Nismë ligjore për turizmin, ndalohen ndërtimet në sezon, gjoba për barrierat fizike si gardhe, trarë apo mure, që pengojnë aksesin e qytetarëve në plazhe

20 Korrik 2026, 07:30Turizëm TEMA
Nismë ligjore për turizmin, ndalohen ndërtimet në sezon,

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e deputetit nismëtar, ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në Ligjin Nr. 93/2015 “Për Turizmin”. Nisma ligjore, e cila mbështetet në nenet 78, 81 dhe 83 të Kushtetutës, synon të rregullojë menaxhimin e zonave turistike, të forcojë standardet e strukturave akomoduese dhe të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në bregdet.

Ndalohen ndërtimet gjatë sezonit turistik

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij projektligji është dhënia e kompetencës Këshillit të Ministrave për të pezulluar punimet e ndërtimit në zonat turistike me qëllim garantimin e një sezoni të qetë. Ky rregull do të shtrihet edhe mbi aktivitetet e tjera që lidhen me ndërtimin dhe që kanë ndikim negativ te turistët.

Sipas nenit të ri 30/a të propozuar në projektligj:

“Këshilli i Ministrave mund të urdhërojë pezullimin e punimeve të ndërtimit në zonat turistike gjatë sezonit turistik, për të garantuar zhvillimin e qetë të tij. Vendimi përmban: zonat konkrete që i nënshtrohen pezullimit, llojet e punimeve, kohën e fillimit dhe përfundimit sezonal, si dhe oraret e caktuara.”

Për të mos dëmtuar kompanitë zhvilluese, ligji parashikon një dispozitë kalimtare, ku bashkitë dhe KKTU-ja detyrohen të shtyjnë afatin përfundimtar të lejeve të ndërtimit për aq kohë sa ka zgjatur pezullimi sezonal. Çdo subjekt që shkel këtë ndalim do të përballet me gjobë të ashpër administrative prej 2,000,000 lekësh.

Akses i lirë në bregdet, ndalohen gardhet dhe barrierat

Projektligji adreson gjithashtu një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve gjatë muajve të verës: bllokimin e hapësirave publike dhe kalimeve drejt detit nga menaxhuesit e stacioneve të plazhit.

Ndryshimi i propozuar në nenin 64 sanksionon qartë detyrimet e bizneseve:

“Subjekti që ushtron veprimtarinë stacion plazhi duhet të garantojë aksesin e lirë, të pandërprerë dhe lëvizjen e lirë të publikut drejt bregut të detit. Ndalohet vendosja e gardheve, mureve, barrierave apo e çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme.”

Në rast të konstatimit të barrierave apo rrethimeve që pengojnë qytetarët të lëvizin lirshëm ndërmjet hapësirave publike dhe bregut, subjektet private do të ndëshkohen me gjobë prej 200,000 lekësh.

Rregulla të reja për hotelet, certifikim paraprak dhe regjistrim elektronik

Nisma ligjore sjell ndryshime rrënjësore edhe në menaxhimin e strukturave akomoduese (hoteleve, bujtinave etj.). Së pari, vendoset një kusht i ri përpara se të nisë ndërtimi i tyre: çdo subjekt zhvillues duhet të pajiset me një certifikatë paraprake kategorizimi përpara se të marrë lejen e ndërtimit.

Së dyti, me qëllim digjitalizimin dhe mbledhjen e saktë të statistikave, por edhe për të luftuar informalitetin, hotelet detyrohen të mbajnë regjistra elektronikë për vizitorët.

“Çdo strukturë akomoduese, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat për numrin e vizitorëve, netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.”, theksohet në projektligj.

Projektligji garanton se përpunimi dhe ruajtja e këtyre të dhënave sensitive do të bëhen në përputhje të plotë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Së fundmi, nisma parashikon që, me propozim të ministrit të Turizmit, Këshilli i Ministrave mund të ndryshojë përgjegjësinë e administrimit të zonave me përparësi turizmin nëse kjo kërkohet për realizimin e projekteve apo investimeve me interes publik dhe rëndësi kombëtare. Projektligji pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare përpara se të votohet në seancë plenare.

Lini një Përgjigje