFA-s është i dënueshëm – deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane të Olaf Scholz – ndërkohë që Federata Gjermane doli me një deklaratë ku theksonte se synojnë të japin shembullin dhe vlerat e tyre ndërkombëtare siç janë diversiteti dhe respekti reciprok.
DFB (Federata Gjermane e Futbollit) theksoi se nuk bëhet fjalë për një mesazh politik dhe se të drejtat e njeriut janë të panegociueshme. Federata gjermane e futbollit e konsideron ndalimin e shiritit “One Love” njëlloj me censurën, dhe prej këtu vjen shpjegimi i gjestit të lojtarëve për të mbyllur gojën.
Lini një Përgjigje