Krijohet Kupa e Mbretit, ku do garojnë ekipet shqiptare dhe kosovare

29 Nëntor 2010, 18:37Sport TEMA

Rrallëherë ndodh që t’i shohim klubet nga Kosova dhe Shqipëria të luajnë bashkë në një stadium. Por, sa herë që një ndeshje e tillë ndodh, tribunat mbushen plotë e përplotë me shikues.

Kjo ide shumë herë ka shtyrë që të formohet një ligë unike ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Por, ligjërisht një ligë e tillë nuk mund të ndodhë. Madje, këtë ide e kanë përjashtuar kategorikisht së realizuari edhe vetë zyrtarët e lartë të këtyre dy institucioneve.

Por, një mundësi tjetër ekziston. Një turne ku do të mund të luanin kampionët e Kosovës dhe Shqipërisë. E që, sipas të gjitha gjasave, prej vitit të ardhshëm do të përballen mes tyre në një kompetecion tjetër të garave, i cili mendohet se do të jetë mjaft prestigjioz dhe tërheqës për klubet dhe tifozerinë shqiptare.

Kjo është ‘Kupa e Mbretit’, e cila, siç duket, nuk mund të pengohet nga barrierat politike e ligjore të UEFA-s. Dhe këtë iniciativë e merr nën patronat vetë Familja Mbretërore Shqiptare.

Princi Leka II kthehej nga një vizitë në Bruksel, ku kishte qenë si mysafir i Familjes Mbretërore Belge, kur gjeti kohë të japë një intervistë ekskluzive për gazetën “Express”.

Ai tregon se e gjithë kjo nisi me Krishtlindjet e vitit 2008, kur për herë të parë në një vizitë u dëgjua kjo iniciativë nga një delegacion i zyrtarëve të FC Prishtinës dhe që më pas është pajtuar ta mbështesë, duke angazhuar zyrtarët e oborrit mbretëror, që sa më shpejt të nisin pëgaditjet për këtë projekt serioz, që e quajti “Kupa e Mbretit”.

“Projekti i FC Prishtinës ishte i qartë dhe konkret, prandaj kërkova nga oborri mbretëror që të vihej dhe të angazhohej në krijimin e kushteve për realizimin e tij. Deri tani kemi qenë të kujdesshëm dhe diskret, që ky projekt të mos devijonte dhe të bëhej pjesë e ndonjë fushate për marketing politik, duke krijuar mekanizmat e nevojshëm për mbrojtjen e tij nga keqpërdorimet”, ka rrëfyer Princi Leka II për “Express”.

Ai ka treguar edhe arsyet, sipas të cilave, Familja Mbretërore kishte marrë vendimin për ta mbështetur fuqishëm projektin.

“Familja Mbretërore Shqiptare ka pasur gjithmonë në vëmendje të saj dhe si qëllim kryesor të politikave, integrimin dhe fillimin e iniciativave që do t’i afronin shqiptarët në mes tyre, mbas një periudhe të shkëputjes dhe të jetesës në izolim nga njeri-tjetri. Tashmë besoj sinqerisht se janë krijuar rrethanat dhe mundësitë reale që ne të jemi të bashkuar në shumë projekte integruese në mes nesh”, ka thënë ai.

Sipas Princit Leka II, Kosova ka 20 vite që nuk garon jashtë vendit në një mënyrë të organizuar. Po ashtu, ekipet shqiptare rrallëherë ndeshen në lojë me ekipe të tjera nga trevat shqiptare, thekson ai.

“Ne si synim kemi që t’i afrojmë të gjitha këto klube shqiptare anë e mbanë vendit në një turne të nivelit të lartë sportiv, që besoj se do të ndikonte pozitivisht në afrimin e sportistëve shqiptarë, klubeve, shikuesve dhe tifozëve, që do të udhëtonin më shpesh drejt qendrave dhe arenave sportive shqiptare”, deklaroi Princi Leka II.

Ai beson se ky eveniment do të ndikojë që të zhvillohet edhe më tej komunikimi në shumë sfera mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Dhe kjo është më e rëndësishme”, thekson ai.

Princi Leka II tregoi se Familja Mbretërore do ta mbështesë financiarisht projektin dhe beson se pjesa tjetër e mjeteve do të sigurohet me kohë.

