Rekord vizitorësh në mars/ Tre muajt e parë të vitit sollën 1,7 milionë turistë të huaj në Shqipëri

6 Prill 2024, 10:55Turizëm TEMA
Rekord vizitorësh në mars/ Tre muajt e parë të vitit

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Muaji Mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare:


"Mbi 1,7  milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit Mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t'i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje", njoftoi ministrja Kumbaro.


Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.


Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e  Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet  udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania". Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit.

 

 

 

Lini një Përgjigje