Xhovani Trapatoni, një nga trajnerët italianë më të famshëm në botë, ka komentuar me indinjatë ngjarjen e radhës për trukimet e rezultateve në futbollin italian ku janë arrestuar apo hetohen personazhe të njohur në Itali si kapiteni i Lacios, Stefano Mauri, mbrojtësi i kombëtares italiane, Domeniko Krishito apo trajneri i Juventusit, Antonio Konte.
“Ky është një lajm shkatërrues”, ishte komenti i parë i trajnerit që aktualisht drejton përfaqësuesen e Irlandës. “Nëse gjykata vihet në lëvizje, atëherë do të thotë se diçka të sigurt e ka në këtë mes. Unë që frekuentoj ambiente jashtë Italisë prej shumë vitesh, duhet të them se po lëmë një imazh të keq të futbollit tonë. Jashtë Italie tallen me ne, mbetet gjithmonë fakti që etiketohemi si mafiozë dhe kjo na dëmton”, tha ai.
Ndërkohë, një tjetër trajner italian, Luçiano Spaleti, ka shprehur bindjen se Domeniko Krishito, të cilin e stërvit te Zenit Shën Petersburg, nuk është i përfshirë në këto çështje. Mbrojtësi do të largohet sot nga grumbullimi i kombëtares italiane, pasi drejtuesit e Federatës i kanë komunikua vendimin se nuk do të jetë pjesë e skuadrës në Euro 2012 pas këtij skandali që ka shpërthyer.
“E njoh mjaft mirë Domenikon, me të kam një raport të përditshëm. Kam dyshime të mëdha që ai të jetë i përfshirë në këtë çështje. Gjykata duhet të bëjë punë e saj, por njoh Krishiton dhe e di që është një person pozitiv. Vendimi i Prandelit për ta lënë jashtë kombëtares është i drejtë, pasi pjesëmarrja e futbollistit në Evropian kalon në plan të dytë”, ishte komenti i Spaletit rreth kësaj çështje që ka bërë bujë në të gjitha mediat sportive botërore.
Trapatoni ka te drejte kur thote se italianet shihen si mafioze ne bote. Kjo nuk do te thote se pjesa me e madhe e tyre jane te tille, po jane ata qe i shiten botes mbare mafian, kudo qe shkuan.
Sot Italia e jugut eshte thuajse e gjitha ne duart e mafias, ky eshte nje fakt qe shume kush e di.
Nuk ka pse te shqetesohet Trapatoni, italianet e shpiken mafjen, ne vendet e tjera te botes, behen mafjoze, kurse ne itali ,lindin mafjoz.