Sipas tij, ideja iu është prezantuar edhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, nga një delegacion i Oborrit Mbretëror Shqiptar dhe atij të FFK-së, Fadil Vokrri, të cilët janë pajtuar në parim që të dyja federatat ta mbështesin realizimin e kësaj strategjie.

“Kryetarët e federatave tashmë presin finalizimin dhe dorëzimin e planit përfundimtar të veprimit, që t’ua prezantojnë bordeve të tyre në federata. Por, vlen të theksohet se gatishmëria e kryetarëve të federatave për t’i dhënë dritën e gjelbër këtij projekti, ka qenë një lajm i mirë për mua, i këndshëm, si dhe shumë motivues për të vazhduar këtë punë të nevojshme për të gjithë, para”, shtoi ai.

“Për këtë janë në dijeni edhe disa nga pjesëtarët e politikës edhe në Kosovë dhe Shqipëri, edhe pse e kemi mbajtur në diskrecion. Gjithashtu, kërkojmë t’i ofrojmë seriozitetin maksimal dhe rigoroz jetësimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Për këtë edhe kam kërkuar që të ngrihet një bord ekspertësh nga Shqipëria, Kosova, me ekspertizë ndërkombëtare, i cili do të mbikëqyrë dhe do t’i ketë kompetencat fuqiplote për të siguruar standardet evropiane të futbollit dhe mirëvajtjen e përhershme të këtij projekti”, nënvizoi Princi Leka II.

Por kuj i dedikohet kjo kupë dhe kush janë përfituesit e këtij projekti? Sipas Princit Leka II, përfituesit do të jenë gati të gjithë.

“Por më së shumti, futbollistët dhe klubet shqiptare anë e mbanë vendit, që do të kenë mundësinë të luajnë, të tregohen dhe të shpërblehen sikurse kolegët e tyre nga vendet ku futbolli është shumë më i zhvilluar. Kjo është një dritare e re për të gjithë, por edhe për shikuesit dhe simpatizantët, që tashmë do të vijnë më shpesh në Shqipëri dhe në Kosovë”, pohoi ai.

Mst: 50.000 € për fituesin

Njëri prej iniciuesve të projektit, Valon Syla, i cili kishte qenë edhe pjesë e bisedimeve veç e veç me kryetarë të federatave, ka bërë të ditura disa detaje të turneut Kupa e Mbretit.

“Sipas projektit, parashihen shpërblime deri në 50 mijë euro për fituesin e turneut dhe 20 mijë euro për finalistin. Gjithashtu do të shpërblehet golashenuesi dhe asistuesi i Kupës së Mbretit me medalje dhe çmim parash”, tha Syla për “Express”.

Kjo duhet të ndodhë që të krijohet ideja e turneve përfitues për klubet dhe lojtarët cilësorë, me qëllim që paratë që klubet i fitojnë nga ky turne, do të jenë të obliguar t’i investojnë në kategori të reja dhe zbulimin e talentëve të rinj, ka theksuar Syla.

Sipas tij, për Kupën e Mbretit do të garonin kampionët dhe nënkampionët e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe fituesit e Kupave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Për këtë trofe do të garojnë tri klube nga Shqipëria dhe tri nga Kosova, me agregat sistem apo shkuarje-ardhje. Dhe gara pritet të fillojë nga fundi i muajit maj.

“Koha e saktë e fillimit të Kupës së Mbretit varet nga orari i klubeve të Superligës shqiptare dhe asaj kosovare, sepse duhet të bëhet llogaria e saktë e ditëve kur do të fillojë zhvillimi i ndeshjeve. Megjithëkëtë, pas përfundimit të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, diku nga fundi i muajit maj, ne besojmë se është koha e përshtatshme për t’u zhvilluar ndeshjet”, ka përfunduar Valon Syla.

Sidoqë të jetë koha e saktë e fillimit të garave, më me rëndësi është se po fillon jetësimi i një turneu të kampionëve shqiptarë. Dhe kjo është risia për të gjithë futbollistët dhe klubet, që këtë herë duhet të përgatiten më fort fizikisht që t’i përballojnë ndeshjet shtesë për Kupën e Mbretit.

Lini një Përgjigje