Viti 2026 ka nisur me një sinjal tejet pozitiv për sektorin e turizmit dhe industrinë e mikpritjes në Shqipëri. Ndonëse janari konsiderohet tradicionalisht si një muaj me fluks të ulët turistik, strukturat akomoduese në vend kanë regjistruar një rritje dyshifrore të vizitorëve, duke konfirmuar trendin e zgjerimit të turizmit përtej sezonit veror.
Sipas shifrave zyrtare për muajin e parë të vitit, numri total i vizitorëve që u akomoduan në hotelet dhe strukturat e tjera turistike në Shqipëri u rrit me 15,1% në raport me janarin e vitit 2025.
Kjo rritje është ushqyer paralelisht si nga turizmi i brendshëm, ashtu edhe nga ai i huaj. Vizitorët rezidentë (vendas) shënuan një rritje të fortë prej 16,8%, ndërsa numri i turistëve të huaj u rrit me 13,8%. Ky fluks i shtuar është përkthyer edhe në rritje të “net-qëndrimeve” (koha që turistët shpenzojnë në hotele), të cilat në total u rritën me 9,0%.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele ndoqi gjithashtu një trajektore rritëse, duke arritur në 15,4%, nga 14,5% që ishte regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Harta e turistëve, kush po e viziton Shqipërinë?
Gjeografia e vizitorëve të huaj tregon një konsolidim të tregjeve tradicionale evropiane. Turistët nga Italia vijojnë të mbajnë peshën kryesore të turizmit hyrës, duke përbërë 25% të totalit të të huajve që fjetën në strukturat akomoduese shqiptare gjatë janarit.
Në vend të dytë renditen vizitorët nga Kosova me 14%, të ndjekur nga shtetasit gjermanë me 6%. Pesëshja e parë plotësohet nga turistët e ardhur nga Mbretëria e Bashkuar (5%) dhe Franca (4%). Pjesa e mbetur e tregut (46%) përbëhet nga një miks kombësish të tjera.
Qendra e vendit mban peshën kryesore
Për shkak të stinës së dimrit, tendencat e akomodimit tregojnë një zhvendosje të qartë nga bregdeti drejt qendrave urbane.
Gjatë janarit, zonat jo-bregdetare pritën numrin më të madh të turistëve, si vendas ashtu edhe të huaj. Në ndarjen rajonale, Rajoni i Qendrës (që përfshin Tiranën dhe Elbasanin) rezulton “magneti” kryesor për të huajt, duke akomoduar mbi 52 mijë vizitorë jo-rezidentë, lënë pas ndjeshëm Rajonin e Veriut dhe atë të Jugut.
Për sa i përket zgjedhjes së akomodimit, industria e hotelerisë tradicionale (“Hotele dhe akomodime të ngjashme”) mbetet dominuese absolute e tregut, duke marrë “pjesën e luanit” në raport me bujtinat, apartamentet me qira afatshkurtër apo kampingjet.
Lini një Përgjigje